Kryesore

Delegacioni i Kosovës merr pjesë në sesionin e janarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, në drejtim të kryesueses Saranda Bogujevci, janë duke marrë pjesë në sesionin e Këshillit të Evropës në Strasburg, që ka nisur të hënën dhe zgjasë deri më 26 janar.

Anëtarët e delegacionit, gjatë qëndrimit në Strasburg, do të angazhohen në punimet e sesionit, takime me grupe politike dhe komitete, si dhe do të zhvillojnë biseda me delegacione të tjera dhe personalitete të rëndësishme.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjithashtu do të qëndrojë në Strasburg për takime me personalitete dhe delegacione të tjera.

Lexo më shumë  “Gjel grek” për festa, importi ul çmimet dhe dëmton fermerët në zonën e Lushnjës

Ai pritet të marrë pjesë në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, ku do të adresohet çështja e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Siç ka njoftuar Kuvendi i Kosovës, në takimin e parë do të paraqitet për konsultim draft-rezoluta për sulmin terrorist të 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës, iniciuar nga deputeti gjerman Knut Abraham dhe të tjerë.

Në këtë kontekst, pritet të diskutohen edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit.

Gjithashtu, do të trajtohen akuzat për torturë sistematike në vendet e paraburgimit në Evropë.

Sesionin do ta karakterizojë edhe debati mbi situatën e fëmijëve të Ukrainës, ku është bërë kërkesa për një debat urgjent.

Presidenti i Republikës së Qipros, presidenti i Malit të Zi, dhe kryeministri i Lihtenshtajnit do të adresohen gjithashtu para Asamblesë.

Liderja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, do të drejtohet Asamblesë gjatë debatit për “Një e ardhme demokratike për Bjellorusinë”.

Në përfundim të sesionit, parlamentarët do të zgjedhin Komisionerin e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut.

Në mes të temave të tjera, do të debatohet edhe roli i OECD-së pas agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës.

Rruga Press

YouTube player