BallinaLajme

Britania pritet të miratojë vaksinën AstraZeneca

Shefi ekzekutiv i AstraZenekës, Pascal Soriot tha për gazetën “Sunday Times” se kompania e ka “zbuluar formulën fituese që e rrit efektshmërinë pas dy dozave deri afër nivelit që kanë treguar vaksinat e tjera”.

Autoritetet britanike pritet të miratojnë vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca këtë javë dhe kreu i kompanisë tha se ajo do të jetë po aq efektive kundër virusit sa vaksinat e kompanive Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Shefi ekzekutiv i AstraZenekës, Pascal Soriot tha për gazetën “Sunday Times” se kompania e ka “zbuluar formulën fituese që e rrit efektshmërinë pas dy dozave deri afër nivelit që kanë treguar vaksinat e tjera”.

Ai shtoi se ai beson se vaksina e kompanisë së tij do të jetë gjithashtu efektive kundër variantit të ri të virusit, i cili është më ngjitës dhe po shkakton shqetësim në të gjithë botën.

Nëse miratohet, vaksina e kompanisë AstraZeneca do të bëhet vaksina e pestë që do të përdoret në luftën kundër koronavirusit. Testet e hershme treguan se vaksina ishte 70 përqind efektive në parandalimin e sëmundjes, krahasuar me nivelin e efektshmërisë prej 95 përqind të raportuar nga Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech. Rusia dhe Kina gjithashtu kanë vaksinat e tyre.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Vaksina e fundit në horizont vjen ndërsa numri i infeksioneve me Covid-19 në botë arriti në 80.8 milionë, ndërsa ai i vdekjeve në 1.7 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Në Shtetet e Bashkuara, 19 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19 dhe më shumë se 333,000 njërëz të tjerë kanë vdekur nga kjo sëmundje.

Seuli zgjat masën e ndalimit të fluturimeve nga Britania

Koreja e Jugut njoftoi të hënën se do të zgjasë masën e ndalimit të fluturimeve direkte nga Britania deri më 7 janar pasi tre persona që sapo kishin hyrë në vend rezultuan pozitiv me variantin e ri të COVID-19 që u identifikua për herë të parë në Britani.

Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në Korenë e Jugut tha se tre personat kishin arritur në vend më 22 dhjetor pas një fluturimi nga Londra, duke i bërë ato rastet e para të njohura me variantin e ri të koronavirusit në Korenë e Jugut.

Japonia, e cila raportoi rastin e saj të parë të këtij lloji të Covid-19, ndaloi hyrjen e të gjithë të huajve jo-rezidentë në vend nga mesnata e së hënës deri në fund të janarit.

Duke filluar nga e hëna, autoritetet amerikane thanë se udhëtarët që vijnë nga Britania duhet të kenë rezultate negative nga testet për koronavirus 72 orë para nisjes.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Ndërkohë, pandemia ka detyruar autoritetet në Australi që të ndalojnë pjesëmarrjen e njerëzve në festimet më ikonike të Vitit të Ri në botë.

Kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian njoftoi të hënën se Porti i Sidneit do të jetë i mbyllur për publikun të enjten në mbrëmje, në prag të Vitit të Ri, për të frenuar përhapjen e sëmundjes në lagjen e Plazhit Verior të qytetit. 125 persona në atë lagje janë infektuar me COVID-19 që nga mesi i dhjetorit, duke përfshirë pesë raste të reja të regjistruara të hënën.

Kremtimi vjetor i Vitit të Ri përfshin një shfaqje fishekzjarresh spektakolare që ndriçon qiellin mbi Shtëpinë e famshme të Operas në Sidnei. Të paktën 1 milion njerëz zakonisht janë të pranishëm gjatë shfaqjes, por Kryeministrja Berejiklian tha se mënyra më e sigurt për banorët e Sidneit për të parë shfaqjen e fishekzjarreve është nga shtëpia, në televizion.

Marrë nga VOA

Rruga Press

YouTube player