Opinion/Aktualitet

Çfarë i bashkon Sorosin, Grenellin dhe Edi Ramën me Aleksandër Vuçiq?!

Nga Enver Bytyçi

Richard Grenell gjatë një fjalimi në Universitetin e Beogradit u deklarua dje në tri pika sa i përket Kosovës:

1) Tha se pengesë për dialogun Kosovë – Serbi është qeveria Kurti dhe Bashkimi Europian;

2) Kërkoi që KFOR-i të largohet nga Kosova (S’ka çfarë ai bën më aty);

3) Rekomandoi që Serbisë të mos i kërkohet njohja e Kosovës (si kusht për integrimin në BE)!

D.m.th ish-shefi i madh i shërbimeve sekrete amerikane në administratën Trump dhe ish- negociatori midis Thaçit e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës, nuk ka heq dorë nga qëllimet e tij. Me këtë deklaratë ai kërkon t’i hapë rrugën ose rikthimin e sovranitetit të Serbisë në Kosovë, ose ndarjes së saj! Dhe kur kërkon që KFOR-i të largohet nga Kosova, do të thotë se përpiqet t’ia lehtësojë Beogradit realizimin e këtij projekti: O me hatër, o me zor! O me bisedime e marrëveshje, ose me luftë!

Gjithmonë ambasadori Grenell ka qenë në këtë linjë. Por në këtë referim në Beograd ishte më konciz, më i qartë, më i prerë, më i hapur! Jo si në kohët kur përgatiti projektin e marrëveshjes për shkëmbimin e territoreve dhe i nisi dy presidentët, Thaçi e Vuçiqi, për nënshkrim në Uashington! Ndërkohë që pas dështimit thoshte se “Nuk kam parë asnjë projekt të tillë”! Atëherë përpiqej të mashtronte. Ditën e djeshme nga Beogradi e hoqi maskën. Unë e konsideroj këtë një qasje pozitive të tij! Së paku të hiqen maskat. Jo si Edi Rama që 29 ditë e netë rri me Aleksandër Vuçiqin e për t’i mashtruar shqiptarët ditën e 30-të e thotë një fjalë të mirë për Kosovën!

Po pse Grenell është kaq pro-serb? Sepse ai është edhe pro-rus! Sepse në filozofinë e tij politike SHBA duhet të bashkohet me Rusinë kundër Europës! Richard Grenell gjithë inatin e mllefin e ka me Bashkimin Europian dhe me Europën në përgjithësi. Historia e tij anti-europiane është shpalos gjatë viteve që shërbeu si ambasador i SHBA-ve në Gjermani. Ato vite ai mbështeti ekstremin neofashist për t’u konsoliduar.

Mbështeti të gjitha forcat e ekstremit të djathtë e të majtë në Europë, me qëllim shpërbërjen e Bashkimit Europian. Ishte kjo një veprimtari në pajtim të plotë me doktrinën anti-europiane të Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin. Ambasadori Grenell punoi me ngulm për forcimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi. Donte me çdo kusht që të rikthente politikat e vjetra të Luftës së Ftohtë dhe ta detyronte Europën të strukej diku në një qoshe nga frika e hijes së një lufte bërthamore. Kjo lidhje e tij ka shkuar aq larg sa në rastin e sulmeve ushtarake të Kremlinit kundër Ukrainës të marrë anën e presidentit Putin. Ambasadori Grenell ishte nxitësi i tërheqjes së trupave amerikane nga Gjermania dhe kërcënoi se do të tërhiqeshin edhe trupat amerikane nga Kosova gjatë periudhës së qeverisë Kurti 1! Nuk e di çfarë duhet më shumë për të kuptuar faktin se Richard Grenell është anti-europian dhe pro-rus! Duke qenë pro-rus, ai nuk mund të mos jetë edhe pro-serb.

Si rregull do të thosha se kjo aksiomë vlen edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili është pro-serb shumë më tepër sesa i tillë është Grenell, ose së paku po aq sa ai. Deklarata e Grenell në Beograd për të fajësuar Albin Kurtin dhe BE-në, për të arsyetuar të drejtën serbe mbi Kosovën dhe për të implementuar “këtë të drejtë” përmes largimit të KFOR-it nga Kosova, nuk është larg deklaratave të Edi Ramës në mbrojtje të Vuçiq.

Lexo më shumë  Irani po luan me zjarrin

Kryeministri i Shqipërisë e merr gjithnjë në mbrojtje sivëllaun e tij në Beograd. E justifikon atë kur nuk i ve sanksione Rusisë, në solidarizim me SHBA-të dhe BE-në. Nëse dikush e ka parë një video të Aleksandër Dugin, i cili konsiderohet si truri i Vladimir Putin, kupton lehtë dhe qartë se Edi Rama përdor të njëjtën gjuhë në mbrojtje të presidentit të Serbisë dhe justifikimit të tij për qëndrimin pro-rus. Dugin dhe Edi Rama i referohen njëri-tjetrit kur është puna për të justifikuar qëndrimin serb ndaj Moskës në rastin e sulmeve të saj kundër Ukrainës. Të dy kërkojnë të lavdërojnë Beogradin pse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë. Të dy kërkojnë mirëkuptim, duke përmendur traditën historike të marrëdhënieve Rusi-Serbi e kështu me radhë! Ambasadori Grenell është në të njëjtën linjë. Por është interesant se si bashkohen ekstremet.

Sepse mendohet se Goerge Soros dhe interesat e tij financiare janë ndërmjetës në marrëdhëniet e ngushta Rama-Vuçiq. E Grenelli i përket një administrate amerikane anti-Soros. Si është e mundur që të dy palët në kundërshti ekstreme me njëra-tjetrën mbështesin Serbinë dhe lidhjet e ngushta Rama-Vuçiq?! Si është e mundur që Soros nga njëra anë është i shpallur si armik i Putin mbështet aleatin e presidentit rus në Ballkan, Serbinë! Paraja, paraja zotëri! Gjithçka në këtë botë bëhet për para! Paraja i bashkon, por edhe i ndan njerëzit, në rastin konkret edhe ekstremet! Sorosi, Rama dhe Grenelli nuk bëjnë përjashtim! Dhe ku është paraja ikën me vrap e drejta. Duhet të jesh shumë i shpejtë për ta kapur atë!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *