KryesoreLajme

Deputeti i LVV: Jemi në rrugë të drejtë për realizimin e programit qeverisës

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë dhe është në rrugë të drejtë për realizimin e programit qeverisës. Në një vjetorin e fitores, partia në pushtet thotë se viti i parë është karakterizuar më shumë në përgatitjen e bazës ligjore për realizimin reformave. Megjithatë, sukseset janë arritur në rritjen ekonomike, menaxhimin me pandeminë dhe sigurimin e vaksinave.

Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Adnan Rrustemi thotë për KosovaPress se vendosmëria e Qeverisë Kurti për realizimin e premtimeve është e palëkundur.

“Është bërë mjaftueshëm për të vendosur parametrat e realizimit të reformave, por kuptohet se zgjedhjet dhe programi ynë ka qenë për katër vite, ne nuk arrimë dot t’i përmbushin gjithë ato zotime për 11-12 muaj. Tashmë viti i parë që e karakterizoi me përgatitjen e bazës ligjore shumë prej reformave deri tek koncepti i dokumentit për fondin sovran që i jep mundësi zhvillimit ekonomik dhe kështu me radhë. Gjatë këtyre 11 muajve paralelisht qeveria është marrë me sfidat e paparashikuara siç ishte pandemia, kriza energjetike, është vazhduar në proporcion me kohën për të përmbushur zotimet që kemi dhënë, por natyrisht ato janë në proces për t’i përmbushur në mandatin katër vjeçar. Mendoj se jemi në rrugë të drejtë natyrisht se ka vështirësi, barriera dhe pengesa shpesh herë subjektive të atyre e refuzojnë ndryshimin, pasi nuk duket se i favorizon. Por vendosmëria jonë është e palëkundur pasi nuk bëhet domosdo për të përmbushur programin tonë, por thjesht Kosovës i duhet një program i tillë zhvillimor dhe sundimit i ligjit për të ecur përpara dhe për të krijuar perspektivë për të rinjtë në Kosovë”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Rohde: Gjermania do të katërfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë

Rrustemi ka thënë se fenomeni shumë vjeçar i abuzimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publik po u vjen fundi përmes miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligjit për Deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

“Nuk ka asnjë dyshim se do të kalojnë, por ky është miratim në lexim të parë dhe të gjithë deputetët do të kenë mundësinë që përmes amendamenteve, por edhe dëgjimeve publike që do të organizojmë dhe grupin punues do të adresojmë sugjerimet dhe rekomandimet edhe të ekspertëve dhe shoqërisë civile. Këto projektligje janë shumë të rëndësishme për t’i dhënë përgjigje një fenomeni shumë vjeçar në Kosovë të abuzimit me detyrën zyrtare dhe të korrupsionit ku zyrtarët publik janë bërë të pasur dhe milionerë jo nga paga e tyre, por nga përfitimet që kanë ardhur nga pozicioni i tyre. Kjo mënyrë përveç që i jep fund kësaj praktike, në të njëjtën kohë e krijon mundësinë që keqpërdorimet e deri tanishme t’i kthehen shtetit dhe qytetarëve”, ka shtuar ai.

Duke folur për dialogun me Serbinë, deputeti i mazhorancës ka thënë se Kryeministri Kurti ka rikonceptuar premisat për këtë proces, duke i dhënë Kosovës pozicionin e palës së barabartë.

“Qeveria Kurti gjatë këtyre muajve në njërën anë ka shprehur gatishmërinë për dialog sepse ne jemi për dialog, por për dialog të përgatitur mirë dhe me parime. Aty ku Kosova nuk është temë e çështje, por palë e barabartë. Serbia është penguesja e dialogut me Kosovën, ajo natyrisht ka kërkuar pretekste për t’i ikur çfarëdo marrëveshje. Mendoj se Qeveria Kurti ka arritur të ri konceptojë premisat e dialogut, duke i dhënë Kosovës pozicionin e palës, por deri më tani nuk ka pasur progres për shkak të refuzimit të Serbisë. Ne do të vazhdojmë me këtë konsistencë për të mbrojtur maksimalisht interesat e Kosovës”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Bie aludimi qesharak i FSHF-së, deri në Evropianin “Shqipëri – Serbi”, Kosova do t’i ketë të paktën katër stadiume moderne

Krahas kësaj, Rrustemi thotë se ekzekutivi është i vendosur në refuzimin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni është rrëzuar juridikisht nga Gjykata Kushtetuese, marrëveshja e vitit 2015 në secilin element të saj është zhbërë nga Kushtetuesja. Aty s’ka asnjë paragraf dhe asnjë parim i cili i qëndron testit të kushtetutshmërisë në Kosovë. Juridikisht ajo marrëveshje nuk ekziston, ndërsa në kuptimin e përmbajtjes natyrisht siç kemi thënë vazhdimisht Kosova ka ofruar skajshmërisë mekanizma për akomodimin e interesave të serbëve të Kosovës në Kosovë. Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës është kërkesë e Serbisë dhe ne jemi këtu për t’i dhënë mundësi atyre të integrohen dhe maksimizuar të drejtat e tyre, por principi i reciprocitetit në njërin anë dhe karakteri unitar janë të padiskutueshme për ne”, ka përfunduar Rrustemi./KP/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *