KryesoreOpinion/Aktualitet

Ç’do të thotë kriminaliteti në veri të Kosovës me simbolin e 4 S-ve

Ministri i Brendshëm i Kosovës publikoi në faqen e tij në facebook një video që paraqet pamje të ambientit ku u gjetën lëndë narkotike nga Policia e Kosovës.

Ministri Sveçla u shpreh se është shkatërruar me sukses laboratori i radhës i substancave narkotike në Zubin Potok, fshati Kovaçi.

Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 6 persona, 5 prej të cilëve të etnisë serbe, dhe një tjetër i etnisë gorane.

Në pamje shihet masa e ekspozuar e drogës së llojit marihuanë, e cila më tej është asgjësuar. Por ka edhe një detaj në video, i cili meriton të trajtohet, për nga domethënia që ky “detaj” paraqet.

Nëse ndalojmë videon në sekondin 43 të videos do vëmë re një simbol të shkruar në mur. Do shohim se në vendin ku kultivohej marihuana është shkruar edhe simboli serb i “4 S-ve”, prej trafikantëve që kujdeseshin për lëndën narkotike.

Ky është një simbol nacional serb, i përdorur shumë shpesh nga këta, si në aspektin shtetëror, si gjatë luftrave me pasojë spastrime etnike dhe gjenocid, ashtu edhe në aspektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe.

Origjina e këtij simboli shkon deri në Mesjetë, dhe kjo origjinë është e dyfishtë. Ajo ngrihet njëkohësisht sa mbi narracionin e kombit serb, aq edhe mbi narracionin fetar. Që të dy narracionet ndërthuren duke ngritur vetëm një të vetëm.

Përmbledhja e këtij narracioni, thënë shkurtimisht, do të dukej kështu: Serbët si komb i favorizuar dhe i përzgjedhur nga Zoti janë njëkohësisht kombi dominues mbi të tjerët. Por, këtë të drejtë hyjnore jo vetëm që e pengon ekzistenca e kombeve të tjerë përreth (sidomos shqiptarët), por për më tepër vetë ekzistenca e popullit serb është e vënë në rrezik.

Historia nuk njeh me të vërtetë ndonjë moment kur populli serb ka qenë ndonjëherë i rrezikuar në ekzistencë, por në narracionin serb ata përshkruhen si të tillë. Sipas këtij narracioni duket sikur gjithë bota (përveç sllavizmit rus dhe bizantizmit grek) punon që ta shuajë kombin serb. Për pasojë, duhet që kombi serb t’i shuajë të tjerët. Në këtë mënyrë ruan ekzistencën e vet, dhe shtrin “botën serbe”, shtrirje e cila prej narracionit serb lexohet si detyrë historike hyjnore.

Në këtë mënyrë është kryqëzuar linja politiko-fetare e Kishës Ortodokse Serbe dhe linja e politikave të spastrimit të shtetit serb. Duhet përmendur se në qendër të këtij narracioni të spastrimit etnik hyjnor është Kosova, e parafytyruar prej serbëve si një lloj Jeruzalemi, pra si vendi ku fillimi (origjina) dhe fundi (qëllimësia finale) ritakohen dhe përmbushen.

Lexo më shumë  Tensione para bashkisë/ Protestuesit heqin gardhin metalik, përplasen me policinë

Gjithë ky tension simbolik përmblidhet në simbolin e katër S-ve, që në serbisht shkruan “Samo sloga Srbina spasava”, e që do të thotë: “Vetëm bashkimi Serbët i shpëton”.

Ky bashkim që thërret për rezistencë ndaj kërcënimit të jashtëm, merr drejtimin e bashkimit të serbëve kudo që janë, e që në gjuhën e sotme të cilën e gjejmë te ministri i brenshëm serb, Vulin, thuhet si “Bota Serbe”. Kjo botë serbe është një shtet i vetëm serb, deri aty ku është serbi i fundit. Edhe sikur serbi i fundit të jetë në Kukës, Kukësi duhet të futet brenda nostalgjisë aspiruese, pushtuese serbe, e kur ky të pushtohet dhe të bëhet Serbi, atëherë një tjetër serb do niset për në Mirditë, që kjo të jetë toka e radhës e premtuar dhe e pushtuar, thënë me gjuhën e narracionit fetaro-politik serb, të kthehet në origjinë, siç ka dashur Zoti.

Vështirë të gjejmë në Evropë një popull që e konsideron veten të përzgjedhur nga Zoti, më shumë se populli serb. Në këtë pikë i tejkalon vetëm populli rus. Vështirë të gjejmë në Evropë një institucion fetar si Kisha Ortodokse Serbe që punon për politikat gjenocidiale të shtetit të vet dhe që “shenjtëron” me ujë të bekuar armët që do vrasin civilë. Në këtë pikë e tejkalon vetëm Kisha Ortodokse Ruse, priftërinjë të së cilës bekojnë raketat e Putinit që biejnë mbi banesat ku janë fëmijët ukrainas. Vështirë të gjejmë në Evropë një shtet që ka bërë më shumë krime lufte se ai i Serbisë në 30 vitet e fundit. Shtet i cili ngren narracionin se gjithë bota është kundër popullit të tij, e që gjenocidin e radhës ta bëjë në emër të popullit të tij dhe mbrojtjes së tij. Në këtë pikë, si zakonisht, e tejkalon vetëm “nëna” Rusi, atje ku këto narracione e gjejnë burimin dhe frymëzimin. E si përfundim, vështirë se gjen në Evropë qytetarë si ata të Serbisë, në emër të të cilëve janë bërë kaq krime, prej të cilëve ata nuk janë distancuar. Kur ushtria serbe dhe paramilitarët serbë bënin krimet e luftës në Bosnjë dhe Kosovë, në Beograd qytetarët serbë bënin protesta në mbështetje të këtij “heroizmi” dhe kundër shteteve perëndimore që dënonin këto akte makabre. Në këtë pikë, qytetarët rusë e treguan veten më të denjë, kur dolën, edhe pse jo masivisht, kundër pushtimit të Putinit në Ukrainë.

Lexo më shumë  Kurti takoi Cameron Alford, sot hyn në fuqi Programi Kompakt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh

Këto katër “S” i shohim nëpër simbolet shtetërore të Serbisë dhe në ato të institucionit të Kishës Ortodokse Serbe, po aq shumë sa i kemi parë nëpër muret e shtëpive të viktimave civile shqiptare dhe boshnjake, të vizatuara nga paramilitarët dhe ushtarët serbë. I kemi parë edhe gjatë luftës së UÇK-së në Maqedoninë e Veriut. Asokohe, pinjollët maqedonas të politikave gjenocidiale të shtetit serb shkruanin masivisht nëpër muret e qyteteve shqiptare simbolin e katër “S-ve”, të shoqëruar me tekstin: Shqiptarët do i shtyjmë deri në Adriatik, aty do i mbysim.

Është me shumë interes që këtë simbol të mbytur me gjak e gjejmë edhe në murin e “shtëpisë së barit”, në veri të Kosovës. Aty kuptojmë shumë mirë se:

  1. Kriminaliteti i strukturave paralele serbe është i lidhur me shtetin serb dhe me simbolikat e tij
  2. Kriminaliteti serb, për dallim nga të tjerët, ka kombësi. Ai kriminalitet kur kryhet mendohet se e shtyn përpara destinin historik serb

Cili është ky destin serb në këtë rast? Është një Kosovë e kriminalizuar, e duke qenë e tillë ajo bëhet e cënueshme në themel, e duke u bërë e tillë, ajo bëhet e ripushtueshme.

Këto struktura kriminale në veri të Kosovës janë kryekëput të lidhura me presidentit serb, Vuçiq. Dhe është në vullnetin e këtij të fundit që strukturat e tij paralele në Kosovë ta gërryejnë shtetësinë dhe funksionimin e Kosovës. Deri vonë, kjo strategji e katër “S-ve” serbe që bashkëjetojnë me kriminalitetin ka funksionuar, në pikën që drejtues të këtyre strukturave si Radojçiqi kanë bërë edhe takime në kryeministrinë e Kosovës, me kryeministrin e atëheshëm Ramush Haradinaj.

Sot, për këta “të dërguar” kriminalë të Vuçiqit jo vetëm që nuk ka vend në kryeministri dhe institucione, por ata janë të shpallur në kërkim dhe po arrestohen dita-ditës.

Kemi parë që Policia e Kosovës po bën aksione kundër krimit të organizuar, shumica prej të cilëve kanë dalë me sukses. Pas një kohe shumë gjatë agonie nga ana shqiptare, “misioni hyjnor” i shtetit serb për të shpërbërë Kosovën dhe shqiptarët po dështon katërcipërisht. Dhe ky është lajm i mirë. Së pari për shqiptarët, e së dyti për vetë serbët të cilët duhet të shpëtojnë nga ky kurth-makth që i kanë ngritur vetes, e që kanë një kohë shumë të gjatë që s’po i shpëtojnë dot.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *