Britania zyrtarizon evakuimin e disa fëmijëve nga Gaza për trajtim mjekësor
Më shumë se 100 fëmijë të plagosur dhe të sëmurë rëndë në Gaza pritet të evakuohen në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë trajtim në spitalet e NHS-së, sipas një skeme të re të njoftuar nga qeveria britanike.
Skema humanitare, e cila do të shpallet zyrtarisht brenda pak javësh, synon të ofrojë ndihmë emergjente për fëmijët në nevojë, në një kohë kur situata në Gaza po përkeqësohet nga uria, mungesa e ndihmës dhe ndërprerjet në kujdesin shëndetësor.
Ndërsa aktivistët e mirëpritën këtë njoftim, ata i kërkuan qeverisë britanike të veprojë me shpejtësi, duke thënë se disa fëmijë që prisnin kujdes mjekësor kanë vdekur gjatë pritjes ose janë detyruar të evakuohen në vende të tjera.
“Më parë kemi pasur fëmijë në listë, por për shkak se miratimi zgjat shumë, disa prej tyre kanë përfunduar duke vdekur,” tha Omar Din, bashkëthemelues i Projektit Pure Hope (PPH) dhe ekzekutiv i kujdesit shëndetësor në sistemin parësor të NHS-së.
Duke përmendur shembujt e shteteve të tjera si SHBA, vendet evropiane dhe ato fqinje si Egjipti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat, sipas OBSH-së, kishin evakuuar mbi 7.000 pacientë deri në prill, Din theksoi se qeveria britanike duhet të ndihmojë në përpjesëtim me atë që kanë bërë homologët tanë.
Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për t’u ofruar si vend pritës vjen në një kohë kur uria dhe zia e bukës, të shkaktuara nga bllokada e ndihmës së Izraelit, po përhapen në Gaza.
OBSH ka vlerësuar se deri në 12.500 pacientë në Gaza kanë nevojë për evakuim mjekësor, ndërsa organizatat humanitare i kanë bërë thirrje më shumë vendeve që të ndihmojnë.
Organizatat bamirëse shpresojnë që rreth 100 fëmijë nga listat e tyre ekzistuese do të lejohen të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me një kujdestar dhe, në disa raste, edhe me vëllezër ose motra.
PPH ka njoftuar qeverinë se ka mes 30 dhe 50 fëmijë që duhet të transferohen në MB, ndërsa organizata tjetër, Children Not Numbers (CNN), ka identifikuar 60 fëmijë në gjendje kritike që kërkojnë evakuim urgjent nga Gaza.
Një nga fëmijët që po ndihmohej nga organizata kishte djegie të shkallës së katërt në 40% të trupit. Por për shkak të vonesave nga autoritetet britanike, fëmija përfundoi duke u dërguar në Itali në qershor, së bashku me një fëmijë tjetër njëvjeçar, i cili vuante nga një sëmundje kongjenitale.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme deklaroi se është krijuar një grup pune ndërqeveritar për të zbatuar sa më shpejt skemën e re.
“Po ecim përpara me planet për të evakuuar më shumë fëmijë nga Gaza që kanë nevojë për kujdes mjekësor urgjent, përfshirë sjelljen e tyre në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim specialist, kur kjo është zgjidhja më e mirë për shëndetin e tyre,” thuhet në deklaratë.
Rruga Press

