KryesoreLajme

Çfarë rrezikon Narta/ Paralajmërimi i ekspertëve për shkatërrimin e një pasurie kombëtare

Nga biologët te specialistët e mjedisit dhe planifikimit, ekspertët bien dakord se ndërhyrjet në Nartë rrezikojnë një pasuri natyrore që nuk mund të zëvendësohet me asnjë investim ekonomik.

Për Edi Ramën, resorti i planifikuar në Zvërnec është një provë se zhvillimi dhe natyra mund të bashkëjetojnë pa asnjë problem me njëri tjetrin. Për një grup profesorësh universitarë, biologësh, ekologësh dhe ekspertësh të planifikimit territorial, ai është prova e kundërt: shembulli se si po vihet në pikëpyetje vetë kuptimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri.

Ndërsa fliste në një konferencë me gazetarë të huaj, kryeministri Rama u përpoq të rrëzonte akuzat se projekti turistik në zonën Pishë Poro-Nartë përbën kërcënim për mjedisin. Ai foli për rikthimin e flamingove, për zgjerimin e sipërfaqeve të mbrojtura, për moratoriumin e pyjeve dhe për faktin se projekti do të sjellë më shumë gjelbërim sesa ekziston sot.

Rama shtoi se qeveria ka zgjeruar sipërfaqet e mbrojtura në vend. “Ne e gjetëm Shqipërinë me më pak se 15% të zonave të mbrojtura, ndërsa sot kemi rreth 25% zona të mbrojtura”, tha kryeministri.

Por argumenti kryesor i Ramës lidhet me pretendimin se projekti nuk cenon vlerat e mbrojtura të zonës. “Vjosa, Narta, delta e lumit, Vjosa e Parkut është e mbrojtur, është e paprekshme, nuk po preket, nuk do të preket”, deklaroi ai.

“Një nga gjërat që është kusht për projektin është për të pasur më shumë hapësirë gjelbërimi pas, sesa përpara”, tha Rama, duke shtuar se objektivi është “afro 25% më shumë natyrë, gjelbërim e rigjenerim”.

Por a mund të ndërtohet një resort masiv në një zonë të mbrojtur?

Pesë ekspertë të njohur të biologjisë, ekologjisë, konservimit të natyrës dhe planifikimit territorial qëndrojnë në anë tjetër të debatit. Mendimet e tyre janë publikuar në një forum të EkoSkaner.al, nga gazetarja Ola Mitre në kuadër të një materiali të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Ndonëse vijnë nga disiplina të ndryshme dhe analizojnë çështjen nga këndvështrime të ndryshme profesionale, profesorët Mihallaq Qirjo, Aleko Miho, Ferdinand Bego, ekspertja e planifikimit territorial Fiona Imami dhe eksperti i konservimit të natyrës Kristi Bashmili arrijnë në një përfundim të përbashkët: problem është fakti që një zhvillim i tillë po projektohet brenda një prej ekosistemeve më të rëndësishme dhe më të mbrojtura të Shqipërisë.

Për profesor Mihallaq Qirjon, biolog, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe një prej ekspertëve më të njohur shqiptarë për biodiversitetin dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura, përgjigjja është e prerë.

“Investime të tilla nuk duhen kryer në Zvërnec dhe zona të mbrojtura!” shprehet ai.

Qirjo argumenton se Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë i përket Kategorisë V të IUCN, klasifikimi ndërkombëtar që mbron peizazhet e krijuara nga bashkëjetesa afatgjatë mes njeriut dhe natyrës.

Lexo më shumë  Sot nis verifikimi i​ votave me postë të mërgatës së Kosovës

Për ta thënë më thjesht, kjo kategori nuk është krijuar për të pritur qytete turistike të reja apo komplekse masive pushimi, por për të ruajtur karakterin historik, natyror dhe kulturor të territorit.

“Zhvillimi ex-novo i resorteve turistike në shkallë të gjerë në përgjithësi nuk është në përputhje me objektivat e Kategorisë V të IUCN”, thotë ai.

Sipas Qirjos, resortet e mëdha sjellin urbanizim, fragmentim të habitateve, konsum të lartë uji dhe prodhim masiv mbetjesh, duke vendosur interesin komercial mbi ruajtjen e natyrës.

“Resortet e mëdha zakonisht kërkojnë rrafshim dhe tjetersim të mbuleses natyrore te tokës në shkallë të gjerë, konsum të lartë të ujit, gjenerim të madh mbetjesh dhe fragmentim të habitatit” shprehet profesori.

Çfarë rrezikon të humbasë Narta?

Profesori Aleko Miho, një prej emrave më të njohur të biologjisë dhe ekologjisë shqiptare, ndalet tek pasuria konkrete natyrore që ndodhet në këtë territor.

Sipas tij, është e gabuar ta shohësh Nartën thjesht si një lagunë apo një plazh. Ajo përbën në vetvete një nyje ekologjike me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, ku gjenden mbi 35 habitate të mbrojtura nga direktivat europiane dhe mijëra specie bimore e shtazore.

