KryesoreLajme

Çështja e targave, Kurti: S’është hap konstruktiv nga Serbia por manovër për t’i shpëtuar kritikës nga Perëndimi! Kosova vijon reciprocitetin

Tërheqja e Serbisë për çështjen e targave nuk është gjë tjetër veçse manovër për t’i shpëtuar kritikës nga ndërkombëtarët si dhe mënyrë për të forcuar pushtetin e Aleksandër Vuçiçit. Ky ka qenë leximi që i ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendimit nga ana e Beogradit për çështjen e targave.

Deri para dy viteve targat përdoreshin si “plaga” e pashërueshme e Serbisë që rrjedhimisht do të nxiste tensione në veri të vendit. Në mbledhjen e qeverisë, Kurti analizoi vendimin e Serbisë, i cili nga BE u mirëprit si hap konstruktiv.

Sipas Kurtit e në fakt sipas vijimësisë së retorikës nga ana e Serbisë, ky nuk ka qenë një hap konstruktiv për normalizimin e dialogut por një manovër për të zbehur rolin direkt të pushtetit serb në sulmin terrorist në Banjskë si dhe për të fshehur manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të cilat u mbajtën dy javë më parë, për të cilat Serbia është kritikuar nga faktori ndërkombëtar.

Pra, sipas Kurtit vendimet e Serbisë do duhet të analizohen me objektivitet duke iu përshtatur edhe kontekstit politik të brendshëm po ashtu edhe retorikës së përdorur nga Beogradi zyrtar kronologjikisht.

“Më lejoni të shtoj diçka sa i takon vendimit të Serbisë për të pranuar targat zyrtare të Republikës së Kosovës. Ndonëse i shërben dialogut të dy vendeve më lejoni të theksoj se ky vendim vjen pas një moszbatimi më shumë se 10 vjeçar të marrëveshjeve paraprake. Përdorimi 2 vjeçar nga ana e Serbisë për çështjen e targave për të tensionuar situatën, tashmë po përdoret si përpjekje për të ulur kritikat nga ndërkombëtarët pas problematikave të evidentuara në zgjedhjet e mbajtura parlamentare.

Targat në Kosovë, në shtator të 2021-s, përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG 29 të ngritur në qiell përreth kufirit e për të tentuar destabilizim në veri, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave që ishin ngritur rrugëve të komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit të kaluar, kurse në dhjetor sivjet po përdoren për të ulur presionin nga Perëndimi demokratik (BE-SHBA) mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të marrëveshjes bazike të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator. Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë, që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit, mbi bazën e shkronjës dhe frymës së marrëveshjes bazike, është manovër e radhës jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë të Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”, ka thënë Kurti..”- tha Kurti.

Nga ana tjetër Kurti u shpreh se qëndrimi i Kosovës për çështjen e targave është po i njëjtë dhe  do të nisë zbatimi sapo efektivët e policisë së Kosovës do të vërejnë dhe do të raportojnë zbatimin e plotë të këtij vendimi nga ana e Serbisë.

“Ne do të vazhdojmë të jemi pro reciprocitetit. Do ta marrim vendimin tonë sapo policia jonë do të evidentojë se Serbia po e zbaton vendimin e saj.”- tha Kurti.

Kujtojmë se Qeveria e Serbisë u shpreh se nga një janari i vitit të ardhshëm, do të lejojë lëvizjen e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës në territorin e saj. Aktualisht qytetarët e Kosovës që lëvizin nëpër territorin e Serbisë me targa të Kosovës, mbulojnë pjesën ku shkruan RKS me letër ngjitëse.

Lexo më shumë  Kurti: Qeveria, e gatshme t’i adresojë shqetësimet e mediave

Vendimi u publikua nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konference shtypi në Beograd, gjatë se cilës tha se me këtë Serbia po respekton marrëveshjen e arritur në vitin 2011 në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave për serbët e Kosovës.

YouTube player