KryesoreOpinion/Aktualitet

Diplomati Murati: Franca don ta bëjë Kosovën peng të Serbisë

Shkruan Shaban Murati

Nuk është e qartë përse Franca, që është një ndër arbitrat kryesorë të dalogut të ndërmjetësuar nga BE midis Serbisë dhe Kosovës, vendosi papritur të dalë hapur në rolin e saj, (deri tani prapaskenor), të arbitrit të njëanëshëm në favor të Serbisë. Madje e ndërmori këtë manfestim publik personalisht presidenti i Francës, Emanuel Makron, i cili në 28 gusht doli me deklaratën e befasishme se “Franca dhe Gjermania kanë bërë premtime për politikën e vizave ndaj Kosovës, por kjo mund të rishikohet nëse Kosova dhe Serbia nuk sillen me përgjegjësi”.

Një rrufe e papritur dipomatike në mes të ditës me diell nga presidenti i Francës, i cili kërcënoi që mund të bllokojë liberalizimin e vizave për Kosovën, që është vendosur nga BE se do të hyjë në fuqi në 1 janar 2024.

Nxitimi dhe emocioni i presidentit Macron çfaqet aq i madh, sa që ai kërcënon qytetarët, popullin dhe qeverinë e Kosovës, se Franca do t’i mbajë nën embargon e vizave, nëse Kosova nuk i lëshojnë pe kërkesave aneksioniste të Serbisë. Emocioni i madh i befasishëm personal e ka shtyrë presidentin e Francës të bëjë dy gabime diplomatike.

Gabimi i parë diplomatik është që kërcënon Kosovën me bllokim të liberalizimit të vizave edhe nëse Serbia nuk sillet mirë në dialog, pra qe Kosova të paguajë edhe për fajet, mëkatet dhe shovinizmin e Serbisë dhe Macron ushtron presion të fortë direkt mbi Kosovën që të cedojë në interesat e saj të integritetit territorial dhe të sovranitetit shtetëror.

Është tepër e thjeshtë pyetja: Si mund të kërcënohet Kosova me bllokim të liberalizimit të vizave pse Serbia sillet me papërgjegjësi si deri tani? Sipas një logjikë anormale Kosova duhet t’i bindet ambicjeve neokolonialiste të Serbisë që të hapë Franca rrugën e liberalizimit të vizave. Me një fjalë Fanca dhe presidenti i  saj Makron në mënyrë alogjike duan ta bëjnë Kosovën peng të Serbisë.

Gabimi i dytë diplomatik i presidentit francez me kërcënimin e tij të ri ndaj Kosovës është pakorrektësia e sjelljes së tij ndaj aleatit kryesor dhe të rëndësishëm në BE, Gjermanisë. Presidenti Makron deklaroi në kërcënimin e tij se “Franca dhe Gjermania do të rishikojnë liberalizimin e vizave”. Por Makron nuk e kishte pyetur fare Gjermaninë. Në fakt Makron nuk e ka koordinuar hapin e tij të rëndësishëm me Berlinin.

Për më tepër Gjermania nuk është dakord me këtë qendrim të ri të presidentit francez, pavarësisht se kancelari gjerman Sholc dhe diplomacia gjermane nuk janë prononcuar deri tani lidhur  me këtë çeshtje, sepse Gjermania si shtet serioz ruan korrektësinë e marrëdhënieve të ngushta me aleatin e saj francez. Në datën 5 shtator media e njohur europiane “euractiv” njoftonte përgjigjen e një zyrtari të Ministrisë së Jashtëme të Gjermanisë, i cili i pyetur lidhur me deklaratën e Makronit për vizat e Kosovës, deklaron: “Liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi në 1 janar 2024. Kjo don të thotë se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë barabartësisht të përjashtuar nga kërkesa për viza në zonën e Shengenit”.

