Opinion/Aktualitet

“Ca të nënës dhe ca të njerkës”/ Marifeti elektoral i Boratit me rritjen e pagave të mjekëve

Nga Erion Dasho

Marifetit elektoral të Boratit me rritjen e pagave të mjekëve, po i dalin petët një nga një.

Së pari, rritja e pagave me 50 mijë lekë u vlerësua si një hap u parë, por u kritikua për shkak se përfshinte vetëm mjekët specialistë dhe linte jashtë mjekët e familjes të cilët punojnë në të njëjtat kushte privimesh dhe vështirësish.

Për të mos thënë se, nëse ka një kategori mjekësh të cilëve duhet t’u rritet paga, janë pikërisht mjekët e familjes. Pjesa më e madhe e mjekëve specialistë mund të punojë edhe privatisht ose të angazhohet në mësimdhënie duke siguruar një të ardhur të dytë dhe të tretë, ndërsa mjekët e familjes kanë një profesion pak ose aspak të “marketueshëm”.

Mospërfshirja e mjekëve të familjes në rritjen e pagës, provoi paaftësinë e boratëve, si dhe mungesën e njohjes e vlerësimit të situatës së sistemit shëndetësor e nevojave të tij reale.

***

Sikur të mos mjaftonte kjo gafë, rritja e pagave të mjekëve specialistë nuk ka prekur specialistët e shëndetit publik dhe epidemiologët.

Me sa duket, dikush pranë boratëve ka vendosur që të mos njohë shëndetin publik si specialitet dhe kolegët që punojnë aty si specialistë, megjithëse mjekët në ISHP dhe strukturat e tjera kombëtare e rajonale të shëndetit publik kanë konkurruar, kanë fituar të drejtën për specializim dhe kanë studiuar për vite me radhë njëlloj si kirurgët, kardiologët dhe mjekët e tjerë specialistë.

Lexo më shumë  Serbia - deep state: Kultura e dhunës kundër kulturës së paqes

Ngjashëm me mjekët e familjes, edhe specialistët e shëndetit publik kanë një profil jo të marketueshëm. Ata janë specialiteti mjeksor më i varur nga paga dhe privimi i tyre nga rritja prej 50 mijë lekë në muaj është një padrejtësi e rëndë.

Nuk duhet harruar se tre vjet më parë gjatë pandemisë së COVID-it, këta mjekë ishin midis heronjve që përballeshin me “armikun e padukshëm”; ishin ata të cilëve u dërgoheshin lule dhe çokollata sa herë që Boratit i duhej një alibi për të fshehur paaftësinë e ansamblit të vet të klarinetistëve dhe balerinave.

Ishin këta specialistë të shëndetit publik të lënë në mëshirë të fatit, pa teste, pa pajisje mbrojtëse dhe pa automjete që si në romanet e Balzakut apo tregimet e Kafkës, ecnin në këmbë shtëpi më shtëpi për të kryer teste e dokumentuar zinxhirin e transmetimit, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën.

E kam thënë e shkruar më shumë se njëherë.

Fakti që specialistët e shëndetit publik u lanë në baltë nga Borati dhe boratët nuk i heq asnjë presje sakrificës së tyre dhe punës së jashtëzakonshme që ata kryen gjatë pandemisë në përmbushje të misionit të tyre human. Me siguri, pa angazhimin e specialistëve të shëndetit publik, barra e COVID-it do të kishte qënë edhe më e rëndë dhe numri i viktimave edhe më i lartë.

Lexo më shumë  Serbia - deep state: Kultura e dhunës kundër kulturës së paqes

Sot kur pandemia është lënë pas, këta mjekë nuk quhen madje as “specialistë” dhe trajtohen si profesionistë të dorës së dytë.

***

Prej vitesh kuotat e specializimeve për mjekë të familjes dhe specialistë të shëndetit publik kanë mbetur të zbrazëta. Nëse mendësia e boratëve është e tillë që përbuz këta specialistë kaq të nevojshëm për mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës, numri i tyre do të vijë duke u pakësuar gjithmonë e më tepër.

Mungesa e specialistëve të shëndetit publik do të prekë jo vetëm aftësinë për t’ju përgjigjur pandemive në të ardhmen, por do të atrofizojë më tej edhe ato struktura që hartojnë strategji dhe plane zhvillimi, përgatitin politika shëndetësore, monitorojnë shëndetin e popullatës, përcaktuesit e shëndetit dhe faktorët e riskut, si dhe shumë funksione të tjera jetësore për një sistem shëndetësor.

***

Borat!

Mos i nda mjekët në të nënës dhe të njerkës, por bëji të gjithë ata përfitues të barabartë në rritjen e pagës, përmirësimin e kushteve të punës dhe stimujve të tjerë!

Përndryshe masat që merrni ti e ansambli yt i të paaftëve do të mbeten demagogji dhe specialitete me rëndësi jetike për shëndetin e shqiptarëve do të vijnë drejt zhdukjes!

Mos u tall me mjekët, Borat!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *