Deputetët e rinj të PS-së, si publik me pagesë i Kuvendit
Edi Rama i promovoi me bujë deputetët e rinj në listat e PS-së, me premtimin se keto fytyra të reja do të kishin edhe energjinë që do të zëvendësonte rutinën e vjetër parlamentare.
Por sot, pas disa muajsh në Kuvend, ky premtim tingëllon më shumë si një slogan fushate i harruar sesa si realitet politik.
Deputetët e rinj, të cilët supozohej të sillnin ide, debate dhe peshë politike, janë shndërruar në figurantë të heshtur. Roli i tyre kryesor duket se është të mbushin sallën, të ngrenë kartonat sa herë miratohen ligje dhe mbi të gjitha, të duartrokasin në kohën e duhur.
Duartrokasin kur flet Rama, duartrokasin kur flasin ministrat e duartrokasin kur flet ndonjë deputet i mazhorancës, duke u kthyer në një publik me pagesë në Kuvendin e Shqipërisë.
Asnjë prej tyre nuk ka propozuar një nismë të fortë ligjore, asnjë nuk ka bërë ndonjë debat të fortë e asnjë prej tyre nuk ka patur një qëndrim që të dalë jashtë kornizës së fjalimeve të gatshme.
Edhe në ato pak herë në kanë marrë fjalën, thjesht kanë vijuar propagandën e qeverisë se sa mirë është punuar në Shqipëri, duke iu shmangur realitetit të vendit tonë, ku qytetarët mezi nxjerrin fundin e muajit.
Ndonjë prej tyre, siç është rasti i Zegjine Çaushit, është bërë personazhi kryesor i faqeve të memeve, pasi gafat e saj janë shpërndarë me shpejtësi në rrjet, dhe për fatin e saj të keq, nuk janë të pakta.
Ironia është se këta deputetë u shitën si ndryshimi brenda PS-së, por deri tani kanë qenë garancia më e fortë e vazhdimësisë së vjetër. Kuvendi, që duhej të ishte arena e përplasjes së ideve, për ta është kthyer në një teatër ku roli i tyre është i thjeshtë: ngri kartonin dhe duartrokit.
Nëse ky është modeli i rinovimit politik, atëherë problemi nuk është mosha e deputetëve, por funksioni që u është dhënë. Demokracia nuk ka nevojë për duartrokitës profesionistë, por për përfaqësues që flasin për problemet e atyre që i kanë zgjedhur.
Deri kur kjo të ndodhë, deputetët e rinj të PS-së do të vazhdojnë të mbahen mend jo për atë që thonë, por për sa fort dhe sa shpesh duartrokasin. /ditar,al/
Rruga Press

