Ça qejfi, s’ka më fakte!
Shkruan Sebastian Zonja
Libri që na kanë sjellë në dorë botuesit e “Pika pa sipërfaqe” është i një rëndësie të madhe sepse shpjegon lumturinë e të folurit kodra pas bregut.
Për herë të parë në ligjërimin politik termin “post – truth”, që mund ta përkthejmë në shqip “përtej së vërtetës” apo “pas së vërtetës” e solli ish-presidenti Donald Trump. E kishim dëgjuar kudo nëpër tavolina këtë mbrojtjen e vakët, me zhargone të gjetura kuturu, të tipit “kam mendimin tim” apo se “e vërteta ime, e vërteta jote”. Jo se nuk qendrojnë, por kur termi inflacionohet dhe nxënësi në klasë i thotë mësueses se unë kam mendimin tim për filan ushtrim, sikur ka shkuar pak si keq puna. Kështu edhe kjo punë me konspiracionistët, me filozofët e kafeneve, politologët e ekraneve etj.
Autori i librit shkruan se një nga mitet më të rrezikshme që ka kapluar kohën tonë është këmbengulja se ka një humnerë të pakalueshme midis elites intelektuale të “stërarsimuar” dhe “njerëzve të zakonshëm” në “botën reale”.
Problemi është thuajse i dyanshëm. Në një krah kemi “klerikalizimin e dijes”, si një herë e një kohë me Biblën që e interpretonin vetëm priftërinjtë përpara Reformacionit, e në krahun tjetër kemi të gjithë konspiracionistët feisbukistë që vdesin të bashkojnë informacionet e wikipedias me ato të kafes dhe ca trille që kanë mbetur nga rinia e hershme.
Situatë shpërthyese, ku akademikët janë mbyllur në kullën e fildishtë, dhe qytetarëve që s’duan të merren më studime akademike por të shkojnë në punë, Koronavirusin ua shpjegon sanitarja e spitalit, albanologu Sazan Guri apo orëndreqësi i lagjes.
Në vitin 2016 “post-truth” ishte fjala e vitit për fjalorin e Oxfordit. Brexit, Trump, e djathtë fashiste, e majtë komuniste… të gjitha bashkë gjallonin e gjallojnë me ligjërimin e tyre se s’ka rëndësi për fakte, atyre u ka ikur koha, e rëndësishme është si ndihesh.
Prandaj për çdo diktator dhe vendosje diktature, ka më shumë rëndësi se si ndihesh, jo si mendon. Për shembull, frika sjell dikaturë, siç e predikojnë shumë që nuk besojnë te Koronavirusi. Në krahun tjetër, edhe shpjegimi i mjekësisë nga kovaçët sjell diktaturë.
Ja, për shembull, Stalini bëri shef të Balshoit, kur mbaroi lufta, një partizan trim, por që s’kishte lidhje me Teatrin dhe filarmoninë. Ai nuk merrte vesh nga muzika dhe baleti, por për të kursyer Partinë në kohë të vështira shkoi dhe përgjysmoi të gjithë instrumentet. Trekëndëshin e hoqi se i dukej kot. A nuk është diktaturë kjo, kur artisti duhet të dëgjojë atë që s’është i fushës teksa jep mend me kompetencë?
Kemi diktaturën e frikës, diktaturën e akademikëve komplotistë, si duan ta quajnë disa, por kemi edhe diktaturën e budallenjëve, apo jo?
Në mes të gjitha këtyre qëndron ajo që thonë Rilindasit tanë të ndritur – Drita e dijes përpara do të na shpjerë!
Nuk është çudi që sot sheh se racizmi, urrejtja dhe nacionalizmi ekstrem po i marrin frymën logjikës dhe fakteve. E shpjegon mirë Hannah Arendt se sa i ngushtë është kufiri mes të qenit hiper-racional për të ndërtuar realitetin tënd, kriminel si Eichmani për të djegur njerëz të gjallë në kampe përqëndrimi, dhe pasojat e keqinformimit dhe keqleximit.
Në esenë e saj “Gënjeshtra në politikë”, ngjashëm me këtë libër sot, ajo flet për defaktualizimin – zhdukjen e aftësisë për të dalluar faktin nga trillimi – një koncept shumë i afërt me atë që ne sot kuptojmë me post të vërtetën, apo si i themi popullorçe kur duam ta sqarojmë mirë diçka – si kofini pas të vjeli, pas dasme, trim pas lufte, kodra pas bregut.