Britania e Madhe vendos sanksione ndaj kompanisë që organizoi festimet e Dodikut për Ditën e “Republika Srpska”
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka aplikuar regjimin e sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar për Bosnjë dhe Hercegovinën ndaj një kompanie boshnjake të përfshirë në cenimin e Kushtetutës së këtij vendi.
Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Julian Reilly, shkruajnë mediat boshnjake.
“Agjencia e marketingut Mania përfitoi ndjeshëm duke organizuar dhe promovuar festimin antikushtetues të 9 janarit. Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës vendosi në 2015 dhe përsëri në 2019, se zgjedhja e 9 janarit për të festuar Ditën e Republikës Srpska është antikushtetuese dhe diskriminuese, sepse vendos një pozitë të privilegjuar të një bashkësie etnike ndaj të tjerëve. Duke vepruar në kundërshtim me këto vendime, Mania minoi sundimin e ligjit, nxiti ndarjen dhe frikën”.
Ndryshe, siç thuhet më tej, regjimi i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar mundëson sanksionimin e atyre që minojnë ose kërcënojnë sovranitetin, integritetin territorial, prosperitetin ndërkombëtar ose rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës.
“Mbretëria e Bashkuar nuk e mori lehtë këtë vendim. Por siç e kemi thënë vazhdimisht, duhet të ketë pasoja për ata, politikanët apo kompanitë, të cilët minojnë paqen që u sigurua me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.
Data e “Ditës së Republikës Srpska” shënon shpalljen e njëanshme të pavarësisë të bërë nga udhëheqësit serbë të Bosnjës në vitin 1992, e cila i parapriu luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ngjarja është përdorur në vitet e mëparshme nga presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik dhe figura të tjera si një mjet për të promovuar retorikën secesioniste në kundërshtim me kushtetutën e vendit, për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës dhe për të lavdëruar kriminelët e luftës të dënuar për krime kundër njerëzimit.
Dodik u sanksionua nga Britania e Madhe në prill 2022, së bashku me kolegen e saj politikane Zeljka Cvijanoviç, për përdorimin e pozitave të tyre të autoritetit për të nxitur shkëputjen de facto të Republikës Srpska dhe për përdorimin e gjuhës së urrejtjes për të nxitur tensionet etnike.
Republika Srpska është një nga dy entitetet e Bosnjës dhe Hercegovinës të krijuar nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e cila i dha fund armiqësive në nëntor 1995 pas luftës në Bosnje.
Rruga Press