Çmimi i naftës, paralajmëron shoqata e transportit urban: Do shtrenjtojmë biletat
Kreu i shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban për veriun Dashnor Memaj shprehet se nëse qeveria nuk merr masa për çmimin e naftës, ata janë të detyruar që të shtrenjtojnë tarifat e shërbimit. Në një prononcim për OraNews, Memaj tha se kërkon që të paktën qeveria t’i përjashtojë nga taksa e qarkullimit. Ai tha se nevojitet ndërhyrja e qeverisë sa më parë përmes mekanizmave rregullues për ta bërë çmimin e naftës të përballueshëm për sektorin e tyre.
“Një ndryshim i çmimit të naftës reflektohet te kostot e mirëmbajtjes së këtij sektori. Ne nuk kemi kërkuar diçka që s’mund të bëhet ose nuk na takon, ne po kërkojmë çmimin e naftës si sektor ta marrim sa vendet e rajonit. Kemi kërkuar të përjashtohemi nga taksa e qarkullimit, 27 lekë për litër është e padrejtë për ne. Duhet edhe suport tjetër financiar, ulja e pragut të TVSH-së. Janë këto elemente të cilat ne i kemi quajtur shtyllat ekonomike tonat që të kalojmë krizën dhe mos ketë ndikim në rritjen e çmimit të biletës për qytetarët. Në momentin që ne hasemi me një zë të shurdhër, nuk na përgjigjen, automatikisht do kërkojmë rritjen e çmimit të biletës,”- tha Memaj.
Për herë të fundit çmimi i biletës së urbanit ëhstë rritur në vitin 2019, nga 30 shkoi në 40 lekë. Çmimi i naftës është rritur dhe do të vijojë të rritet në vendin tonë. Vetë Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se të paktën 6 muajt e ardhshëm, nafta do të pësojë sërish rritje nga 193 lekë për litër që kushton aktualisht.
Rruga Press