Lajme

Cooper: Nëse s’e pranon Marrëveshjen e Ohrit, Serbisë i mbyllen dyert në BE

Ish-ndërmjetësi britanik në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper e ka akuzuar Serbinë për moszbatimin e Marrëveshjes me Kosovën. Sipas Cooper, Serbia duke e kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit që të jetë pjesë e Kapitullit 35, po mbyll derën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Me këtë qëndrim diplomati britanik në pension reagoi ndaj pretendimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se përfshirja në kornizën e negociatave të dokumenteve të dakorduara mes Kosovës dhe Serbisë në gjysmën e parë të vitit 2023, do të thotë se BE po ia mbyll derën Serbisë, shkruajnë mediat serbe duke u thirrur në një kronikë të Zërit të Amerikës.

Lexo më shumë  Gërvalla niset për në Strasburg, pritet të ketë takime me përfaqësues të shteteve anëtare në Këshillin e Evropës

“Bashkimi Evropian nuk dëshiron të jetë pjesë e problemit, por do që ta zgjidhë atë. Misioni i tij është që të gjithë anëtarët e unionit të kenë një lloj marrëdhënieje, jo normale, por supernormale me fqinjët e tyre”, tha Cooper, i cili ndërmjetësoi dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në periudhën 2011-2012.

Kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim të Serbisë përfshin marrëdhëniet fqinjësore, pra rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Ideja për ta futur Serbinë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që refuzon të njohë pavarësinë e fqinjit të saj dhe ta pranojë atë si një shtet më vete, nuk është në thelb të BE-së. Kjo do të forconte ndarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo që duam është që ato ndarje të zhduken”, ka deklaruar Cooper.

Lexo më shumë  Nisin gërmime arkeologjike në Novobërdë për zbulimin e një qendre të lashtë dardane

Në samitin e liderëve evropianë në fund të javës së ardhshme, Këshilli Evropian duhet të shpallë konkluzionet për zgjerim ku përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Është gjithashtu e nevojshme të theksohet se Serbia aktualisht nuk vepron si një kandidate e besueshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. I mjafton një Viktor Orban. Serbia është një demokraci në formë, por a është ajo në realitet… A janë media të lira dhe a kanë të gjithë akces të barabartë në të… A do ta pasojë një parti tjetër partinë në pushtet në të ardhmen e afërt? Unë do të thosha jo”, thotë Cooper.

Rruga Press

YouTube player