Lajme

DASH refuzon të komentojë mungesën e Kosovës në samit: Janë çështje të brendshme, s’flasim mbi komentet e vendeve që s’do jenë

Kosova është një prej vendeve që nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të organizuar nga SHBAja, një fakt i parë nga opozita si shenjë e mosvlerësimit për qeverinë e Kurtit.

Fakti është argumentuar nga ambasada amerikane në Kosovë, si samit ku u ftua “një grup rajonal e socioekonomik i vendeve e juridiksioneve, që i përfshin demokracitë me themele të mira si dhe demokracitë në shfaqje e sipër me llojshmëri të madhësisë së popullsisë, demografi e vendndodhje”.

Por, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) nuk “komenton çështjet e brendshme pse disa vende nuk janë ftuar”, në Samitin për Demokraci, të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, sipas “Zërit të Amerikës” në gjuhën serbe.

“Presidenti Biden është zotuar të jetë mikpritës i Samitit të Demokracisë për të forcuar angazhimin tonë për pozicionimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në zemër të politikës së jashtme të SHBA-së”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Kjo ngjarje virtuale është planifikuar të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se pjesë e Samitit do të jenë shtetet me demokraci të zhvilluar apo në zhvillim, shoqëria civile dhe sektori privat, pa specifikuar numrin e saktë të të ftuarve.

Lexo më shumë  Daniele Macheda: Shumë e rëndë që Meloni sulmon një investigim gazetaresk

“Do të kërkohet angazhim inovativ dhe i fuqishëm për t’u mbrojtur kundër autoritarizmit, për mënyrat e trajtimit dhe luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit. Samiti për Demokracinë tregon bindjen e thellë të Presidentit Biden se demokracitë duhet të bashkohen, të mësojnë së bashku, të mbështesin njëra-tjetrën dhe të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat më urgjente të botës”, thuhet nga DASHi.

Për momentin, përveç aludimit për numrin përfundimtar të pjesëmarrësve, ende nuk është publikuar një listë zyrtare.

Media amerikane, “Politico” ka njoftuar se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ftuar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, për dallim nga Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

“Ne nuk do të komentojmë mbi opinionet e brendshme se pse disa vende nuk u ftuan”, thuhej në përgjigjen e DASH, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara duan të përfshijnë dhe përfaqësojnë vende të rajoneve të ndryshme dhe karakteristikave socio-ekonomike në Samit.

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, e cila i është dërguar Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil, në të cilën kanë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative. Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, ka deklaruar se jo të gjithë partnerët kanë mundur të ftohen në Samit.

Lexo më shumë  Si e mbështeti projektin e Ajola Xoxës kompania e inceneratorit të Tiranës

Më 9 nëntor, kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Menendez, dhe shtatë senatorë të tjerë, i kanë dërguar një letër Presidentit amerikan, përmes së cilës kanë kërkuar sqarime dhe transparencë në lidhje me kriteret e aplikuara për të vendosur se cilat vende do të ftohen në Samit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se secili ka të drejtë të zgjedhë se kë do të ftojë dhe të vlerësojë demokracitë e njerëzve të tjerë, teksa ka komentuar mosftesën e Serbisë në Samit. Nga Kosova ka reaguar Kryeministri Albin Kurti një ditë më parë, duke u shprehur se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *