Lajme

Costa sot në Kosovë, takime me krerët institucionalë

Presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë institucionalë dhe me përfaqësues të subjekteve politike.

Sipas agjendës së paralajmëruar, ai do të takohet me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Po ashtu, në fokus të vizitës do të jenë edhe takimet me përfaqësues të partive politike.

Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian vjen në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimi Evropian, ndërsa në qendër të diskutimeve pritet të jenë procesi i integrimit evropian, reformat demokratike, dialogu rajonal dhe perspektiva e zgjerimit të BE-së.

Lexo më shumë  Politico mbi protestat në Shqipëri: Autoritetet shqiptare hetojnë projektin e resortit bregdetar të lidhur me Jared Kushner

Në prag të vizitës, Costa ka theksuar se turneu i tij në rajon synon të dërgojë një mesazh të qartë për angazhimin e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, aktualisht ekziston një momentum i ri në procesin e zgjerimit, por përparimi i secilit vend do të varet nga rezultatet konkrete në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve evropiane.

Pas vizitës në Kosovë, Presidenti i Këshillit Evropian do të marrë pjesë më 5 qershor në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Tivat.

Lexo më shumë  New York Times i bën jehonë protestës për Zvërnecin: Tejkaloi çështjet mjedisore! U kthye në simbol të pakënaqësive politike ndaj qeverisë

Tema e samitit do të jetë “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, ku liderët evropianë dhe ata të rajonit do të diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Vizita e Costës konsiderohet një sinjal i rëndësishëm i vëmendjes së shtuar të Brukselit ndaj rajonit, në një kohë kur integrimi evropian mbetet një nga prioritetet kryesore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

YouTube player