Bota

Çfarë mund të përfshijë pakoja ushtarake 61 miliardë dollarëshe për Ukrainën?

Të martën mbrëma, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar pakon e ndihmës ushtarake prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën. 

Por, çfarë armësh mund të përfshihen në pako dhe çfarë ndryshimi mund të bëjnë ato në përpjekjen për ta frenuar ofensivën ruse?

Armët më urgjente që i nevojiten Ukrainës ndahen në tri kategori: sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe predha artilerie. 
Zmbrapsja e sulmeve ajrore ruse është jetike për mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës, raporton BBC.

Javën e kaluar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri të ditur se vetëm këtë vit, vendi i tij ishte sulmuar nga pothuajse 1,200 raketa ruse, më shumë se 1,500 dronë dhe 8,500 bomba.
Ukraina është furnizuar nga perëndimi me një sërë sistemesh ajrore, duke filluar nga raketat me rreze të shkurtër veprimi, Stinger, e deri në raketat e avancuara, Patriot. Zelensky ka thënë se Ukrainës i duhen edhe të paktën shtatë raketa Patriot të tjera, ose ekuivalenti i tyre. 

Raketat lundruese dhe balistike të Rusisë, duke përfshirë raketat S-300 dhe S-400, së bashku me qindra dronë Shahed-136 të prodhuar nga Irani, janë të vështira për t’u rrëzuar, për shkak se Rusia sulmon me numër të madh të tyre përnjëherësh. 

Lexo më shumë  Edhe një shtet tjetër njeh Palestinën. Sa shtete e njohin pavarësinë e Palestinës

Por edhe lufta në terren është e vështirë. Që nga tetori, Ukraina ka humbur gati 583 kilometra katrorë të territorit të saj lindor ndaj forcave ruse, kryesisht për shkak të mungesës së artilerisë.

Sistemet raketore HIMARS kanë luajtur rol vendimtar për Ukrainën. 

Ukraina ka kryer qindra sulme të suksesshme me HIMARS. Ky sistem kërkon një ekuipazh prej tre personash, përfshirë një shofer, një gjuajtës dhe një komandant, të cilët ulen brenda kabinës së mjetit, derisa raketat lëshohen.

HIMARS-ët janë të blinduar kundër predhave dhe armëve të vogla. Po ashtu janë të lehtë për t’u transportuar me disa avionë.

Arma amerikane mund të lëshojë gjashtë raketa nga familja e predhave “MFOM”, me saktësi të mjaftueshme për të goditur një cak deri në 70 kilometra larg.

Shumë të nevojshme për Ukrainën janë edhe predhat e artilerisë. 

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 2 milionë predha artilerie 155 mm për Howitzers M777 në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022 dhe ka të ngjarë të dërgojnë edhe më shumë me pakon ushtarake të miratuar së fundmi.

Lexo më shumë  Ukrainasit nisin 100 mijë dronë drejt trupave ruse: “Po na djegin, ju lutem na ndihmoni”

Shtetet e Bashkuara kanë atë që e quajnë “rrjet logjistik shumë të fuqishëm” për të dërguar armët në Ukrainë brenda disa ditësh.

Furnizimet ka të ngjarë të jenë zhvendosur më afër Ukrainës dhe pasi të dorëzohen ato zyrtarisht bëhen pronë e Ukrainës.

Por marrja e furnizimeve në vijën e frontit nga ukrainasit, veçanërisht pajisjet e artilerisë, mund të zgjasë me ditë të tëra apo edhe javë, pasi forcat ruse po vazhdojnë të sulmojnë lindjen.

Javën e kaluar, Rusia madje paralajmëroi se do të shtonte intensitetin e sulmeve në qendrat logjistike dhe depot e magazinimit që mbajnë armë perëndimore.

Pjesë e pakos ushtarake pritet të jenë edhe aeroplanët ushtarakë F-16. 

Pilotët dhe personeli ukrainas po vazhdojnë stërvitjet e tyre për përdorimin e aeroplanëve perëndimor F-16, aktualisht në Rumani. Këta aeroplanë ofrojnë aftësi më të forta në përballjen ajër-ajër dhe ajër-tokë, duke përmirësuar kështu mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Moska ka qenë shpërfillëse, duke thënë se aeroplanët F-16-të nuk do të bëjnë shumë ndryshim në fushën e betejës dhe do të rrëzohen nga forcat ruse.

YouTube player