Bullgaria i dërgon notë proteste Shkupit për gjuhën maqedonase
Duket se rruga e Maqedonisë së Veriut deri në finalizimin e procesit të inntegrimit do të jetë e vështirë. Kjo pasi Bullgaria i ka prishur festën Shkupit duke i dërguar një notë proteste pas nisjes së negociatave të anëtarësimit. Sofja zyrtare thotë se përmendja e gjuhës maqedonase në dokumentet e Bashkimit Europian nuk duhet të interpretohet si njohje e saj nga Bullgaria.
Madje pretendon se gjuha maqedonase është bazuar në gjuhën letrare bullgare. Shkupi zyrtar i është përgjigjur duke nënvizuar se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945.
Një gjë të ngjajshme kishte deklaruar pak ditë më parë ish-shefja e diplomacisë bullgare dhe deputetja e partisë GERB, Ekaterina Zaharieva, cila ndër të tjera theksoi se diplomacia bullgare ne raport me çështjen e Maqedonisë së Veriut ka vepruar në mënyrën e duhur dhe nuk ka bërë gabime.
“Nëse do të kishin punuar me një zë, çështja e propozimit francez mund të ishte zgjidhur dy muaj më parë”, tha Zaharieva në deklaratën e saj për “BNT”.
Zaharieva kujtoi se nuk bëhej fjalë për njohjen e gjuhës maqedonase nga Bullgaria, dhe formula gjuhësore tashmë është në deklaratën e vitit 1999, e riafirmuar me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë.
Ky kontest nga Bullgaria do të thotë se gjuha maqedonase nuk do të mund të përfshihet zyrtarisht si një nga gjuhët e njohura në Bashkimin Evropian.
Rruga Press