Lajme

BQK tregon për efektet e luftës kundër dukurisë së parave të falsifikuara

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës tha se me një sërë masash dhe aktivitetesh po vazhdon luftiën kundër dukurisë se parave të falsifikuara. Sipas BQK-së falsifikimi i parasë paraqet rrezik dhe brengë për të gjitha vendet pa përjashtim.

Me qëllim të ruajtjes së integritetit të parasë në qarkullim, lufta kundër kësaj dukurie është një aktivitet i përditshëm i të gjitha institucioneve përgjegjëse pa përjashtuar këtu edhe publikun e gjerë, njofton e BQK.

“Në fund të vitit 2023, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka koordinuar me sukses takime ndër-institucionale për të hartuar dhe zbatuar strategji efektive për luftimin e qarkullimit të monedhave të falsifikuara, veçanërisht monedhave 2 euro. Përmes masave të qarta dhe veprimeve të koordinuara, si heqja e tarifave për deponimin e monedhave, sigurimi i furnizimit të ekonomisë me monedha të reja përmes bankave komerciale dhe ndryshimet rregullative të transportit ndërkufitar të monedhave është arritur të tërhiqen nga qarkullimi sasi e konsiderueshme e monedhave të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

Sipas BQK-së nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth dy milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro, monedha këto të deponuara nga bizneset dhe qytetarët në bankat komerciale.

Po ashtu, BQK-ja dhe bankat komerciale kanë detektuar dhe parandaluar hyrjen në sistemin financiar, duke i tërhequr nga qarkullimi rreth 47,168 copë monedha të denominimeve prej 2 euro, të dyshuara si të falsifikuara.

Lexo më shumë  Rama nuk di ku të çojë paratë/ Sufiçiti i buxhetit arrin në mbi 720 milionë euro

“BQK-ja ka furnizuar ekonominë e Republikës së Kosovës përmes bankave komerciale me afër 6.75 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar. Ky angazhim ka kontribuar në zvogëlimin e qarkullimit të monedhave false, ka lehtësuar identifikimin dhe ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje”, thuhet tutje në njoftimin e BQK-së.

Në zbatim të masave rregullative, përmes Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, sa i përket rregullimit të transportit ndërkufitar të monedhave me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi, pavarësisht që vlera e tyre është nën kufirin e deklarimit prej 10,000 (dhjetëmijë) euro.

“Gjithashtu, si rezultat i masave përkatëse, deri më tani numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 230,000 (dyqind e tridhjetë mijë) copë/njësi apo mbi 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë) milionë euro. Ky veprim, përveç që ka ndikuar aspektin e reduktimit të rrezikut të parave të falsifikuara, ka kontribuar dhe ndihmuar në strategjinë përkatëse kundër informalitetit dhe dukurive të ndërlidhura”, njofton BQK.

BQK, thotë se vazhdon të nxitë qytetarët dhe bizneset të deponojnë monedhat e tyre në bankat komerciale pa kosto dhe çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatoret ta raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Po ashtu, bizneset nxiten që të furnizohen me monedha vetëm përmes bankave komerciale dhe te shmangin kanalet jozyrtare.

Lexo më shumë  Kurti: Arianit Besiri në moshën njëvjeçare u detyrua të largohet nga Kosova, sot është kryetar i komunës Morbach në Gjermani

Prandaj, BQK ripërsërit qëndrimin dhe rekomandon që:

– Të shmanget sa më shumë përdorimi i parasë së gatshme në blerje dhe të zëvendësohet me pagesa elektronike dhe kartelave bankare;

– Të tregohet vëmendje e veçantë ndaj monedhave të pranuara;

– Bankat dhe institucionet financiare jobankare të promovojnë pagesat elektronike dhe shtrijnë rrjetin e pajisjeve për pagesa me kartela bankare;

– Bizneset të cilat pranojnë para të gatshme të shtojnë përpjekjet e tyre duke investuar në teknologjitë që bëjnë detektimin e parave të falsifikuara dhe lëvizin drejt reduktimit të parasë së gatshme si mjet pagese; dhe

– Qytetarët në bazë të ligjit të raportojnë te autoritetet përgjegjëse (Policia e Kosovës) çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatorët.

BQK, përmes këtij njoftimi thotë se rikonfirmon angazhimin e saj të plotë për të mbështetur çdo përpjekje për të luftuar kundër parave të falsifikuara dhe nxit vazhdimin e masave parandaluese dhe edukative. Gjithashtu, shpreh mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që kanë kontribuar dhe ndihmuar në këto aktivitete të luftës ndaj këtij fenomeni, krahas institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe bashkëpunuese në këto përpjekje, që me gjithë rezultatet pozitive, duhet te vazhdojnë dhe janë sfida të përhershme.

Rruga Press

YouTube player