‘Dita e 14 e grevës së urisë’: qeveria në Shqipëri indiferente, naftëtarët në rrezik për jetën
Greva e urisë e naftëtarëve ka arritur ditën e 14, por situata mbetet alarmante dhe dramatike, duke nxjerrë në pah mungesën totale të vëmendjes nga ana e qeverisë ndaj kërkesave të punëtorëve.Nga 10 grevistë që nisën këtë aksion, aktualisht kanë mbetur vetëm 7, pasi disa prej tyre janë detyruar të ndërpresin grevën për shkak të problemeve serioze shëndetësore.
Kryetari i sindikatës, Dritan Shaho, ka konfirmuar se grevistët që largohen për arsye të shëndetit nuk zëvendësohen, çka lë të kuptohet se greva e urisë gradualisht po dobësohet dhe nëse situata vazhdon kështu, një nga aksionet më të forta të punëtorëve mund të mbyllet pa përgjigje nga qeveria.

Një nga grevistët, Bledar Danaj, është larguar mbrëmjen e djeshme dhe aktualisht ndodhet në spital për kontrolle të mëtejshme mjekësore. Sipas raportimeve, gjendja e tij kërkon monitorim të vazhdueshëm për shkak të dobësisë ekstreme dhe komplikacioneve të shkaktuara nga uria e gjatë.
Situata nuk duket më optimiste edhe për pjesën tjetër të grevistëve dhe për protestuesit jashtë godinës së kompanisë së naftës.
Numri i tyre ka rënë drastikisht, duke mos kaluar 35 persona, krahasuar me 200 protestuesit që e nisën aksionin dy javë më parë. Ky rënie e pjesëmarrjes tregon lodhjen, shqetësimin dhe mungesën e shpresës për një reagim të drejtë nga qeveria.

Greva e urisë, e nisur si një aksion i vendosur për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe për të kërkuar përgjegjësi nga drejtuesit, po përballet me indiferencën e qeverisë, që deri tani nuk ka dhënë sinjale konkrete për zgjidhje.
Sindikata paralajmëron se mosveprimi i autoriteteve mund të çojë në pasoja serioze për shëndetin e grevistëve, duke shkelur standardet bazë të mbrojtjes së jetës dhe të punës në Shqipëri.
Cilat janë kërkesat e naftëtarëve?
Grevistët kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, pagesa të dinjitetshme, trajtim të barabartë me punonjësit e tjerë të sektorit dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara me kompaninë.
1- Rritja e fondit te pagave me 18% kjo shume te shpërndahet për punonjësit e fushës.
2 – Arritja e trajtimit ushqimor nga 9 mijë lekë ne 13 e 200 lekë.
3- Zbatimi i ligjit te statusit te naftëtarit.
4- Drejtësi e barazi në shpërblime.
5- Meritokraci në rritje në detyrë e pronovime

Ekspertët paralajmërojnë se greva e urisë është vetëm një tregues i skajshëm i dëshpërimit të punëtorëve, dhe fakti që numri i tyre po pakësohet çdo ditë tregon përgjegjësinë e lartë që bie mbi qeverinë dhe institucionet përkatëse.
Rruga Press

