Importet ushqimore arrijnë rekord, bumi turistik në Shqipëri nuk po ndihmon fermerët
Rritja e vrullshme e turizmit nuk po përkthehet në më shumë të ardhura për fermerët shqiptarë. Përkundrazi, teksa vendi pret gjithnjë e më shumë turistë, tregu po mbështetet gjithnjë e më tepër te produktet e importit, madje edhe për zarzavatet dhe frutat, sektorë ku Shqipëria ka pasur tradicionalisht epërsi prodhuese.
Sipas Monitor, të dhënat e tregtisë së jashtme për pesëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se importet e ushqimeve arritën në mbi 520 mijë tonë, me një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total, në vend kanë hyrë rreth 62 mijë tonë më shumë produkte ushqimore se një vit më parë.
Rritja e konsumit, e nxitur nga fluksi i turistëve dhe kërkesa më e lartë në tregun vendas, po shoqërohet me një zgjerim të importeve në vend që të nxisë prodhimin vendas. Kjo po ndodh pikërisht në periudhën kur bujqësia shqiptare ndodhet në kulmin e sezonit.
Importet e zarzavateve u rritën me 15.3%, duke arritur në 38 mijë tonë, nga 33 mijë tonë një vit më parë. Edhe frutat vijuan të ndjekin të njëjtin trend, me një rritje prej 8.1%, duke kaluar 51 mijë tonë në pesë muajt e parë të vitit.
Varësia nga tregjet e huaja është rritur edhe për mishin, bulmetin dhe drithërat. Importet e mishit dhe të brendshmeve u zgjeruan me rreth 14%, ndërsa ato të bulmetit me 10.7%, duke reflektuar vështirësitë e vazhdueshme të blegtorisë shqiptare. Drithërat shënuan rritjen më të fortë, me 26.3% më shumë se një vit më parë, duke arritur në 171 mijë tonë.
Kjo tablo tregon se turizmi po rrit kërkesën për ushqime, por jo domosdoshmërisht po krijon treg për prodhuesit vendas. Hotelet, restorantet dhe konsumatorët po furnizohen gjithnjë e më shumë nga importet, ndërsa prodhimi vendas po humbet terren edhe në segmentet ku tradicionalisht ka qenë konkurrues.
Në vend që të forcojë lidhjet mes turizmit dhe bujqësisë, rritja e numrit të vizitorëve po shoqërohet me një dalje më të madhe të valutës jashtë vendit. Nëse kjo prirje vazhdon, Shqipëria rrezikon të ndërtojë një ekonomi turizmi që konsumon kryesisht produkte të importuara, duke lënë në hije potencialin e prodhimit vendas.
Rruga Press

