Der Standard: Serbia partnerja e fundit e Rusisë në Evropë
Gazeta austriake “Der Standard” në një analizë të publikuar sot ka treguar se si Serbia është shteti i vetëm në Evropë, përjashtuar Bjellorusinë, që nuk po aplikon sanksione ndaj Rusisë.
“Serbia partnerja e fundit e Rusisë në Evropë”, ka shkruar gazeta austriake.
Sipas gazetës, Serbia nuk ka aplikuar sanksione ndaj Rusisë dhe nuk ka ndaluar fluturimet për në Rusi apo nga Rusia për në Beograd.
“Linja ajrore Air Serbia ka dyfishuar fluturimet nga dhe për në Moskë. 15 herë në javë mund të fluturohet direkt nga Beogradi për në Moskë. Serbia është edhe shteti i vetëm, që nuk ka aplikuar sanksione kundër Rusisë. Dhe kjo, ndonëse BE-ja ka kërkuar që këtë ta bëjnë shtetet kandidate për anëtarësim si Serbia”, ka shkruar “Der Standard”.
Sipas gazetës, Serbia është bërë portë për rusët që të depërtojnë në Perëndim dhe në Evropë të Mesme. Gazeta thotë se shumë prej rusëve po ikin nga sistemi i Vladimir Putinit.
Regjimi i Serbisë i drejtuar nga Aleksandar Vuçiq ka krijuar lidhje edhe më të forta me Kremlinin në vitet e fundit.
“Rusia për Serbinë është një partnere e rëndësishme, jo vetëm për siguri dhe për politikë të mbrojtjes, por edhe për energji. Njëkohësisht Vuçiq po mundohet të mos shqetësojë partnerët e tij perëndimor, por që jo gjithmonë po funksionon kjo. Politika e tij ka filluar të lëkundet. Një meme po qarkullon në rrjete sociale këto ditë, ku në karikaturë shihet presidenti serb që propozon të mbahet hapi me Rusinë në ditët tek dhe me Perëndimin në ditët çift”, ka shkruar “Der Standard”.
Në qarqet diplomatike të Perëndimit tashmë janë duke shqyrtuar pezullimin e afrimit të Serbisë me BE-në për shkak të qëndrimit të paqartë, e tu jepet përparësi vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e Kosovës, që janë shprehur qartë kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe i kanë vendosur sanksione Rusisë, raporton “Der Standard”.
Por, sipas gazetës jo të gjitha shtetet e BE-së e kanë këtë mendim. Raportohet se Vuçiq ka marrëdhënie të mira me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe se ky i fundit ka propozuar që Serbia të fitojë statusin e shtetit anëtar të BE-së, ndonëse Serbia në vitet e fundit nuk ka bërë fare ndonjë reformë dhe qeveria serbe gjithmonë e më tepër po shkon në autokraci.
E politika e sotme e Putinit thuhet se ngjason shumë me atë të Sllobodan Millosheviqit në vitet 1990-ta.
“Politika e Slobodan Millosheviqit e viteve 1990-ta ngjason në shumë fusha me politikën e tashme të Kremlinit. Kritika e hapur ndaj Rusisë çon automatikisht në vetëkritik të politikës së viteve 1990-ta. Paralelet janë të qarta”, ka shkruar “Der Standard’. “Si në Bosnjë-Hercegovinë, ku ishte pretenduar në vitet 1990-ta se po ndodhte një gjenocid ndaj serbëve, Putini po e bën tani të njëjtën, duke pretenduar për një gjenocid ndaj rusëve në Ukrainë”.
Historiani Nicolas Moll ka tërhequr paralelet mes veprimeve të Millosheviqit e Putinit.
“Dikush shpik një gjenocid ndaj bashkatdhetarëve të tij, që duhet ndaluar apo parandaluar, dikush portretizon një luftë agresioni dhe se po vetëmbrohet, dikush përdorë bashkatdhetarët në shtetin fqinj për të zbatuar brutalisht pretendimet e veta për pushtet dhe territor”, thotë Moll.
Si në Kroaci ashtu edhe Bosnjë-Hercegovinë në vitin 1991 dhe 1992 zonat e banuara me shumicë serbe u pushtuan dhe u proklamuan si shtete të pavarura me emrin “Republika Srpska”, me synimin për t’u bashkuar më vonë në “Serbinë e Madhe”.
“Millosheviqi vendosi këto regjime paralele në shtete fqinje për të destabilizuar përgjithmonë rajonin e për të penguar shtetet nga funksionimi i shtetësisë”, shkruan “Der Standard”.
Putin të njëjtën strategji po e ndjek në Ukrainë duke njohur të ashtuquajturat Republika Popullore të Luhanskut dhe Donetzkut, si shtete të pavarura. Luhanksu e Donetzku janë dy rajone separatiste të udhëhequra nga pro-rusët në Ukrainë.
“Propagandistët në Beograd në vitet 1990-ta pretendonin se ajo që po bënin ishte të luftonin ustashët në Kroaci, sot Putini argumenton se sulmi ndaj Ukrainës po bëhet që të ‘denazifikohet’ Ukraina”, shkruan “Der Standard”.
Nëpër mediume është raportuar se persona nga Serbia i janë bashkuar forcave pro-ruse në luftën në Ukrainë.
Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, e ka quajtur këtë si dezinformim të rrezikshëm. Ai ka thënë se me ligje në Serbi është e ndaluar pjesëmarrja e qytetarëve serbë në një luftë jashtë vendit të tyre.
“Megjithatë, ka pasur qytetarë nga Serbia e Bosnjë-Hercegovina, në mesin e luftëtarëve pro-rusë, që kanë qenë në lindje të Ukrainës në të kaluarën. Në të kaluarën sundimi i ligjit në Serbi ka qenë shumë i butë ndaj këtyre luftëtarëve”, shkruan “Der Standard”. “Ka edhe disa organizata të ekstremit të djathtë në Serbi, si ‘Ujqërit e natës’ që kanë mbështetur me vite Putinin dhe janë në kontakt të ngushtë me Kremlinin. Që nga fillimi i luftës disa mitingje pro-ruse janë mbajtur në Serbi, Mal të Zi e Bosnjë-Hercegovinë. Për shkak të propagandave me vite të tëra, shumë serbë janë emocionalisht në anën e Rusisë”.
Në Beograd, vazhdimisht është tërhequr karta ruse në nivel politik – si në kohën e Titos – për të marrë diçka nga dyja palët: nga Kremlini dhe Perëndimi.
Madje kjo është rritur në vitet e fundit. Në fund të vitit 2014, Putini ishte i ftuar nderi në paradën ushtarake që shënonte 70 vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi nazist.
Gjithashtu Serbia nisi të merrte pjesë në stërvitje vjetore ushtarake trepalëshe me Rusinë e Bjellorusinë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Rusia i ofroi Serbisë një çmim të favorshëm të gazit për gjashtë muaj.
“Pra, Serbia është ende e kapur mes dy karrigeve. Deri më tash BE-ja nuk i është përgjigjur kësaj aleance me regjimin e Kremlinit, pavarësisht agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, shkruan “Der Standard”.
Rruga Press