Britania do të vendosë sanksione kundër ministrave izraelitë Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich
Britania dhe aleatët e saj do të vendosin zyrtarisht sanksione ndaj ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, për qëndrimin e tyre ndaj luftës në Rripin e Gazës.
Londra do të ndjekë lëvizjen e Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re dhe vendeve të tjera duke ngrirë asetet dhe duke vendosur ndalime udhëtimi për Ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Ben Gvir dhe Ministrin e Financave, Smotrich.
Britania, ashtu si vendet e tjera evropiane, ka shtuar presionin mbi qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për t’i dhënë fund bllokadës së vendosur nga qeveria izraelite ndaj ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, i cili është në prag të urisë, sipas ekspertëve ndërkombëtarë.
Muajin e kaluar, Londra pezulloi negociatat e tregtisë së lirë me Izraelin, duke akuzuar qeverinë izraelite për politikat e saj skandaloze në Bregun Perëndimor dhe Gazën e pushtuar.
Ministria e jashtme britanike madje thirri ambasadorin izraelit dhe njoftoi sanksione të mëtejshme kundër kolonëve të Bregut Perëndimor.
Ministri i Jashtëm David Lamy, i cili e quajti përshkallëzimin e ofensivës izraelite në javët e fundit “një fazë të re të errët në këtë konflikt”, më parë i ka dënuar deklaratat e Smotrich-ut në lidhje me pastrimin dhe shkatërrimin e mundshëm të Gazës dhe zhvendosjen e banorëve të saj në vende të treta.
Rruga Press