Uncategorized

Detaje të reja mbi anijen me mijëra tonë naftë Ruse që u kap në Durrës

Anija me flamur të Libisë dhe me ekuipazh rus e kapur në Durrës me 22 mijë e 500 tonë naftë, mësohet se para se të hynte në Shqipëri ka ndalur në portin e Kallamatës në Greqi.

Pikërisht aty është furnizuar me sasinë e karburantit nga një anije çisternë turke me emrin “Fidani”,  që dyshohet se e kishte siguruar sasinë në një nga portet e Federatës Ruse në Detin e Zi.

Pas kësaj karburanti me vlerë 30 milion dollar është nisur drejt Shqipërisë ku dhe është bllokuar nga autoritetet, të cilat kanë sekuestruar edhe pasaportat e të gjithë anëtarëve të ekuipazhit përfshirë dhe kapitenin, Aleksei Smaznov.

Ky i fundit në një dëshmi të shkurtë ka treguar se sasia e naftës që ndodhet në anije, ishte porositur nga një agjensi në Shqipëri.

Më tej Policia ka zbuluar se subjekti quhet, “A.V Internacional Group”, e cila zotërohet nga biznesmeni i hidrokarbureve Piro Bare dhe administrohet nga shtetësja, Orledia Bare.

Në kontaktin e marrë prej grupit hetimor biznesmeni Piro Bare ka dhënë shpjegime, ku ka treguar se kishte bërë negociata me një kompani për blerjen e një sasie karburanti. Por ka shtuar se kishte porositur naftë në Libi dhe jo në Rusi, siç dyshohet se ka origjinën ky produkt.

Biznesmeni ka dëshmuar se kompania ku ai ka bërë porosinë, quhet “Ses Dmç Group”, me të cilën ka shkëmbyer disa e-maile.

Por teksa anija me karburant ka hyrë në ujërat e detit Adriatik, Piro Bare, ka paraqitur dokumentacion në doganën e Portit të Durrësit, për ta shkarkuar këtë ngarkesë në depozitat e tij në “Porto Romano”.

Për shkak të problemeve në dokumentacion, ai nuk ka mundur të “çajë” dot në doganë dhe për pasojë ka vendosur të tërhiqet nga blerja e kësaj sasie, ku tashmë prokuroria po heton për të gjithë intenerarin, origjinën por dhe mënyrën e porosisë./OraNews

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *