Dështon ekstradimi i Adriatik Llallës, ish-kryeprokurori merr azil politik në Itali
Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë përgjatë viteve 2012-2017, Adriatik Llalla, mësohet se ka fituar statusin e Azilantit Politik në Itali. Lajmi është konfirmuar për mediat nga avokati tij mbrojtës Sokol Hazizaj.
Marrja e statusit azilant politik shuan shpresat e SPAK për ekstradimin e tij nga Italia në Shqipëri.
Ish prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të një banese si dhe të ardhurat për shkollimin e vajzës në Gjermani.
Llalla u arratis në Itali, para se të jepej urdhër i formës së prerë për arrestimin e tij dhe kërkoi azil politik me argumentin se dënimi ndaj tij ka qenë një iniciativë politike.
Llalla u arrestua në dhjetor të vitit 2021 në Romë, por më pas për shkak të gjendjes së tij shëndetësore u lirua me kushtin që do të mbahej në survejim nga autoritetet italiane. Avokati i tij pati bërë kërkesë edhe në Gjykatën e Lartë për pezullimin e dënimit me 2 vite burg me argumentin se Llala vuan nga një sëmundje e pashërueshme, por kjo kërkesë nuk u pranua.
Rruga Press