KryesoreLajme

Deputetja Kusari-Lila: E pakuptimtë mbajtja e masave ndaj Kosovës

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, i ka quajtur të pakuptimta masat e BE-së ndaj Kosovës. Ajo ka thënë se është e pakuptimtë që masat vazhdojnë të mbesin në fuqi kundër Kosovës, derisa kanë dalë informacione mbi rolin agresiv të Serbisë.

Kusari-Lila ka përsëritur se për Serbinë ende nuk ka asnjë masë edhe pas sulmit të Banjskës, gjetjes së municionit me origjinë nga atje e lëvizjes së ushtrisë afër kufirit me Kosovën.

“Për heqjen e masave është një proces që nuk ka asnjë kuptim, d.m.th. mbajtja e masave ndaj Kosovës në kohën kur sot dalin informacione që jo vetëm që Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit por Serbia ka pasur të planifikuar një sulm tjetër dhe ka pasur lëvizje masive ushtarake drejt kufirit me Kosovën. Artikulli në Times ku tregohet se janë deklasifikuar informacionet nga Pentagoni dhe nga këshilltari për siguri të lartë të Shtëpisë së Bardhë për t’iu dhënë informacion dhe për të dërguar mesazh të shpejtë të gjitha vendeve anëtare të NATO-s se Serbia po bën lëvizje ushtarake drejt Kosovës për të parandaluar, e tregtojnë synimin e Serbisë ndaj Kosovës. Ndaj Kosovës janë masat në fuqi si rrjedhojë e shkuarjes së katër kryetarëve, ndërsa në Serbi nuk ka masa përkundër që e kanë organizuar e mbështetur një sulm terrorist e është gjetur gjithë ai municion”, ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Lexo më shumë  Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konflikteve në Ballkan

Kusari-Lila është shprehur se diskutimi për këto masa të BE-së “është i pakuptimtë në sistemin demokratik apo në mbajtjen e vlerave ku dy shtete duhet të maten në rrugëtimin drejt BE-së”.

Ndërsa, për dinarin ajo ka thënë se për këtë çështje në aspekt politik me Serbinë mund të flitet vetëm që transferet të bëhen përmes llogarive bankare.

Lexo më shumë  Gërvalla takoi ministrin e Jashtëm estonez, kërkon mbështetje për integrim

“E vetmja formë e trajtimit të kësaj çështje janë lehtësirat për ngritjen e mënyrave, hapjen e llogarive, nga ana e përfaqësuesve të komunitetit serb që nuk kanë pasur të tilla në euro. I vetmi diskutim politik duhet të bëhet me Serbinë që ato transfere që vijnë në kesh në Kosovë të transferohen përmes llogarive bankare. Ky proces është rregulluar me Kushtetutë”.

Rruga Press

YouTube player