Demokracia në rrezik
Nga Shqipërim Pula
Sulmet e misionarit të posaçëm Grenell ndaj kryeministrit si njësi shtetërore e Republikës, janë metoda të njohura nga KGB-ja sovjetike; sulme për shkatërrim reputacioni ndaj atyre që janë të padëgjueshëm e të pakontrollueshëm, që të sulmohen aq plotësisht sa faktet e tyre, sado të bazuara mirë, të mos konsiderohen asnjëherë valide. Kështu, demokracia na është vënë në rrezik
Parimet universale të demokracisë nuk janë shkelur, të drejtat fundamentale qytetare dhe të pakicave respektohen, sponsorizim apo bashkëpunim me një shtet për terrorizëm nuk kemi bërë, gjenocid apo krime kundër njerëzimit nuk kemi bërë, armë bërthamore apo bashkëpunim me një shtet që ka programe bërthamore nuk kemi bërë, veçse kemi respektuar doktrinat e normuara nga e drejta ndërkombëtare. Pra, secila prej këtyre arsyeve të sipërcekura, janë të garantuara si me Kushtetutën e Amerikës e të njëjtat janë edhe në koherencë me interesat e saj, megjithatë, demokracia e Republikës së Kosovës nga sulmet e Richard Grenellit është vënë në rrezik!
Vlerësuar në historitë politike te shtetet që kanë qenë aleate e në partneritet me Amerikën, nuk na del ndonjë precedent më parë, që të sulmohet kryeministri si njësi shtetërore e të sfidohet një sistem i tërë i Republikës, siç ka ndodhur gjatë një pandemie globale, në pranverën e vitit 2020 si në vendin tonë, nga Richard Grenell. Arsyet retorike e të ripërsëritura, me “antiamerikanizmin”, kushtet për një marrëveshje akomoduese për Serbinë, pazaret në stilin ‘jep që të marrësh’ që ndërlidheshin me asetet ekonomike si Trepça dhe liqeni i Ujmanit (liqeni Trump), apo dhe ideja mbi shkëmbimin/korrigjimin e kufirit; e gjitha, gjoja për një zgjidhje groteske politike me Serbinë. Ai (Grenell) nuk qe i vetëm, natyrisht gjeti akterë politikë të bindur për të zbatuar dëshirën e tij, duke krijuar një lloj paradoksi në demokraci, po ashtu, duke i përdorur sulmet sistematike mediale për prishje koalicioni dhe rrënim institucional përmes rrëzimit të qeverisë. Madje, ai (Grenell), përmes ndërhyrjeve të tij ka përdhosur postulatin kryesor të demokracisë që “qeverisja është e popullit, nga populli dhe për popullin” e etabluar nga ish-presidenti i Amerikës, Abraham Linkoln.
Sërish ai (Grenell) bilbilon pak para zgjedhjeve të 9 Shkurtit, duke tingëlluar si një tautologji, apo ndoshta kuptimi i tij për demokracinë është i ndryshëm, a do të mund ta quajmë demokraci kur misionari me detyra të posaçme kërkon që të përfaqësojë interesat e korporatave dhe jo t’i konsiderojë interesat e Republikës për qytetarët? Meqenëse, ai (Grenell), mishëron konceptin e demokracisë, përmes cicërimave të tij, me tendenca ndikimi në vullnetin e qytetarëve tanë, pse ka heshtur kaq shumë për situatat në Serbi? pra, ai (Grenell), a nuk e kujton se mund ta vërë demokracinë në rrezik duke etiketuar figura politike si jo të dëshiruara?! Apo, nuk do ta kujtojë se demokracia mund të marrë epilog vetëm përmes një procesi demokratik. Ndërlidhur me këtë qasje të tij, Nathalie Loiseau, deputete e Parlamentit Evropian, në cilësinë e shefes së misionit të Unionit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës në konferencë për media mes tjerash deklaroi se, “cicërimat e Richard Grenellit janë ndërhyrje të cilat mund të vlerësohen si diçka jodiplomatike”.
Në hirin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në kontekst të interesave përfituese ekonomike e gjeostrategjike, asnjë sistem politik nuk është më imun, e asnjë lider politik nuk është i paprekshëm nga sulmet, edhe ne, jemi vënë para situatave të mbijetesës politike. Por më tepër se kaq, subjektet politike në vend, janë në një krizë të identitetit të tyre politik, për ndërtimin e kauzës së përbashkët në mbrojtje të Republikës nga akterë të jashtëm, prandaj mjaft aspekte të proceseve politike dhe komunikimit politik në vend, nuk po zhvillohen më nëpërmjet tyre si subjekte politike, por më tepër nëpërmjet formave më të rrjedhshme e kalimtare të veprimit politik të misionarëve të posaçëm. Po ashtu, nëpërmjet lëvizjeve spontane dhe një diskursi tërësisht të pakontrolluar dhe të pavlerësuar të cicërimave në internet.
Sulmet e misionarit të posaçëm Grenell ndaj kryeministrit si njësi shtetërore e Republikës, janë metoda të njohura nga KGB-ja sovjetike; sulme për shkatërrim reputacioni ndaj atyre që janë të padëgjueshëm e të pakontrollueshëm, që të sulmohen aq plotësisht sa faktet e tyre, sado të bazuara mirë, të mos konsiderohen asnjëherë valide. Kështu, demokracia na është vënë në rrezik.
(Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare)
Rruga Press