Ç’do të ndodhë me më të varfrit pas rritjes së pagave?
Miratimi i rritjes së pagave nga Kuvendi i Shqipërisë për administratën dhe dyfishimi i saj për presidentin, deputetët e ministrat, mbart më shumë rreziqe ekonomike se ato të etikës dhe moralit.
Pikësëpari, disiplina buxhetore është thyer, pasi është marrë një vendim pa analizuar se cilat fonde do të mbështetin këtë rritje. Vendimi që u miratua dikton buxhetin të paguajë 350 milionë euro shtesë në vit, pa pasur një argumentim se nga cilat para do të mbulohet kjo shumë, dhe tregon se kemi një qeveri dhe parlament të mbushur me aventurierë.
Do të rritim deficitin dhe automatikisht dhe borxhin publik? Po nëse borxhi rritet, atëherë do të shkelim ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor. Ligji detyron që borxhi publik duhet të ulet çdo vit deri kur të arrijnë në 60% të PBB-së.
Atëherë çfarë do të bëjnë? Do të ulin shpenzimet? Operativet nuk i ulin dot, sepse po shtohen për paga. Interesat e borxhit do të paguhen, e po ashtu dhe faturat për energji, shërbime, karburant, ilaçe. Atëherë i bie të ulen investimet publike. Po dhe këtu do të shkelet ligji, sepse deficiti do të jetë më i lartë se shpenzimet kapitale. Pra, do duhet të marrim borxh për paga, pensione dhe interesa borxhi. Kjo nuk lejohet.
Varianti që ka më shumë gjasa të ndodhë është rritja e taksave. Këtu nuk shkelin ndonjë nen specifik të ligjit për menaxhimin e buxhetit, por parimet e tij: parashikueshmërinë dhe disiplinën fiskale në përputhje stabilitetin ekonomik dhe social.
Te kjo pika e stabilitetit, ekspertët e Bashkimit Europian e kanë shkruar shumë bukur parimin e buxhetit: nuk mund të marrësh vendime pa bërë analiza se çfarë efektesh sjell në ekonomi dhe te qytetarët. Nëse pagat për administratën rriten dhe në ekonomi (bashkë me rritjen e pagave në bashki dhe ndërmarrje shtetërore) injektohen 500 milion euro, vitin e ardhshëm inflacioni do të jetë akoma dhe më i lartë.
A e përballon dot një familje me ndihmë ekonomike, një pensionist apo një i papunë rritje të mëtejshme të çmimeve dhe taksave? A mund të bëhet rritja e pagave pa garantuar minimumin jetik për ta? Rritja e pagave bëhet në mënyrë graduale, në ecurinë e normës së inflacionit dhe duke shpërndarë rritjen për të gjithë kategoritë, sidomos ata që preken më shumë. Kjo rritje pagash do të pasurojë deputetët dhe do të varfërojë më shumë të pamundurit. Por askush nuk e vrau mendjen për ta, nxituan se këtë vit kishin zgjedhje!
Marre nga facebook i autores Ola Xama
Rruga Press