Media e mësiperme, me tiullin “Gjermania sfidon Makronin për kërcënimin ndaj Kosovës” thekson se ka një divergjencë në qendrimin e dyshes franko-gjermane për këtë çeshtje dhe se përfshirja e Gjermanisë nga Makroni për mundësinë e rishikimit të vizave është bërë nga ai pa koordinuar hapat me Gjermaninë.

Lexo më shumë  Muja i përgjigjet Bajramit: Nën autoritetin e saj janë nënshkruar 15 tenderë njëburimor, u avulluan edhe 529 mijë euro

Dëshmia e dytë e qendrimeve të ndryshme midis Francës dhe Gjermanisë për vizat erdhi në 2 shtator nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, një deputete gjermane nga një parti që është pjesë e koalicionit qeveritar gjerman të drejtuar nga kancelari Sholc.

Ajo doli hapur kundër qendrimit të presidentit francez për bllokimin e liberalizimit të vizave dhe deklaroi se   “Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka lidhje dhe nuk duhet të lidhet me procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. BE duhet të mbajë premtimin, që u ka bërë qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar lirisht në 1 janar 2024”.

Analiza spektrale e situatës së tanishme të dialogut dhe të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës të çon te shkaqet dhe arsyet e një nxitimi të pazakontë diplomatik të Francës për të dalë hapur në skenë në rolin real të arbitrit të njëanëshëm në favor të Serbisë. Së pari, kemi një përpjekje të Francës dhe të presidentit të saj për t’i ardhur Serbisë në ndihmë në pozitën e vështirë diplomatike të saj si shkelëse e marrëveshjeve dhe e zotimeve serbe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Makron e kapërdiu sfidën dhe fyerjen, që presidenti i Serbisë Vuçiç i bëri planit franko-gjerman dhe marrëveshjeve të BE për këtë plan në Bruksel në 27 shkurt dhe në Ohër në 18 mars 2023 për normalizimin e  marrëdhënieve mdis Serbisë dhe Kosovës. Në mënyrë arrogante presidenti i Serbisë refuzoi të pranonte dhe të nënshkruante të dy marrëveshjet e BE dhe planin franko- gjerman.

Presidenti i Serbisë me qendrim sfidues deklaroi se nuk ndjen detyrim dhe nuk e zbaton planin franko- gjerman dhe i shkeli nenet e atij plani sapo u kthye në Beograd nga Ohri. Burime dipomatike bëjnë të ditur se ka qenë Franca që detyroi BE të tërhiqej nga plani për të detyruar Serbinë të nënshkruante marrëveshjet. Franca dhe presidenti Makron e përtypën këtë fyerje diplomatike dhe publike nga Serbia dhe në mënyrë absurde i drejtojnë tani kërcënime Kosovës se do t’i bllokojnë vizat nëse “Serbia nuk sillet me përgjegjësi”.

Pse harron presidenti Makron se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte gati të nënshkruante marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit dhe ai e ka pranuar planin franko-gjerman?  Presidentit francez si arbitër në favor të Serbisë i duhet të marrë në mbrojtje Serbinë dhe jep penallti kundër Kosovës, kur Serbia bën shkeljet e rënda të ndeshjes. Franca sajon një objektiv të gabuar si Kosova.

Presidenti francez e sheh se izolimi diplomatik ndërkombëtar i Serbisë po rritet, sepse qeveritë. parlamentet dhe diplomcitë e shumë shteteve perëndiëore janë velur me gënjeshtrat e presidentit serb Vuçiç, i cili po forcon dita-ditës aleancën strategjike me Rusinë agresore dhe armike e BE dhe e NATO-s dhe po rrit intransigjencën në dialogun me Kosovën, duke kundërshtuar planet e BE për normalizimin.

