KryesoreOpinion/Aktualitet

Demanton publicisti nga Tetova, Xhemil Zeqiri: O analisti banalist, o shpifësi i paskrupullt, Vehbi Kajtazi! Librin e Albinit, “Zgjohu” e kam financuar unë në vitin 2007

Në këtë fushatë zgjedhore në Kosovë nuk kishin se si të mos bëheshin pjesë edhe ata që vetëquhen dhe e quajnë njëri-tjetrin analistë, por që më shumë se analizë po bëjnë një fushatë të organizuar të shpifjeve të ulta në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Basti i ish-pushtetarëve dhe “analistëve” të tyre ka qenë që ta portretizojnë kryeministrin Kurti të dështuar dhe të kapur, po aq sa kanë qenë ata që ishin në pushtet para tij. Por të vetmit që kanë dështuar janë fushatat e tyre të shpifjes, përkundër fushatës së kryeministrit Kurti që po paraqet arritjet e qeverisjes së tij, arritje të cilat “shefat” e analistëve që ishin në pushtet nuk do t’i bënin dot edhe nëse do të qëndronin dy jetë në pushtet. Arritjet e tyre janë zhvatja e shtetit të Kosovës dhe dobësimi i subjektivitetit shtetëror, kohë e cila ka përfunduar dhe nuk do të rikthehet kurrë më.

Secili e di shumë mirë betejën e kryeministrit Kurti kundër zhvatësve, jo vetëm kundër atyre që kishin pushtetin politik, por edhe atyre që përmes lidhjeve me figurat e larta të ish-pushtetit morën atë që quhet pushtet ekonomik dhe që quhet ndryshe edhe oligarki.

Së fundmi, në fjalimin e tij në Pejë, kryeministri Kurti foli edhe për kompaninë Devolli, për vëllezërit Blerim dhe Shkëlqim Devolli, të cilëve u kërkoi publikisht që t’ia kthejnë Telekomit të Kosovës 62.6 milionë euro që ia kanë marrë në arbitrazhe të kurdisura.

Pas kësaj “analistët” e ish-pushtetit u angazhuan që të bëjnë shpifjen e radhës, për ta portretizuar përpjekjen e kryeministrit Kurti si një mashtrim apo fasadë.

Në emisionin Rubikon të drejtuar nga Adriatik Kelmendi, që transmetohet në televizionin e Devollëve, në Klan Kosova, Vehbi Kajtazi shpifi publikisht duke thënë se librin e Albin Kurtit “Zgjohu” e ka financuar për botim Blerim Devolli.

Lexo më shumë  Kurti: Të dashur qytetarë të Pejës, fitoren e VETËVENDOSJE!-s nuk ka fuqi që mund ta ndalë

Nuk kemi çfarë t’i analizojmë “analistit” Vehbi, sepse atë dhe të ngjajshmit e tij populli i Kosovës i njeh mirë dhe e di mirë se pse shpifin në atë mënyrë të ulët, por mundemi vetëm t’i paraqesim faktet që mashtimin e Vehbi Kajtazit e nxjerrin në shesh.

Ndër ata që reagoi ishte gazetari Gëzim Mekuli, i cili tha: Nuk kam edhe aq shumë kohë për të humbur. E posaqërisht me shpifjet e dështakëve është edhe turp të merresh, por për shkak të etikës dhe edukatës time familjare për t’i dal zot të drejtës, dua të informoj publikun se ai individ (V.K) dhe aparati i tij antiKosovë po shpif dhe mashtron edhe tek libri shqip.

“Garantoj se librin ‘Zgjohu – për rezistencë drejtë lirisë’ të Albin Kurtit e ka financuar Xhemil Zeqiri, atdhetar dhe publicist nga Tetova, me vendbanim në Danimarkë. Kam qenë i informuar kur ai dërgoi 5000 euro për 1000 eksemplar. Kjo kishte ndodhur në vitin 2007”, shkroi Gëzim Mekuli.

“Ky fakt është i njohur për ata që kishin akses në shtëpinë e VETËVENDOSJE! në Prishtinë, në atë kohë. Ndërkohë, ky individ, propaganduesi V.K., ishte ende fëmijë, ndoshta duke studiuar në Universitetin Partiak të Prisht(inës)”, tha në fund gazetari Mekuli.

Po ashtu, reagoi edhe Ferat Selimi, i cili shkroi: Dëshiroj të bëj të qartë dhe pa asnjë mëdyshje se, pas publikimit të një emisioni në Rubikon me Adriatik Kelmendin, Vehbi Kajtazi ka shpërndarë mes shumë gënjeshtrash edhe këtë; pretendimin se libri Zgjohu i Albin Kurtit është financuar nga Blerim Devolli. Ky pretendim është krejtësisht i pavërtetë dhe një shpifje pa asnjë dëshmi konkrete.

“Më shqetëson fakti se si dikush, në këtë rast një gazetar, i cili duhet të njohë mirë rregullat e etikës profesionale, mund të përhapë gënjeshtra dhe të merret me spekulime pa asnjë fakt. Në gazetari, detyra themelore është informimi i saktë dhe bazimi në prova konkrete, dhe jo në shpifje apo fjalë të pabazuara. Pikërisht për këtë dua të theksoj se z. Xhemil Zeqiri është financuesi i këtij libri, me mjetet e tij vetanake, për të mundësuar botimin dhe daljen në dritë të këtij projekti. Andaj, ju lutem të mos përhapni më dezinformime, sepse me këtë mënyrë nuk arrini asgjë. Çështja nuk është te shuma që është kontribuar, as për të thurur lavdata për z. Xhemil Zeqiri, por theksoj se nuk është aspak profesionale të gënjesh dhe t’ia mohosh kontributin dikujt me shpifje të tilla”, tha Ferat Selimi.

Lexo më shumë  “Shqiptarët i shihni me lupë, për serbët i mbyllni sytë” – aksioni simbolik në Bujanoc ndaj dënimeve të padrejta për shqiptarët

Në përfundim, për ta thënë fjalën e fundit e të vërtetë kundër shpifjes së Vehbi Kajtazit, reagoi vetë Xhemil Zeqiri, ai që në vitin 2007 kishte financuar publikimin e librit të Albin Kurtit “Zgjohu”, që është publicist, atdhetar dhe figurë e njohur nga Tetova, i cili jeton në Danimarkë.

“DEMANTIM: Ndal gënjeshtrat, o analisti banalist, o shpifësi i paskrupullt, Vehbi Kajtazi! Librin e Albinit, “Zgjohu” e kam financuar unë Xhemil Zeqiri me origjinë nga Tetova, jetoj “përkohësisht”, 44 vite në Danimarkë”, shkroi z. Zeqiri.

Fushata e shpifjeve do të vazhdojë edhe më tej, sepse përmes tyre shpifësit po shpresojnë ta dëmtojnë figurën e Albin Kurtit, në mënyrë që ai të mos i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit, por kjo fitore duket e pashmangshme. E vetmja gjë që po ndodh është se shpifësit po e konfirmojnë gjithnjë e më shumë se sa të paskrupullt janë dhe se sa shumë i frikësohen fitores së kryeministrit Kurti, bashkë me ata të tjerët interesat private të të cilëve po mbrojnë. Këto përpjekje të pashpresa dhe të ndyra do të përfundojnë ditën e zgjedhjeve, kur populli i Kosovës do të tregojë me votë se nuk ka më vend për zhvatjen dhe shpifjen.

Rruga Press

YouTube player