BotaKryesore

Deputeti gjerman: Shpresoj që Vuçiqi të mos e bëjë të njëjtin gabim si Millosheviqi

Deputeti gjerman Josip Juratoviq ka thënë se me koniunkturën politike aktuale të Serbisë është e pamundur që të vazhdohet bashkëpunimi mes të dyja shteteve.

Në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, ai ka thënë se nuk ka parë parregullsi të tilla ndonjëherë si ato në zgjedhjet e fundit në Serbi.

Ai është pyetur për krahasimin mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe kriminelit Sllobodan Millosheviq. Juratoviq ka theksuar se shpreson që Vuçiqi të mos shkojë asaj rruge.

“Është e vështirë të tërhiqen paralele mes dy personave, edhe pse politikisht janë të afërt. Personalisht para shumë vjetësh kam biseduar dy herë me Aleksandar Vuçiqin. Në fillim pata përshtypjen se ai donte vërtet një Serbi më të mirë në sytë e botës. Megjithatë, sa më gjatë që e ndoqa, pash se ai gjithnjë e më shumë po humbiste në premtimet e tij për gjithçka dhe për të gjithë. Kështu që në fund humbi besimin e pothuajse të gjithëve. Edhe në vetë Serbinë u bë skllav i sistemit që krijoi vetë, e që më nuk mund të qëndrojë. Millosheviqi dikur, edhe pse në kushte të tjera, duke zgjedhur kë të sakrifikonte popullin apo veten, vendosi për popullin. Për të zgjatur pushtetin për një vit. Shpresoj që Aleksandar Vuçiq të mos bëjë të njëjtin gabim dhe të shohë se roli i tij dhe parregullsitë e zgjedhjeve me të drejtë kërkojnë një dalje të re në qendrat e votimit”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Juratoviq ka shtuar tutje se Vuçiqi e ka shndërruar politikën në luftë për mbijetesën e tij, ndërsa ka thënë se ai e ka humbur besimin jo vetëm në Bashkimin Evropian por edhe në botë.

Sipas Juratoviqit, zgjedhjet në Serbi duhet të përsëriten medoemos dhe nën kontrollin e rreptë të bashkësisë ndërkombëtare.

“Nuk kam përjetuar diçka të tillë në pesë mandatet e mia. Fushatës i prin presidenti i shtetit, i cili madje nuk është as kryetar i partisë për të cilën bën fushatë. Me ndikim të madh në hapësirën mediatike publiku mashtrohet në favor të vetëm një partie, dhe këtë e bën presidenti i shtetit, i cili në një shoqëri demokratike do të duhej të jetë i paanshëm, d.m.th. president i të gjithë qytetarëve. Për më tepër, ai paraqitet në atë mënyrë që Serbia nuk mund të marrë frymë pa të. Vendi drejtohet nga një frikë e përgjithshme ndaj shantazheve të ndryshme. Një luzmë e banditëve të regjimit të tij po ngjall frikë, e cila është tipike për çdo regjim autokratik. Politika e tij është reduktuar në një luftë konvulsive për mbijetesën e tij, e cila është gjithnjë e më shumë vetëm çështje kohe”, ka deklaruar ai.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Ai ka theksuar se bashkëpunimin me Serbinë, Gjermania duhet ta vazhdojë ekskluzivisht përmes institucioneve shtetërore, “në vend se me një njeri”.

“Përveç kësaj, duhet ngrirë negociatat e mëtejshme me BE-në për aq kohë përderisa Serbia të përmbushë kriteret e Kopenhagës dhe, konform kësaj edhe ndihmën e mëtejshme financiare. Nuk mund të ndodhë që taksapaguesit e BE-së të financojnë autokratë të cilët nuk respektojnë vlerat tona demokratike në një vend që gjoja aspiron bëhet pjesë e komunitetit tonë. Për këtë temë do të flas edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kah mesi i janarit në Strasburg”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se parregullsitë në zgjedhjet e Serbisë janë problematike dhe mund të prekin marrëdhëniet. Ka thënë se BE-ja duhet të kthehet më seriozisht kah demokratët në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Gjermania është një partner i besueshëm i Serbisë, por me këtë koniunkturë politike, bashkëpunimi i mëtejshëm, jo ​​vetëm nga këndvështrimi i Gjermanisë, por i Evropës dhe i botës, është pothuajse i pamundur. Komuniteti ndërkombëtar dëshiron një Serbi të fortë dhe politikisht stabile, dhe kjo është e mundshme vetëm në bazë të vlerave demokratike, të cilat në Serbi janë prishur dukshëm”./ kdp

YouTube player