Këtë klimë të rritjes së izolimit ndërkombëtar të Serbisë dëshmoi edhe letra e bujshme e 56 deputetëve dhe e dhjetë kryetarëve të komisioneve të jashtëme të parlamenteve të BE, SHBA, Britanisë së Madhe, të Ukrainës, etj, në muajin korrik 2023 drejtuar sekretarit amerikan të shtetit dhe shefit të politikës së jashtëme të BE për një politikë më të ashpër perëndimore ndaj Serbisë. Presidenti francez përpiqet të devijojë veprimin diplomatik të BE në drejtimin e kundërt dhe të hapur proserb me thirrjet për masa kundër Kosovës.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Së dyti, interesi strategjik i Francës është hegjemonia e Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe jo normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe as stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Franca e ka vënë bastin e saj strategjik dhe diplomatik të influencës franceze në Ballkan te Serbia. Pikërisht për këtë Serbia është i vetmi shtet në rajon me të cilin Franca ka nënshkruar

Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik dhe të Bashkëpunimit Strategjik në 8 prll 2011.  Pikërisht për këtë Franca, njësoj si Rusia, po e armatos Serbinë në mënyrë të ethëshme me armë të sofistikuara. megjithëse dihet që Serbia po armatoset kundër shteteve të NATO-s në Ballkan. Deri në shtator 2023 Serbia kishte blerë afër 4 miliard euro amatime nga Franca. Serbia do të blejë gjithashtu në Francë një kontigjent gjuajtësish francezë “Rafale” me vlerë 3 miliard euro.

Është e qartë se ky interes i madh fitimesh nga furnizimet me armë për Serbinë nuk e lejon Francën dhe presidentin e saj të ruajë statusin e arbitrit të paanshëm në dialogun Serbi-Kosovë. Nuk është rastësi që Franca dhe presidenti francez nuk kanë folur kurrë për kushtin e BE që Serbia duhet të njohë Kosovën para anëtarësimit të saj në BE, në një kohë që kancelarja gjermane Angela Merkel në vizitën e saj të fundit në Beograd dhe kancelari i ri gjerman Sholc në vizitën e tij të parë në Beograd ia thanë hapur presidentit serb në konferencat e shtypit këtë kusht të BE, të kërkuar nga Gjermania.

Presidenti Makron ka qenë bashkë me presidenti  rus Putin përkrahësit më entuziastë të plani proserb të të ashtuquajturit koregjim i kufijve midis Kosovs dhe Serbisë, plan i cili u rrëzua falë vendosmërisë së kancelares së hekurt gjermane Angela Merkel.

Kërcënimet e presidentit Makron ndaj Kosovës janë të dëmshme në planin diplomatik dhe rajonal, si një zhvillim negativ që duhet të rrisë kujdesin e qeverive dhe të diplomacive shqiptare për ndjekjen e lëvizjeve dhe të qendrimeve në arenën ndërkombëtare, të cilat shkojnë kundër interesave të kombit shqiptar. Kemi zhvillime diplomatike, të cilat kërkojnë që Kosova dhe Shqipëria të koordinojnë qendrimet dhe veprimet dhe të prononcohen e të mbrojnë interesat e përbashkëta kombëtare.

Veproi drejt nga pikëpamja diplomatike presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila reagoi ndaj deklaratave të presidentit francez për çeshtjen e liberalizimit të vizave, duke tërhequr vëmendjen se bllokimi i vizave do të ishte një mënyrë efikase për të ndërprerë dialogun Serbi-Kosovë njëherë e mirë.

Diplomacia është reagim dhe mbrojtje e interesave shtetërore dhe kombëtare në mënyrë të vazhdueshme, si ndaj shteteve armiqësore, por edhe ndaj shteteve mike kur gabojnë. Në këtë kuptim Kosova dhe Shqipëria duhet të dijnë të ngrejnë zërin, sepse arbitrat europianë dhe atlantikë duhet të dëgjojnë të dy palët e një dialogu. Diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të kenë parasysh rregullin e njohur diplomatik se gabimet u vihen në dukje edhe shteteve jo mike , por edhe shteteve mike dhe aleate.

Rruga Press

YouTube player