Dënohet financieri i Trumpit, shpallet fajtor për mashtrim dhe evazion fiskal
Shefi i financave të kompanisë së ish-presidentit Donald Trump është shpallur fajtor për mashtrim dhe evazion fiskal nga një gjykatë e Nju Jorkut.
Allen Weisselberg, që ka shërbyer si shef i operacioneve financiare të “Trump Organization”, akuzohej për fshehjen e më shumë se 1.7 milionë dollarëve.
Ai pritet të dënohet me 5 muaj në burgun famëkeq “Rajkers Ajllënd” dhe do t’i duhet të kthejë paratë që u detyrohet tatimeve.
Nga ana e tij, Trumpi nuk është akuzuar. Ish-presidenti e ka quajtur hetimin penal të prokurorisë së Manhatanit ndaj kompanisë së pronave të patundshme të familjes së tij një “gjueti shtrigash”.
Çështja lidhet me një skemë 15-vjeçare që sipas prokurorëve ndihmoi drejtuesit e organizatës së Trumpit të shmangnin shlyerjen e taksave mbi përfitimet e korporatës nga shit-blerja dhe dhënia me qira e apartamenteve dhe automjeteve luksoze.
Hetimi synonte të verifikonte nëse Weisselberg dhe drejtues të tjerë kishin marrë përfitime pa i raportuar ato tek institucionet.
Në seancën e mbajtur, 75-vjeçari pranoi përfshirjen e tij në skemën e mashtrimit dhe përfitimet e paligjshme që rridhnin prej saj.
Weisselberg, i konsideruar një nga ortakët më besnikë të Trumpit, punoi për ish-presidentin për rreth 50 vjet. Ai e la detyrën si shef i operacioneve financiare të cilën e mbante që prej 2005-s vitin e kaluar, kur u arrestua.
Edhe kompania e ish-kreut të shtetit është gjithashtu e pandehur në këtë proces, me avokatët e saj që pretendojnë pafajësinë.
Rruga Press