Sport

“Cunami” në merkato/ Levandovski-Haaland-Ronaldo, ja efekti domino

Mund të quhet pa dyshim një nga merkatot më të nxehta të historisë, edhe pse shumë pak mendonin se pas pandemisë, do të kishte lëvizje të tilla.

Bota e futbollit po tregon edhe njëherë tjetër se është gjithmonë dhe më shumë tërheqëse, edhe jashtë fushe.

Gjithçka nisi nga Lionel Mesi. Ish-ylli dhe idhulli i Bareclonës i dha fund aventurës së tij me katalanasit duke vendosur të shkojë në Paris. As protestat dhe lotët nuk e ndalën kalimin e “Pleshtit” në kryeqytetin francez që në këtë sezon do të jetë një atraksion i vërtetë për futbolldashësit që përveç monumenteve historike, do të kenë mundësi të shohin dhe yllin argjentinas teksa shkëlqen me “Parc de Prince”.

EFEKTI DOMINO

Largimi i Mesit na tregoi se askush nuk është i paprekshëm dhe se gjithçka mund të lëvizë. Kilië Mbape është një yll që ndihet i tepërt te PSG-ja dhe shumë shpejt mund të detyrojë klubin e tij të pranojë ofertën e Real Madridit për ta lënë të lirë atë. Largimi i Mbapesë do të linte një boshllëk në sulm te francezët, që me sa duket, kanë edhe një plan B. Bëhet fjalë për bomberin e Bajernit, Robert Levandovski, i cili është i pari në listë për të zëvendësuar francezin.

Bajerni, i ndodhur në këtë situatë, nuk do të kërkojë të qëndrojë duarkryq dhe do të hidhej menjëherë në sulm për Erling Halandin. Norvegjezi që luan për Borusian e Dortmundit ka një çmim që mund të paguhet me largimin e Levës. Ngjan si një skenar filmi, ashtu si skenari i Mesit për t’u larguar.

Në fund gjithçka ishte reale. Gjërat mund të lëvizin edhe në aksin Torino-Mançester. Qëndrimi i Herri Kejnit te Totenhemi do të bënte që Pep Guardiola të kthente sytë te Kristiano Ronaldo. Ylli portugez kërkon të largohet nga Juventusi dhe agjenti i tij, Horge Mendesh, ia ka ofruar lojtarin Sitit, ndërkohë që te Juventusi mund të vijë braziliani i Sitit, Huan Zhezus.

Ronaldo do ta pranonte me kënaqësi një sfidë të re në Premier Ligë pasi është bërë një nga kampionatet më të forta në Europë, për shkak të numrit të madh të skuadrave që luajnë për titull.

Një tjetër avantazh është edhe rikthimi i plotë i tifozëve në shkallët e stadiumeve, çka do të garantojë një spektakël të madh për të gjithë protagonistët. Fundi i muajit pritet të rrisë akoma më shumë temperaturat në merkato.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *