Dervishi: Qeveria Kurti po tregohet e matur ndaj politikave amerikane
Zëvendëskryetari i Kongresit Pan-Shqiptar Amerikan, Vullnet Dervishi, ka folur në lidhje me ‘listën e zezë’ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku së fundi kësaj liste iu shtua edhe anëtari i Presidencës serbe në Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik
Dervishi tha se këto politika, janë politika të kalkuluara dhe nuk janë kundër-veprim i një politike ditore të dikujt tjetër.
Më tej, ai tha se këto politika do të përputhen me politikën gjeo-strategjike të vet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe interesave të saj.
“Në këtë plan, çdo gjë që ndodh në Ballkanin Perëndimor, janë procese që ua bën më dije politikave të vendeve të ndryshme se ka kufi dhe se deri ku mund të shkohet me ato politika ditore”, është shprehur Dervishi për Klan Kosova.
Dervishi tha se emrat si ai i Dodik, janë vetëm figura të vogla në një lojë të komplikuar shau të politikave të mëdha, të fuqive të mëdha, teksa shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës me këto veprime po ua bën me dije Rusisë dhe Kinës se “ne i mbikëqyrim të gjitha”.
“Duke parë influencën ruse dhe kineze, ata ua bëjnë me dije se “ne i mbikëqyrim të gjitha” dhe me mjete sanksionimi të financave po i sulmon, por duke çuar një mesazh politik që kjo nuk do të lejohet nga SHBA-të”, është shprehur Dervishi, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, sa i përket Qeverisë së Kosovës, Dervishi tha se Qeveria Kurti është mjaft e matur sa i përket politikës së saj të jashtme dhe reagimeve ndaj politikave amerikane.
“Qeveria Kurti është mjaft e matur sa i përket politikës së saj të jashtme dhe si reagon ndaj politikave amerikane dhe nga ana tjetër i jep një përkrahje të fuqishme të gjitha ndodhive që janë të inicuara nga vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Dervishi.
Rruga Press