Bota

Dështoi në negociatat me talebanët, dorëhiqet i dërguari amerikan në Afganistan

I dërguari më i lartë amerikan në Afganistan, Zalmay Khalilzad, po largohet nga posti, më pak se dy muaj pas tërheqjes kaotike të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi largimin e zotit Khalilzad në një deklaratë të hënën në mbrëmje, duke thënë se i dërguari do të zëvendësohej nga zëvendësi i tij, Thomas West.

“Unë shpreh mirënjohjen time për shërbimet e tij prej disa dekadash ndaj popullit amerikan“, tha Sekretari Blinken.

Zoti Khalilzad kishte qenë i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin gjatë tre viteve të fundit, duke shërbyer si nën Presidentin Joe Biden, ashtu edhe nën ish-Presidentin Donald Trump. Para kësaj, ai kishte shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Irak dhe Afganistan nën ish-Presidentin George W. Bush. Zoti Khalilzad, i lindur në Afganistan, është përballur me kritika për rolin e tij në drejtimin e negociatave me talebanët dhe qeverinë afgane që filluan në vitin 2018.

Zoti Khalilzad nuk arriti të ndërmjetësojë një qeveri për ndarjen e pushtetit midis dy palëve, por negocioi një marrëveshje mes talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara në shkurt 2020, e cila çoi në tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Afganistani. Ndërsa forcat amerikane u tërhoqën nga vendi këtë vit, forcat talebane pushtuan me shpejtësi qytetet në të gjithë Afganistanin, duke sjellë rënien e qeverisë që gëzonte mbështetjen amerikane në Kabul në muajin gusht.

Lexo më shumë  Publikohen foto të reja nga pasuria e Epstein që tregojnë Trump, Bannon, Bill Clinton dhe njerëz të tjerë të profilit të lartë

Shpejtësia e marrjes nën kontroll të vendit nga talebanët kontribuoi në një tërheqje kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani, në të cilën qindra qytetarë amerikanë dhe mijëra afganë që ndihmuan përpjekjet e luftës amerikane u përpoqën të largoheshin nga vendi në ditët e fundit të operacionit ushtarak amerikan. Në një letër drejtuar Sekretarit Blinken, zoti Khalilzad pranoi se nuk ishte në gjendje të ndërmjetësonte një qeveri për ndarjen e pushtetit midis talebanëve dhe qeverisë së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në Kabul.

“Marrëveshja politike midis qeverisë afgane dhe talebanëve nuk u zhvillua siç ishte parashikuar. Arsyet për këtë janë shumë komplekse dhe unë do të shpreh mendimet e mia në ditën dhe javët e ardhshme“, shtoi ai.

Megjithatë, zoti Khalilzad mbrojti marrëveshjen që ndërmjetësoi midis Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve. Ai argumentoi se nuk ishin gabime në marrëveshje që çuan në marrjen e Afganistanit nga talebanët, por vendimet e administratave Trump dhe Biden për t’u tërhequr nga vendi pavarësisht se talebanët nuk respektuan shumë aspekte të marrëveshjes.

Lexo më shumë  "Turistët snajperistë" dhe “çetnikët e fundjavës” - kush ishin të huajt në rrethimin e Sarajevës?

Ai shkruajti se talebanët “ranë dakord të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë ekzistuese afgane për një marrëveshje për ndarjen e pushtetit dhe një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të përhershëm”, së bashku me zotimin se nuk do të kryejnë sulme ndaj forcave amerikane dhe nuk do të mbështesin terroristët. Si pjesë e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara “ranë dakord të tërheqin forcat me valë gjatë një periudhe 14-mujore nëse talebanët zbatojnë angazhimet e tyre”, tha ai.

Zoti Khalilzad tha në letrën e tij se “tani është koha e duhur” për të dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë “në një moment kur ne po hyjmë në një fazë të re në politikën tonë për Afganistanin”.

Zoti Khalilzad, një ish-profesor i Universitetit të Kolumbias, hyri në qeverinë amerikane gjatë administratës Carter, kur Shtetet e Bashkuara po fillonin mbështetjen e tyre për luftëtarët muxhahedinë afganë që luftonin me forcat sovjetike që pushtuan Afganistanin. Zëvendësuesi i tij, zoti West, është një ndihmës i vjetër i Presidentit Biden, dhe ka shërbyer në ekipin e sigurisë kombëtare të zotit Biden kur ai ishte nënpresident.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *