Lajme

Deputeti Armend Muja insiston: Kryetarët në komunat veriore do të qëndrojnë në objektet komunale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë se dy kryetarët nga radhët e tyre në komunat veriore, do të vazhdojnë të qëndrojnë në objekte komunale, pavarësisht protestave dhe kërkesave ndërkombëtare që ata të ushtrojnë mandatin e tyre në objekte të tjera publike.

Sipas tij, kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, tashmë kanë filluar të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe t’i zbatojnë detyrimet ndaj institucioneve të Kosovës.

Ai thekson për KosovaPress, se protestat në komunën e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, janë të organizuara nga grupet kriminale serbe dhe të dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Dy kryetarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq, do të qëndrojnë, ata janë të përkushtuar me qëndru (në objekte komunale) dhe me fillu menjëherë me ofru punë dhe shërbime ndaj qytetarëve por edhe me kry detyrimet ndaj shtetit të Kosovës. Kjo është qasja e tyre, filluan dje me pagesat e faturave të energjisë elektrike që nuk është paguar qe 20 vjet dhe pastaj do të fillohet me adresimin e sfidave lokale, parkingjet, infrastruktura lokale. Policia e Kosovës dhe kryetarët në asnjë moment nuk duhet të lëshojnë (objektin), unë jam i bindur e aty ka pak popullsi lokale, krejt veriu mund të jetë 40 mijë banorë. Protestat nuk vijnë prej popullsisë lokale, ata që i pamë dje nuk janë protestues, ata janë struktura apo agjentura e drejtpërdrejtë e Vuçiqit të ndërlidhura me shërbimin e sigurisë së Serbisë”, thotë ai.

Lexo më shumë  Drejtoresha që e lidh bandën e Suel Çelës drejtpërdrejt me Ramën

Deputeti i mazhorancës kritikon Partinë Demokratike të Kosovës, e cila sipas tij, ka sugjeruar që kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirin dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci të mos ushtrojnë detyrën e tyre në objektet komunale.

“Unë mund të garantoj se dy kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje do të qëndrojnë dhe do të jenë aty. Nuk mund të garantoj për të tjerët. Por unë shpresoj që ata do të kenë guximin e nevojshëm politik ashtu siç kur kanë dal për me marrë mandatin, madje në kërkesat e tyre fillestare ka qenë që detyrimisht duhet me shku në objekte komunale. Zyrtarisht edhe PDK-ja ka dal me një komunikatë, tash le të fillon edhe një herë PDK-ja, megjithëse është një veprim i paarritshëm heroik për ata, që të bëjnë diçka çfarë kërkuan në fillim. Nuk ka qenë domosdoshmërish qëndrimi i tyre, është luhatur edhe para takimit (me ambasadorët). Çfarëdo që kanë vendosë ata, të jeni të bindur se ka ardhur nga Memli Krasniqi dhe Bedri Hamza, s’ka të bëjë me ambasadën apo diçka”, thekson ai.

Muja arsyeton nevojën që Policinë e Kosovës të asistojë për hyrjen në objekte komunale të kryetarëve të zgjedhur në veri.

Sipas tij, zgjidhja e vetme është që të pranohen rezultatet e zgjedhjeve të 18 prillit në veri dhe strukturat kriminale atje t’i ndërpresin protestat.

“Policia e ka bërë vlerësimet mbi bazën e sjelljeve paraprake të grupeve kriminale atje. Në të kaluarën këto grupe kriminale kanë vra edhe kryetarë të komunave, kandidatë për kryetar dhe kishim për detyrë të sigurohen parakushte. Pasi Lista Serbe me shtetin serb e kanë vra Dimitre Janiviqin në vitin 2014 dhe Oliver Ivanoviqin në vitin 2014. Natyrisht ne nuk jemi naivë, pasi ata nuk e njohin garën politike, strukturat kriminale janë drejtpërdrejtë të Vuçiqit”, deklaron Muja.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Duke folur për reagimet e ashpra ndërkombëtare karshi Kosovës, Muja thotë se të njëjtat nuk do të ndikojnë në prishjen e raporteve të Kosovës me aleatët ndërkombëtar dhe veçmas ShBA-në.

“Ne nuk kemi asnjë problem me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në çdo raport që kemi ne me ShBA-në, e keni pa edhe vet që kemi raporte të shkëlqyeshme dhe dëshira jonë është që të forcohet edhe më tej aleanca e domosdoshme strategjike mes nesh dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çështjet ne i kemi me Serbinë, nuk kemi të bëjmë me ShBA-në duhet të kuptoni këtë gjë. Ne betejën e kemi betejën me grupet kriminale nga Serbia, as me popullsinë lokale nuk e kemi këtë betejë. Përkundrazi ata janë qytetarë të Kosovës që me Kushtetutë e kemi obligim që t’i trajtojmë barabartë dhe t’iu ofrojmë shërbime”, përfundoi ai.

Protestat në veri po vazhdojnë prej ditës së djeshme, ku qindra qytetarë serbë po kundërshtojnë hyrjen në zyrat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht është duke bërë thirrje për depërshkallëzimin e situatës në veri dhe uljen e tensioneve./KosovaPress/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *