Lajme

Delegacioni i Belgjikës: Kosova duhet të jetë anëtare e asociuar e AP të NATO-s

Kreu i delegacionit belg në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Theo Francken, ka shprehur mbështetjen e Belgjikës për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s si anëtarë asociuar.

Francken dhe delegacioni belg u takuan këtë të enjte me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s më 14 korrik.

Francken ka theksuar se Kosova mund dhe duhet të jetë anëtare e asociuar e Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s, duke e cilësuar këtë si hap të mirë drejt integrimit.

Ai gjithashtu ka vënë në dukje rëndësinë e diskutimit të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor në AP të NATO-s.

“Kosova mund dhe duhet të jetë anëtar i asociuar i Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s, ky do të ishte një hap i mirë i integrimit. AP-ja e NATO-s e ka të rëndëishme ta diskutojnë stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, kjo mbetet prioritet për ne”, ka deklaruar Francken përgjatë një konference për media.

Lexo më shumë  Konjufca takon homologun malazez, flasin për rritje të bashkëpunimit

Kuvendi i Kosovës është pjesë e kësaj Asambleje Parlamentare si “delegacion vëzhgues”, bashkë me vende të tjera si Australia, Egjipti, Japonia, Koreja e Jugut, Kazakistan, Palestina dhe Tunizia.

Ndërsa, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë delegacione anëtare.

Nëse Kosova bëhet anëtare e këtij organi si delegacion i asociuar, ajo do të bashkohet me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën si vende nga rajoni.

Vizita e delegacionit belg vjen në një kohë tensionesh në veri të Kosovës, për shkak të cilave NATO ka dërguar 700 trupa shtesë në Kosovë, nëpërmjet forcave ekzistuese prej 4 mijë trupash.

Lexo më shumë  Kurti nga Barcelona: Koha për unitet të së Majtës përballë sfidave globale

Delegacioni belg ka shprehurmbështetjen e tij për Kosovën gjatë konferencës për media, ndërsa deputeti Driton Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, përfaqësuesi i delegacionit të Kuvendit të Kosovës, falënderoi Belgjikën për përkrahjen e saj.

Hyseni ka thënë se tre deputetët belgë konfirmuan mbështetjen e tyre për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke shprehur dëshirën që Kosova të jetë pjesë e familjes së vlerave evropiane.

Delegacioni belg do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe me kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, dhe Komisionit për Integrim Evropian.

Rruga Press

YouTube player