Kuriozitete

Disa fakte të rëndësishme që duhet të dini rreth Vitaminës D

Vitamina D është një element shumë i rëndësishëm për shëndetin e kockave dhe jo vetëm. Trupi ynë e siguron vitaminën D nëpërmjet ekspozimit në diell dhe dietës ushqimore. Prania e kësaj vitamine nxit thithjen e kalciumit në zorrë. Ajo është elementi bazë që rregullon metabolizimin e mineraleve në kockë. Falë saj dhe kalciumit, të rriturit mbrohen nga osteoporoza dhe osteomalacia, dy sëmundje që e dobësojnë kockën dhe rrisin rrezikun për fraktura. Po ashtu vitamina D parandalon rakitizmin dhe kariesin dentar te femijët.

Një tjetër fakt i rëndësishëm është se prania e kësaj vitamine ul edhe rrezikun e kancerit të gjirit. Bluzat e bardha të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bëjnë me dije se ekspozimi në diell stimulon prodhimin dhe sintetizimin e kësaj vitamine në lëkurë dhe një gjë e tillë përgjysmon rrezikun e kancerit të gjirit.

Vitamina D ul edhe rrezikun e sklerozës multiple. Ekspertët e shëndetit janë të mendimit se ka një lidhje të fortë mes vitaminës D dhe shëndetit të trurit. Një tjetër rol i rëndësishëm i kësaj vitamine është edhe mbrojtja që jep ndaj tensionit të lartë të gjakut, sëmundjeve të zemrës, madje edhe nga ishemia.

Janë një sërë treguesish që na ndihmojnë të kuptojmë nëse kjo vitaminë është në mungesë në organizmin tonë. Konkretisht, mungesa e vitaminës D shfaqet me disa simptoma që janë: energjia e pakët, pagjumësia, problemet me imunitetin dhe luhatjet e humorit. Krahas rrezeve të diellit kjo vitaminë mund të sigurohet edhe nëpërmjet ushqimeve të caktuara. Ndër ushqimet që përmbajnë vitaminë D: janë salmoni, qumështi, vezët, kërpudhat, drithërat, peshku ton, lëngu i portokallit, gjiza pa kripë, etj.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *