“Der Spiegel”: Borrell zemëron Berlinin pasi u përpoq ta shpërblejë me post një këshilltar të tij

Ministria e Jashtme gjermane po e akuzon kryediplomatin e BE-së, spanjollin Josep Borrell, për shkelje të “transparencës, neutralitetit dhe besueshmërisë”.

Sipas revistës gjermane “Der Spiegel” shefi i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell ka bërë përpjekje të palejueshme për ta emëruar këshilltarin e tij Steven Everts në postin e drejtorit të Institutit të BE-së për Studime të Sigurisë (EUISS) me seli në Paris. Everts është shkrues i fjalimeve të Borrellit.

“Der Spiegel” shkruan se sjellja e Borrellit ka shkaktuar zemërim të madh në Ministrinë e Jashtme në Berlin. Borrell akuzohet se bashkë me diplomatin italian dhe sekretarin e përgjithshëm të shërbimit të jashtëm të BE-së Stefano Sannino në mënyrë “të pashembullt” ka tentuar të shpërblejë me një post një anëtar të kabinetit të tij. Sipas palës gjermane Borrell javëve të fundit kishte intervenuar personalisht te ministrat e jashtëm të 6 vendeve anëtare të BE-së dhe i kishte shtyrë që të heqin dorë nga përkrahja për kandidaten gjermano-franceze Florence Gaub dhe të mbështesin holandezin Steven Everts.

Lexo më shumë  Vrāsjet masive në Bucha. Gjermania siguron provat për krīmēt e lūftës në Ukrainë

Të premten e kaluar në Bruksel u mbajt një mbledhje për zgjedhjen e drejtorit të Institutit të BE-së për Studime të Sigurisë. Me atë rast, sipas palës gjermane, sekretari i përgjithshëm i shërbimit të jashtëm të BE-së Stefano Sannino dhe besniku i Borrellit kishte ushtruar presion masiv ndaj përfaqësuesve të vendeve të BE-së duke i kërcënuar se nëse nuk votojnë për Everts, atëherë në të ardhmen nuk do të merren parasysh kandidatët nga vendet e tyre për poste të larta në Bruksel. Kërcënimet e Stefano Sanninos nuk patën sukses: gjatë tri votimeve Steven Everts nuk mori numrin e duhur të votave. Pas dështimit të zgjedhjes të drejtorit të EUISS, duhet të shpallet konkurs i ri.

Lexo më shumë  Gjermania konfirmon miratimin e lejes për dorëzimin e tankeve “Leopard 1” në Ukrainë

Në një procesverbal të mbledhjes së Brukselit të shkruar nga përfaqësia gjermane thuhet se “debakli zgjedhor” paraqet “pikën tani për tani më të ulët të politikës së personelit” në shërbimin e jashtëm të BE-së. Borrell akuzohet nga diplomatët gjermanë për shkelje të “transparencës, neutralitetit dhe besueshmërisë”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

AlbanianEnglishFrenchGermanItalianPortuguese