Lajme

Detyrimet e prapambetura shtetërore të qeverisë Rama, arritën në 163 mln euro

Pavarësisht se rritja e të ardhurave buxhetore shënoi rritje në rekorde historike vitin e kaluar, krijimi i detyrimeve të prapambetura nuk u shmang përkundrazi stoku i tyre u rrit me tej.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në nëntor të vitit 2022 detyrimet e prapambetura arritën 19,8 miliardë lekë (163 milionë euro), niveli më i lartë që nga tetori 2021. Në raport me tetorin 2022 stoku i detyrimeve u zgjerua me 10 për qind, dhe në raport me nëntorin 2021 janë zgjeruar me 20%.

Detyrimet në sektorin e infrastrukturës janë rritur gjithashtu. Në fund të nëntorit 2022 ato arritën 8,9 miliardë lekë, me rritje mujore 5 për qind dhe në krahasim me vitin e kaluar pësuan 43 për qind rritje.

Ky borxh përfaqëson detyrimet e papaguara në kohë të Ministrisë së infrastrukturës ndaj kompanive private të kontraktura për pune dhe shërbime. Në krahasim me një vit më parë ky borxh u dyfishua edhe pse qeveria ka arritur të harxhoje deri në nëntor vetëm 50 për qind e programit të investimeve të miratuar në fillim të vitit.

Lexo më shumë  Krasniqi takon shefen e zyrës së KiE-së për Kosovë: I kemi plotësuar kushtet për anëtarësim

Rritje të shpejtë kanë pësuar edhe detyrimet në zëra të tjerë të tillë si, ato të pushtetit lokal, vendimet e gjykatave etj. Në nëntor 2022 detyrimet në këtë zë arritën në 10 miliardë lekë me një rritje 10 për qind në krahasim me tetorin 2022 dhe 8.7%.

Për shkak të alokimeve të larta në muajin dhjetor të vitit 2022, pritet që detyrimet e prapambetura të jenë shuar.

Në ditët e fundit të dhjetorit Ministria e Financave alokoi shuma të mëdha fondesh për shkak të mbylljes së buxhetit. Përfituesit më të mëdha ishin kompanitë e ndërtimit, të cilat morën pagesat më të larta.

Por, institucionet e specializuara të auditit ngrenë dyshime se llogaritë e detyrimeve të prapambetura janë më të mëdha se raportimet e qeverisë në tabelat fiskale. Psh në këto detyrime ende nuk është kontabilizuar një detyrim i madh që rrodhi nga gjykata e Strasburgut ndaj çështjes “Becchetti” me një shumë rreth 100 milionë euro.

Lexo më shumë  Përmbysja e Vetingut/ Antoneta Sevdari: Proces i korruptuar, kapur nga krimi dhe politika!

Dy vite më pare, një raport i auditit të brendshëm të qeverisë hodhi alarmin për shumën e madhe të detyrimeve të prapambetura në llogarite e qeverisë. Ekspertë nga Ministria e Financave thanë se këto detyrime krijohen nga prokurimet për punë dhe shërbime jashtë programit buxhetor afatmesëm dhe atij vjetor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka gjetur në auditet rutinë se entet publike e kanë kthyer në rutinë thyerjen e udhëzimeve për përdorimin e parave publike, pasi një përqindje e madhe e tenderëve bëhen duke mos pasur fonde të programuara në dispozicion ose me vlera mbi limitin./B.Hoxha/MONITOR

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *