Lajme

Çfarë po ndodh në “5-Maj”?

I. Gjatë periudhës së regjimit të shkuar, në fund të rrugës “5-Maji” u vendosën ndërmarrje industrial si “Ndërmarrja e Materialeve të Ndërtimit”, ndërsa zona përreth ishte e mbushur me sera. Me lëvizjet demografike të viteve nëntëdhjetë, kohë kur qindra-mijëra qytetarë të vendit – të detyruar nga kushtet socio-ekonomike – u zhvendosën drejt qendrave të mëdha urbane duke formuar kësisoj, pak nga pak, lagjen që është sot. Lagja erdhi, si çdo periferi e qendrave urbane, duke u zhvilluar infomalisht, pa planifikim.
Nuk është hera e parë që kjo zonë përfshihet në plane urbane. Për herë të parë haset te planet italiane të viteve dyzetë, për Tiranën, në të cilën parashikohet shtrirja e kryeqyeteti deri në Kodrat e Babrroit. Vite më vonë, gjatë administratës së Bashës, do të përfshihej në planin “Grimshaw”, bashkë me të gjithë gjatësinë e Lumit Tirana, nga Kthesa e Kamzës në Tufinë.
II. Ndërsa plani që po zbatohet sot, e ka origjinën te Vendimi Nr. 78, datë 31.01.2020, kur zona në fjalë shpallet për zhvillim (kujtojmë, nuk përmendet rindërtimi). (1) Pas vetëm pak muajsh, në qershor 2020, publikohen pamjet e para 3D të projektit që po zbatohet, si te faqja e arkitektit Stefano Boeri (2), ashtu edhe nëpër revista arkitekture, si “dezeen” (3), e cila shkon deri aty sa të lavdërojë lagjen, jo vetëm për zhvillimin e lartë teknologjik dhe hapësirat e shumta të gjelbra, por veçanërisht si lagje anti-kovid.
Sidoqoftë, kanë kaluar thuajse dy vjet nga publikimet e pamjeve 3D, por asnjë nga institucionet e linjës, as Bashkia Tiranë, as AKTP, as Ministria e Rindërtimit, nuk e kanë publikuar ende PDV-në e zonës (planin e detyruar vendor) – i detyruar me ligj.

Lexo më shumë  Osmani: Liria e shtypit thelbësore për demokracinë – beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente  


III. Projekti filloi të zbatohej në zemër të zonës, ku përqëndrohet prona e shtetit. Aty punimet kanë avancuar aq shumë sa janë drejt përfundimit thuajse gjysma e objekteve të asaj faze.
Së fundmi, nga tetori i vitit 2021, filloi shembja e shtëpive të para, për t’i hapur rrugë zhvillimit të këtij projekti, pavarësisht se nuk ishin kryer studime në zonë; nuk ishin kryer diskutime publike me banorë dhe ekspertë, as për ndërhyrjen, as për projektin e Boerit; dhe mbi të gjitha nuk ishin njoftuar banorët për vendimet e marra.
Ky projekt prek mbi 300 shtëpi në të cilat jetojnë mbi 1200 banorë, të shpërndarë në afro 30 hektarë tokë. Të gjitha këto po zëvëndësohen me 43 objekte të reja, ndër të cilët nëntë janë kulla (më e vogla 15 katë, më e madhja 30).
IV. Për lirimin e zonës nga banorët dhe shtëpitë e tyre, qeveria ngarkoi Bashkinë Tiranë, e cila përpiloi një akt-marrëveshje, të cilën po ua shpërndan banorëve. Akt-marrëveshja, me disa probleme në përmbajtje, u kundërshtua ashpër nga banorët që ne krye të herës, kohë kur edhe filluan protestat.
Kjo akt-marrëveshje, e cila parashikon kompensim me shkëmbim prone (ekzistuesen për hyrje në pallatet e reja) nuk parashikon vendin dhe kohën ku dhe kur do merret kompensimi, përveç shumë mangësive të tera. Por nuk parasheh as vendin ku do jetojnë këta banorë deri në marrjen në dorëzim të kompensimit, si dhe nuk e garanton atë autmoatikisht me firmosjen e dokumentit. Thjesht u jep banorëve te drejtën të aplikojnë për bonus qiraje, që gjithsesi nuk mjafton për çmimet e kryeqytetit (18 mijë lekë për deri në tre persona në muaj).
V. Deri më 19 janar 2022, Bashkia po ndiqte politikën e presionit për firmosjen e akt-marrëveshjes, por duke filluar nga pardje, nisi të shembë edhe shtëpi pronarët e të cilave nuk janë dakordësuar akoma me shkëmbimin, edhe kur ata janë në proces gjyqësor për mënyrën a masën e shkëmbimit.
Rezistenca e banorëve u shtyp egër të mërkurën nga dhuna e ushtruar nga qindra policë të dërguar për ekzekutimin e urdhrit të shembjeve të parashikuara. Aty ishin dërguar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë madje, si garantorë të zhvillimit të procesit.
VI. Me pak fjalë, ajo që po ndodh sot në “5-Maj” nuk është tjetër veçse një proces i thellë gentrifikimi.
Gentrifikimi është proces transformimi urban që nxitet nga interesa ekonomike të industrisë së ndërtimit dhe tregut imobiliar, gjë që çon në zëvëndësimin e komuniteteve ekzistues (kryesisht të shtresave të varfra, ose të mesme të ulëta) me komunitete të reja shumë më të pasura, përmes dëbimit, duke shkaktuar segregim social mbi baza ekonomike deri në komunitete ekskluzive.
(1) https://openprocurement.al/tenders/other/V78.pdf…
(2) https://www.stefanoboeriarchitetti.net/…/tirana-riverside/
(3) https://www.dezeen.com/…/stefano-boeri-architetti…/

Lexo më shumë  Kurti: BE-ja t’i heqë masat, Kosova e gatshme t’i hapë negociatat drejtë anëtarësimit

Për më shumë ngjarje dhe detaje mbi ndodhitë në lagjen “5-Maj-i” ndiqni faqen në linkun më poshtë.

E drejta mbi Qytetin

Rruga Press

YouTube player