Brovina: Rusia dhe Serbia me narrativa të ngjashme për të justifikuar veprimet ndaj Ukrainës dhe Kosovës
Narrativat që përdor Rusia ndaj Ukrainës dhe Serbia ndaj Kosovës kanë mjaft ngjashmëri, thotë hulumtuesja e lartë në Institutin Octopus, Bleta Brovina, e cila ka publikuar një punim shkencor ku krahason narrativat që këto dy vende përdorin.
Historia dhe identiteti kombëtar, viktimizimi, dhe legjitimiteti i shtetësisë janë tri narrativat kryesore përmes të cilave ajo shtjellon ngjashmëritë dhe dallimet mes dezinformatave të Rusisë dhe Serbisë.
Në një intervistë për The Geopost, Brovina thekson rëndësinë e vetëdijes për dezinformatat, duke nxjerrë në pah nevojën e informimit të drejtë mbi këto tema.
Intervista e plotë:
The Geopost: Ju keni publikuar një punim shkencor, në të cilin krahason narrativat e pavërtetë ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, a mund të na flisni më shumë se për çka bëhet fjalë?
Brovina: Po, këtë muaj i instituti ynë “Octopus” e ka organizuar dhe konferencën ndërkombëtare, e cila ishte mjaft e suksesshme dhe për herë të parë është prezantuar edhe publikisht ky punim, i cili flet për platformat ekspansioniste, më saktësisht për narrativat jo të vërteta të Rusisë që përdor ndaj Ukrainës dhe narrativat jo të vërteta që Serbia përdor ndaj Kosovës.
Me fillimin e luftës në Ukrainë, vëmendja është tërhequr kah Ukraina, kështu që ka më shumë publikime shkencore, mirëpo ka edhe më shumë vëmendje e për dallim prej viteve të kaluara që për Ukrainën nuk është folur shumë, madje edhe në universitetet perëndimore nuk është se është ditur shumë për Ukrainën dhe qëllimi i këtij punimi ishte që në njëfarë mënyre të bëhet edhe një krahasim me Kosovën, sepse narrativat të cilat i përdor Rusia ndaj Ukrainës dhe Serbia ndaj Kosovës kanë mjaft ngjashmëri, mirëpo kanë edhe disa dallime të vogla, të cilat mund t’i shpjegoj më tutje se cilat janë ato. Kështu që, qëllimi ka qenë që bota akademike, mirëpo edhe publiku të informohet lidhur me këtë krahasim që bëhet tek narrativat e Rusisë ndaj Ukrainës dhe narrativat e Serbisë që përdoren ndaj Kosovës dhe kemi marrë komente shumë të mira, qoftë nga Universiteti i Oksfordit, qoftë nga Universiteti i Pensilvanisë dhe kolegët ndërkombëtarë, të cilët e kanë lexuar punimin që tregon se është e nevojshme që publiku, jo vetëm kosovar, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë të jetë i informuar në lidhje me këto.
The Geopost: Çfarë kanë të përbashkët Ukraina dhe Kosova në këto raste?
Brovina: Unë i kam përmendur në punimin tim 3 narrativat kryesore, është narrativa historike dhe e identitetit kombëtar që përdoret qoftë nga Rusia, qoftë nga Serbia, Rusia e përdor ndaj Ukrainës dhe Serbia e përdor ndaj Kosovës. Është narrativa tjetër, ajo e viktimizimit që të dyja vendet, Rusia dhe Serbia e përdorin këtë narrativë për tu portretizuar karshi qoftë vendeve të veta, popullatës së vet, qoftë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë si viktima, që nuk është vërtetë, është narrativë jo e vërtetë. Dhe është narrativa e tretë, është ajo e legjitimitetit të shtetësisë dhe sovranitetit, të cilat qoftë Rusia, qoftë Serbia e përdorin. Rusia për ta kontestuar sovranitetin dhe shtetësinë e Ukrainës, ndërsa Serbia e përdorur Kosovën, në rastin e Kosovës për ta kontestuar shtetësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj.
Për dallim, këto janë narrativa që janë të përbashkëta, ndaj Kosovës që përdor Serbia dhe ndaj Ukrainës që e përdor Rusia. Mirëpo, për dallim nga Rusia, e cila e përdor religjionin ortodoks ndaj ukrainasve, për ta ndërtuar narrativën e saj se janë një popull me Rusinë dhe komplet, duke injoruar identitetin e vetë unik qe e ka populli Ukrainas, Serbia nuk ka mundur ta bëjë këtë për shkak të religjionit jo të njëjtë që ka popullata serbe në krahasim me popullatën e Kosovës, për këtë arsye ka përdorur një narrativë jo të vërtetë që kinse popullata kosovare ka ardhur nga Shqipëria dhe janë ardhacak.
Këtu është dallimi në mes këtyre të dyjave, sepse ata nuk mundën ta përdorin në këtë rast për shkak të gjuhës dhe kulturës që e ka krejtësisht të ndryshme, edhe religjioni që e ka krejtësisht të ndryshme popullata e Kosovës, Serbia nuk ka mundur ta ndërtojë në mënyrën qysh e ka ndërtuar Rusia në Ukrainë, por ka përdorur një narrativë të pavërtetë tjetër të cilën vazhdon ta përdorë, qoftë për qëllime të brendshme, qoftë për kohezion politik, qoftë për rritjen e nacionalizmit në Serbi, por edhe për të fituar përkrahje, qoftë nga partnerët tonë ndërkombëtarë, të cilët po na ndihmojnë mjaft që Kosova të ecë përpara drejt rrugës së vet evropiane. Kështu që ne duhet të kemi kujdes që këto narrativa t’i studiojmë dhe popullata qoftë të brendshme, qoftë rajonale, qoftë evropiane dhe më gjerë, të njoftohet lidhur me to.
The Geopost: Cila është rëndësia e këtyre punimeve që keni bërë dhe çfarë mesazhi keni dashur të dërgoni?
Brovina: Këto punime janë shumë të rëndësishme, siç thashë më herët, qoftë nga universitetet prestigjioze, nuk është se kanë pasur njohuri, sidomos kur fokusi është më i madh tani në Ukrainë, Kosova nuk e ka më fokusin sikur në vitin 1999, por me këtë punim kam vërejtur që është rritur vëmendja dhe interesimi për Kosovën dhe ne të dy popujt, qoftë ukrainas, qoftë kosovarët, jemi popull liridashës, të orientuar drejtë Evropës, drejt integrimeve evropiane, kështu që është shumë e rëndësishme që njerëzit të informohen lidhur me këto. Unë jam duke punuar edhe në një analizë tjetër për luftën hibride që Rusia është duke zhvilluar përmes zgjedhjeve në vendet e veta fqinje, e këtu duhet të përmendim për shembull, proceset zgjedhore në Moldavi dhe Gjeorgji, kështu që edhe në Kosovë nuk jemi shumë larg zgjedhjeve, kështu që këto duhet të kemi parasysh përmes kësaj analize, të cilën besoj se edhe në të ardhmen ne do të kemi mundësi prapë të bisedojmë së bashku.
Është e rëndësishme që të informohet popullata dhe të sensibilizohet gjendja, se lufta në Ukrainë nuk është luftë vetëm e Ukrainasve është luftë e të gjithë neve është luftë e vlerave evropiane, është luftë të cilën duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, qoftë ne, qoftë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të dalim fitimtarë. Për këtë arsye edhe këto tema janë të natyrës vitale për mbrojtjen e vlerave tona liridashëse e liberale dhe evropiane. /TheGeopost/
Rruga Press