KryesoreLajme

Deputetët e rinj të PS-së, si publik me pagesë i Kuvendit

Edi Rama i promovoi me bujë deputetët e rinj në listat e PS-së, me premtimin se keto fytyra të reja do të kishin edhe energjinë që do të zëvendësonte rutinën e vjetër parlamentare.

Por sot, pas disa muajsh në Kuvend, ky premtim tingëllon më shumë si një slogan fushate i harruar sesa si realitet politik.

Deputetët e rinj, të cilët supozohej të sillnin ide, debate dhe peshë politike, janë shndërruar në figurantë të heshtur. Roli i tyre kryesor duket se është të mbushin sallën, të ngrenë kartonat sa herë miratohen ligje dhe mbi të gjitha, të duartrokasin në kohën e duhur.

Duartrokasin  kur flet Rama, duartrokasin kur flasin ministrat e duartrokasin kur flet ndonjë deputet i mazhorancës, duke u kthyer në një publik me pagesë në Kuvendin e Shqipërisë.

Lexo më shumë  Meta pranon se mbylli gabimisht llogari të aktivistëve shqiptarë në Instagram

Asnjë prej tyre nuk ka propozuar një nismë të fortë ligjore, asnjë nuk ka bërë ndonjë debat të fortë e asnjë prej tyre nuk ka patur një qëndrim që të dalë jashtë kornizës së fjalimeve të gatshme.

Edhe në ato pak herë në kanë marrë fjalën, thjesht kanë vijuar propagandën e qeverisë se sa mirë është punuar në Shqipëri, duke iu shmangur realitetit të vendit tonë, ku qytetarët mezi nxjerrin fundin e muajit.

Ndonjë prej tyre, siç është rasti i Zegjine Çaushit, është bërë personazhi kryesor i faqeve të memeve, pasi gafat e saj janë shpërndarë me shpejtësi në rrjet, dhe për fatin e saj të keq, nuk janë të pakta.

Ironia është se këta deputetë u shitën si ndryshimi brenda PS-së, por deri tani kanë qenë garancia më e fortë e vazhdimësisë së vjetër. Kuvendi, që duhej të ishte arena e përplasjes së ideve, për ta është kthyer në një teatër ku roli i tyre është i thjeshtë: ngri kartonin dhe duartrokit.

Lexo më shumë  Eurodeputeti kritikon Von der Leyen dhe Marta Kos për vizitën në Beograd: Po krijon ndjenë të rreme se ky vend është normal

Nëse ky është modeli i rinovimit politik, atëherë problemi nuk është mosha e deputetëve, por funksioni që u është dhënë. Demokracia nuk ka nevojë për duartrokitës profesionistë, por për përfaqësues që flasin për problemet e atyre që i kanë zgjedhur.

Deri kur kjo të ndodhë, deputetët e rinj të PS-së do të vazhdojnë të mbahen mend jo për atë që thonë, por për sa fort dhe sa shpesh duartrokasin. /ditar,al/

YouTube player