Covid-19 gjatë janarit në Shqipëri, infektimet u dyfishuan në krahasim me 2021, vdekshmëria në rënie
Janari është mbyllur më rekord infektimesh dhe riinfektimesh nga koronavirusi. Muaji i parë i 2022 shënoi pikun e pandemisë që nga fillimi i saj. Kjo situatë është shkaktuar nga varianti Omicron, që sipas ekspertëve ka përhapje dhe transmetueshmëri shumë të lartë.
Ndryshe nga një vit më parë, këtë periudhë në qarkullim është edhe varianti “Delta” i koronavirusit si dhe është shfaqur sërish gripi i stinës, çka e bënë këtë dimër edhe më të vështirë.
Mjekët tregojnë se varianti “Omicron” jo vetëm rriti infektimet dhe riinfektimet, por prekur të gjitha moshat.
Referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janari u mbyll me 48 mijë qytetarë të infektuar zyrtarisht, shifër kjo 2.4 herë më e lartë krahasuar me janarin e një viti më parë.
Ndryshe nga një vit më parë, humbjet e jetës ne fillimet e valës “Omicron” janë më të ulëta, rreth 40% me pak se janari 2021. Pozitiv sipas mjekëve është fakti që “Omicron” kalohet më lehtë dhe shifrat e shtrimeve ne spital nuk pësuan rritje pavarësisht infektimeve rekord.
Më shumë se një vit nga nisja e fushatës, niveli i vaksinimit në vend vijon të mbetet shumë poshtë mesatares së shteteve të Rajonit e Europës. Aktualisht në vend janë vaksinuar me doza të para 45,89 për qind e popullsisë, me të dyta pak më shumë se 39 për qind dhe me dozën perforcuese rreth 7 për qind.
Gjatë dy viteve pandemi, Tirana mbetet vatra më e nxehtë e koronavirusit me numrin më të lartë të infektimeve, ndjekur nga qarku i Durrësit, i Fierit dhe Elbasani.