Disa fakte nga “punët” e kryepolicit Emiljan Esat Pashaj në Tepelenë, Tiranë e Elbasan, tashmë “pasha” i policisë Shijak
Në Elbasan dekonspironte aksionet e policisë dhe flinte tek vila e dhëndrit të “Lal Qazimit”, ndërsa gjatë detyrës në Tepelenë ishte mburoja e trafiqeve të kushëririt Elidon Malaj, personit që menaxhon kompleksin karburant-hotel “BluePoint” të Gramoz Ruçit poshtë kalasë së qytetit; i cili paçka se është me 8 klasë shkollë, ka marrë dy diploma universiteti në Gjirokastër e Tiranë dhe po përgatitet për të qenë pasardhës i Tërmet Peçit në krye të bashkisë
Prej 7 vitesh, Emiljan Pashaj, ka drejtuar sektorë policie pa “Certifikatë sigurie”, mbasi nuk i jepej për shkak se ishte pjesë e pazareve me krimin dhe trafikun e drogës i skeduar dhe nga SHISH e EUROPOL; por me ndërhyrjen e Gramoz Ruçit, u pajis me këtë “copë karton”, për ta patur në polici.
Lexo më tej:
Certifikatën e Sigurisë e ka marrë para 23 ditësh, ndërkohë që më 25 shkurt 2020 është emëruar në detyrën Shef i Komisariatit të Shijakut, ku vazhdon ende, me nofkën “Nipi i Toto Gramozit”; jo ashtu kot, por sepse babai i tij, Esat Pashaj, ish-oficer sigurimi në ushtri, është burri i kushërirës së Gramoz Ruçit nga fisi “Malaj” i Salarisë.
Mund të qëndronte dhe në Elbasan, ku ka qenë dy herë shef komisariati, por e larguan prej andej me propozim të Taulant Ballës, për shkak se u bë objekt faktesh nga prokuroria, si pjesë shërbyese e grupeve kriminale Sanxhaktari-Çela-Capja, të cilët e kishin fuqinë e veprimit dhe paprekshmërisë tek pushteti i Lal Qazimit.
Në redaksinë “Pamfleti” kanë ardhur shumë fakte, nga “punët” që Emiljan Esat Pashai, ka bërë gjatë kohës kur ka qenë shefi i seksionit të anti-trafiqeve në Tiranë; ku një ndër 76 rastet e rënda të tolerimit të krimit, është dhe denoncimi i shtetasit D. Dervishi, për dy trafikantë të arrestuar në flagrancë nga Pashai, por liruar pas një pazari mes tij dhe prokurorit B.T.
Një ndër 62 rastet e shërbimit ndaj grupeve të krimit në Elbasan, është gjatë detyrës së tij si Shef Komisariati deri në muajin shkurt 2020; kur bashkë me vartësin “Duçi”, dekonspiruan aksionin e datës 2 korrik 2019, për depot e armëve të trafikuara e fshehura, brenda zonës së një karburanti në Papër-Elbasan.
Si Shef komasariati në policinë e Elbasanit, Emiljani u emërua më 11 qershor 2018, ndërkohë që po në këtë detyrë, ka qenë edhe më parë në Elbasan, por u largua me porosi të Lal Qazimit e Taulant Ballës, për shkak se ishte aq “budalla egoist”, sa shfaqej e krekosej publikisht, si “ushtar” i bandave “Sanxhaktari-Çela-Capja”.
Më 11 qershor 2018, ai u largua nga Tepelena dhe u ri-emërua në Elbasan, me urdhër të Fatmir Xhafajt, jo se babai i Emiljan Pashait është roje tek pallati i Fatmir Xhafajt pranë “Posta nr. 8” (Sheshi Uillson), por sepse për shkak të zullumeve, nuk mund të lihej më Shef Komisariati në Tepelenë.
Emiljan Esat Pashaj, me fuqinë që i jepte statusi si nip i “malajve e ruçëve” të Salarisë; e “transferoi” aktivitetin e Komisariatit të Tepelenës, fillimisht tek lokali i Tërmet Peçit e prej andej, në hotel-karburant “BluePoint” në pronësi të Gramoz Ruçit, administruar nga Elidon Malaj.
Nën emrin tregtar “A&M shpk”, në këtë kompleks planfikoheshin “punët” e Komisariatit të Policisë, madje burimet e SHISH informuan kryeministrin Rama dhe partnerët ndërkombëtarë, se në kompleksin “BluePoint”-Tepelenë, përveç karburanteve që futeshin kontrabandë nga Greqia; depozitohej e shpërndahej dhe prodhimi i drogës, në maskën e biznesit të bimëve medicinale, që gjoja silleshin nga Progonati, Salaria e Dhëmblani.
Gjithë liria e aktivitetit në këtë kompleks kur gjatë vizitave rehatohen udhëheqësit e “Rilindjes”; garantohej nga Shefi Komisariatit, Emilian Pashaj, i cili në këtë hotel kishte dhe “suitën e qejfit”.
Nëse këto, i konsideron “shpifje”, mund të kërkojë paraprakisht “mendje” nga dajo “Toto Gramozi”, ose t’i drejtohet me Kërkesë-Padi Gjykatës, ku do t’i rikujtojmë dhe zullume të tjera nga koha si shef në Tepelenë e Elbasan.
Në vijim, do flasim për “punët” që djali i Esat Pashait, ka bërë e po bën gjatë 10 muajve, si Shef Komisarati në Shijak./Pamfleti