Deklarata e rëndë e Vuçiqit acaron raportet Serbi-Kroaci, Zagrebi kërcënon me bllokadë në BE
Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “në vitin 1995 kroatët kanë vrarë serbë e jo anasjelltas” ka shkaktuar indinjatë në Kroaci. Për më tepër në Zagreb janë dëgjuar thirrje që gjykatat kroate të ngrenë padi ndaj Vuçiqit për deklaratat luftënxitëse që ka dhënë gjatë luftës në territorin e Kroacisë.
Thirrjet e Bashkimit Evropian që të ketë bashkëpunim në ndjekjen e krimeve të luftës në rajon, si dhe të “evitohen konfliktet rreth juridiksionit gjyqësor” duket se nuk kanë pasur deri tash sukses, së paku në rastin e Serbisë. Në Serbi para disa ditësh është paralajmëruar se do të ngrihet aktakuzë për krime lufte për tre pilotë të ushtrisë kroate, me dyshime se kanë sulmuar një kolonë me refugjatë serbë dhe atë në territorin e Bosnjë- Hercegovinës në vitin 1995.
Kjo ka kthyer në debat çështjen e “juridiksionit universal” që Serbia i ka dhënë vetes me ligjet e saj, duke i mundësuar që të gjykojë rastet e krimeve të luftës që dyshohet se kanë ndodhur edhe jashtë territorit të saj, dhe ndaj njerëzve që nuk janë qytetarë të saj. Kroacia para shumë vjetësh kishte reaguar dhe kishte kërkuar që Serbia të ndryshonte këtë pjesë të ligjit, sepse, dyshonte Zagrebi, ajo përdorej si mjet presioni politik ndaj fqinjëve, nga Kroacia e Bosnjë-Hercegovina e deri në Kosovë. Kërkesa që të ketë bashkëpunim dhe “evitim të konflikteve të juridiksionit” ishte bërë edhe pjesë e kritereve që BE-ja i kishte dhënë Serbisë në kuadër të kapitullit 23, për “të drejtat elementare dhe gjyqësori”.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka thënë se “Kroacia do të mbrojë interesat e saja”, ndërsa presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka bërë thirrje për Beogradin që “të mos bëjë aventura të tilla, sepse do të paguajë çmim të lartë”.
Në Kroaci ka pasur madje edhe thirrje që gjykatat e këtij shteti të ngrenë aktakuzë për nxitje të krimeve të luftës kundër presidentit të tashëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ndonëse tha se ai “për shkaqe taktike nuk do ta bënte këtë”, ka shtuar se “edhe një prokuror jo shumë i zgjuar do të gjente elemente për një akuzë të tillë”.
Kur është pyetur nga gazetarët për këtë, Vuçiqi ka thënë se ai “nuk e ka vrarë askënd” dhe se “dihet se në vitin 1995 kroatët kanë vrarë serbë e jo serbët kroatë”. Kjo ka shkaktuar indinjatë në Kroaci. Presidenti i Kroacisë ka thënë se “nuk është kurrfarë argumenti se Vuçiqi nuk e ka vrarë me dorën e tij askënd, sepse as Hitleri e as Millosheviqi ndoshta me dorën e tyre nuk e kanë vrarë askënd”.
Vuçiqi, gjatë luftës në Kroaci, ka qenë anëtar i Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit. Ai gjatë një vizite në qytetin Glina në Kroaci, që ishte nën kontroll të forcave serbe, kishte bërë thirrje për krijimin e Serbisë së madhe, për të përfshirë territore të Kroacisë.
Madje edhe presidenti i Gjykatës Supreme të Kroacisë, Radovan Dobroniq, ka thënë se “sa i përket juridiksionit nuk ka dyshime, sepse Vuçiqi e ka bërë një deklaratë të tillë në territorin e Kroacisë kundër integritetit territorial të Kroacisë”.
Kroacia ka shumë vërejtje ndaj Serbisë edhe për mungesë të vullnetit për të zbuluar fatin e të pagjeturve nga periudha e luftës. Zagrebi dyshon se Beogradi nuk është i sinqertë në bashkëpunim për zbulimin e fatit të tyre dhe nuk i jep të gjitha informatat që mund t’i ketë.
Sipas të dhënave që ka Komisioni Evropian akoma janë 9.907 të pagjetur nga periudha e luftërave në ish-Jugosllavi. Prej tyre, 6.333 nga konflikti në Bosnjë-Hercegovinë, 1.954 nga lufta në Kroaci dhe 1.620 nga lufta në Kosovë.
Në dokumentet interne të Komisionit Evropian konstatohet se në Serbi nga niveli i lartë politik vazhdohet me glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës, atyre u jepet hapësirë publike dhe rol politik, ndërsa nga niveli i lartë vazhdohet edhe me relativizimin e krimeve të luftës dhe mohimin e gjenocidit në Srebrenicë./koha.net/
Rruga Press