“E gjithë hapësira Pishë Poro – Nartë, prej vitit 2004, e riparë nga VKM 694/2022, është shpallur Peizazh i Mbrojtur”, kujton Miho.

Por sipas tij, vlerat reale të zonës janë edhe më të mëdha se statusi aktual ligjor.

“Për këtë, nuk mundet që gjithë kjo hapësirë me vlerë mbarëkombëtare, dhe ndërkombëtare, ligjërisht e mbrojtur, të jepet për zhvillim projektesh të përmasave të mëdha.”

Argumenti i Mihos është se dëmi nuk kufizohet vetëm tek parcela ku do të ndërtohet resorti. Ndikimi mund të shtrihet tek dunat, laguna, regjimi hidrologjik dhe ekuilibri ekologjik i gjithë deltës së Vjosës.

A mjafton që resorti të quhet “green”?

Për Fiona Imamin, eksperte e qeverisjes territoriale dhe planifikimit pranë Co-PLAN, pyetja që po dominon debatin publik është në vetvete e gabuar. Sipas saj, çështja nuk është nëse resorti do të ndërtohet me standarde mjedisore moderne.

“Problemi kryesor nuk është nëse një resort është ‘green’ apo ‘eco’, apo cilësia mjedisore që pretendohet për projektin, por mënyra se si është marrë vendimi.”

Imami kujton se dokumentet kombëtare të planifikimit të bregdetit e kishin identifikuar Zvërnecin si zonë të orientuar drejt ekoturizmit dhe aktiviteteve me ndikim të ulët në natyrë, jo si territor për zhvillim intensiv. Për të, çështja prek vetë mënyrën se si merret vendimi publik.

“Zonat e mbrojtura nuk janë krijuar sepse duhen shpëtuar nga mungesa e zhvillimit; ato janë krijuar për të ruajtur vlera natyrore që konsiderohen pasuri publike dhe kombëtare.” thotë Imami.

A është i pajtueshëm projekti me standardet europiane?

Profesori Ferdinand Bego, biolog dhe ekspert i ekosistemeve natyrore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, e sheh çështjen edhe nga prizmi i legjislacionit europian.

“Nje qeveri serioze dhe e përgjegjshme nuk do të ndryshonte ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugën ndërtimeve intensive me beton në zonat e mbrojtura”, thotë ai.

Për Begon, ndërtimi në dunat ranore dhe në rripin që ndan lagunën nga deti bie ndesh me filozofinë e Direktivës së Shpendëve dhe Direktivës së Habitateve të Bashkimit Evropian. Për Begon, ndërtimet masive në Nartë duhet të marrin parasysh edhe sfidat sizmike dhe rritjen e nivelit të detit.

“Ndërtimi i resortit turistik në këtë zonë sensitive ekologjike është i pasigurtë nga pikëpamja gjeoteknike përballë sfidave sizmike dhe rritjes së nivelit të detit. Sipas dy direktivave të BE-së, Direktivës së Shpëndëve dhe Direktivës së Habitateve), në dunat ranore dhe në një lagunë me rëndësi ndërkombëtare siç është Narta (IBA, zonë EMERALD dhe kandidate e Natyra 2000) një ndërtim i këtyre përmasave është i papranueshëm” shprehet Bego. 

A rrezikon Narta të humbasë përgjithmonë?

Kristi Bashmili, ekspert i menaxhimit mjedisor dhe konservimit të natyrës, formulon ndoshta paralajmërimin më të drejtpërdrejtë.

“Zonat e mbrojtura në Shqipëri janë pasuri të pazëvendësueshme, të cilat nuk mund të tjetërsohen, nuk mund të urbanizohen masivisht.”

Sipas tij, projekti nuk duhet gjykuar vetëm si një investim turistik, por si një ndërhyrje që mund të ndryshojë përgjithmonë karakterin e zonës.

“Zhvillimi i resorteve të mëdha dhe i zonave urbane me intensitet të lartë ndërtimi, siç paraqiten në propozimet që po qarkullojnë, mund të cilësohet shkatërrues për zonën. Si pasojë e një zhvillimi të tillë, mund të humbasim përgjithmonë një pasuri natyrore të jashtëzakonshme” shprehet ai.

Pavarësisht ndryshimeve në argumentim, të pesë ekspertët mbërrijnë në të njëjtin stacion. Pa u marrë fare me ngjyrën e fasadave, me numrin e pemëve të reja apo për renderat e gjelbra të projektit, shqetësimi i tyre është themelor; nëse ia vlen që në një zonë me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare për biodiversitetin të ngrihet një resort për pushimet e elitës së pasur që ngulmon ta betonizojë pikërisht një zonë të tillë të pazëvëndësueshme për Shqipërinë ./Lapsi.al/

Lexo më shumë  Kur kritika ndalet te Kushneri: Pse artikulli i Lea Ypit shmang përgjegjësinë politike të Ramës
YouTube player