Britania akuzon Rusinë për vjedhje të dhënash: Kanë shumë vite që na hakojnë informacione për politikanë dhe zyrtarë! Kremlini e mohon
Mbretëria e Bashkuar ka akuzuar Rusinë se ka ndërhyrë përmes sulmeve kibernetike prej vitesh në Britaninë e Madhe duke synuar zbulimin e të dhënave sensitive të politikanëve por edhe zyrtarëve të tjerë. Përmes një deklarate, qeveria konservatore në Britani bëri me dije se një grup hakerash të inteligjencës rusekanë vjedhur disa të dhëna mjaft delikate përmes sulmeve kibernetike që më vonë u bënë publike, duke përfshirë materiale të lidhura me zgjedhjet e vitit 2019 në Mbretëri të Bashkuar.
Rusia ka mohuar vazhdimisht pretendimet se është e përfshirë në aktivitete të tilla.
Sekretari i Jashtëm David Cameron tha se veprimet e grupit ishin “plotësisht të papranueshme”.
“Megjithë përpjekjet e tyre të përsëritura, ata kanë dështuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me aleatët tanë për të ekspozuar veprimtarinë e fshehtë kibernetike ruse dhe për të kërkuar llogari nga Rusia për veprimet e saj,” tha ish-kryeministri.
Ambasadori rus nuk ishte i disponueshëm pasi u thirr të mërkurën, por zyrtarët në vend të kësaj u takuan me zëvendës shefin e misionit të Ambasadës Ruse dhe shprehën shqetësimin e thellë të Mbretërisë së Bashkuar për sulmet e supozuara kibernetike.
Grupi akuzohet për kryerjen e qindra hakimeve të shënjestruara kundër politikanëve, nëpunësve civilë, atyre që punojnë për grupet e mendimit, gazetarëve, akademikëve dhe të tjerëve në jetën publike. Këto kryesisht synonin emailet private të individëve pas kërkimeve të gjera dhe krijimit të llogarive false që imitonin kontaktet e tyre të besuara.
Në mesin e atyre që u vunë në shënjestër ishte një deputet i cili i tha BBC-së në shkurt se emailet e tij ishin vjedhur.
Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) është agjencia pasardhëse e KGB-së, e cila operoi gjatë gjithë Luftës së Ftohtë.
Presidenti rus Vladimir Putin ishte drejtor i FSB-së për një periudhë në vitet 1990.
Grupi i lidhur me FSB-në – dhe konkretisht pjesa e saj e njohur si Qendra 18 – ka synuar Mbretërinë e Bashkuar duke vjedhur informacione nga ata në jetën politike dhe publike që të paktën që nga viti 2015, besohet.
SHBA pritet gjithashtu të njoftojë veprime kundër grupit.
“Rusia po synon procesin demokratik të Mbretërisë së Bashkuar”, thanë zyrtarët perëndimorë.
Akuza publike e sotme synon të prishë punën e hakerave dhe të rrisë ndërgjegjësimin përpara zgjedhjeve të mëdha në mbarë botën vitin e ardhshëm.