Bota

Çfarë duhet të dini për kryeministrin e ri të Britanisë?

Ish-sekretari britanik i Thesarit, Rishi Sunak, do të bëhet kryeministër i ri i Britanisë.

Ja çfarë duhet të dini për të.

Ai ka fituar në garën e dytë këtë vit

Sunak ka humbur garën e shtatorit kundër kryeministres në shkuarje, Liz Truss. Truss ka dhënë dorëheqje gjashtë javë pas fitores. Në garën e dytë këtë vit, Sunak ka siguruar shpejt mbështetjen e deputetëve. Ai ka mbledhur 100 nënshkrime të deputetëve shumë para skadimit të afatit – duke përfshirë mbështetjen e deputetëve që më parë kanë mbështetur Trussin dhe ish-kryeministrin Boris Johnson.

Ai ka “parashikuar” problemet financiare nën udhëheqësinë e Liz Truss

Ai është përplasur disa herë me Truss-in në garën kundër saj, duke pretenduar se plani i kryeministres për të marrë hua para gjatë krizës me inflacion, tingëllon si “përrallë” që do të shtynte ekonominë drejt kaosit.

Ai është fëmijë imigrantësh

Prindërit e Sunakut kanë shkuar në Mbretëri të Bashkuar, nga lindja e Afrikës, dhe të dy kanë origjinë indiane. Vetë Sunak ka lindur në Sauthhempton më 1980, ku babai i tij ka qenë mjek i përgjithshëm dhe ku nëna e tij ka udhëhequr një barnatore. Ai tani do të jetë kryeministri i parë britaniko-aziatik.

Lexo më shumë  BE dhe NATO zotohen të shtojnë presionin ndaj Rusisë pas ‘përshkallëzimit të ri’ në Gjermani

Ai është deputet vetëm qe shtatë vjet

Sunak është zgjedhur fillimisht deputet më 2015 – për rajonin e Riçmondit dhe Jorkshërit – mirëpo është ngjitur shpejt në karrierë dhe është bërë ministër i Financave – apo kancelar – në shkurt të vitit 2020, kur kryeministër i Britanisë ka qenë Boris Johnson.

Ai ka qenë në krye të reagimit financiar ndaj pandemisë

Si kancelar nën udhëheqësinë e Johnsonit, Sunak ka qenë mbrapa politikave për ofrim të ndihmave në kohën e izolimit të nxitur nga pandemia e koronavirusit, duke përfshirë ato për restorantet.

Ai besohet se është një prej deputetëve më të pasur

Gruaja e tij është Akshata Murthy, vajza e miliarderit indian, Narayana Murthy. Vetë Sunak ka punuar në bankën për investime, Goldman Sachs, si dhe në dy fonde tjera. Revista Sunday Times ka thënë se pasuria e Sunakut kap vlerën e 730 milionë funtave.

Ai është përballur me zhurmë për taksat e gruas së tij

Përgjatë verës ka nisur të flitet se Akshata Murthy nuk i ka paguar taksat në Britani për fitimet e mëdha që ka pasur jashtë shtetit – diçka krejtësisht legale. Sunak e ka mbrojtur gruan e vet duke thënë “të njollosësh gruan time për të më sulmuar mua është diçka e tmerrshme” – mirëpo më në fund ajo është pajtuar për të paguar taksa shtesë. Sunak ka pasur përkohësisht edhe “green card” amerikane, dokument që i mundëson të jetojë përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara.

Lexo më shumë  Norvegjia sekuestron anijen ruse në Arktik, Rusisë i kërkohen 4,22 miliardë dollarë kompensim

Ai ka bërë fushatë për BREXIT

“Portet e lira” janë një prej ideve të tij të preferuara: zona rreth porteve apo aeroporteve ku mallrat mund të importohen apo eksportohen pa paguar taksa, ashtu që të inkurajohet tregtia.

Ai ka ëndërruar të jetë … një Jedi

Më 2016 ai u pati thënë disa nxënësve përgjatë një vizite se, kur ka qenë i vogël ka dëshiruar të jetë si Jedi Knight – karakter filmi – kur të rritet. Filmi i tij i preferuar në seritë Star Wars është The Empire Strikes Back./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *