Opinion/Aktualitet

Bota serbe

Nga Flaka Surroi

Rama foli edhe në emër të kombit. Tha se këtë po e bënte për kombin, porse kombin nuk e pyeti fare nëse po ky komb donte që ky të merrej me ajkën juridike për një pjesë të kombit. Por, Rama e ka edhe një copëz kombi në Luginë – më mirë ta kishte shkruar në draftstatut për luginasit. Fundja, ky do të duhej të ishte roli i tij i vërtetë: i mbrojtësit të interesave të kombit para dostit të tij, Vuçiqit. Por jo, u mor me draftstatutin për një copë territori të Kosovës, pa e pyetur askënd në Kosovë. Apo ndoshta edhe e ka pyetur ndonjë këshilltar tijin që i ka thënë se kështu duhet

Të enjten u përurua libri i Azem Vllasit, “Populli që shkroi historinë”, një përshkrim në vetën e parë të protagonistit dhe dëshmitarit të ngjarjeve që shënuan kthesë të madhe në Kosovë, më 1988–1989.

Në një formë shumë të thukët, Vllasi ia del të kondensojë shumë vite historie dhe t’i paraqesë pretendimet përherë të dhunshme të Serbisë për t’u bërë me Kosovën, që për brezin tonë kulmuan me shuarjen e autonomisë më 1989 dhe luftën që do të ndodhte një dekadë më vonë. Në mesin e shumë gjërave që i përshkruan, në një vend të librit e përmend sintagmën “Bota serbe”, si një shpikje të akademikut famëkeq dhe “babait të kombit serb”, Dobrica Qosiq.

Pas përurimit, Vllasi do të ftohej për intervistë në “Konfront” të KTV-së dhe në lidhje me këtë çështje do të deklaronte: “Përpara i kanë pasur pretendimet për një ‘Serbi të madhe’, më të zgjeruar… avazin e nisi Millosheviqi, i shkaktoi gjithë këto lufta, por kjo nuk u realizua. ‘Babai i kombit’, siç i thoshin, njeriu më i errët në historinë e kombit serb, Dobrica Qosiqi, e shkroi ‘Memorandumin 2’, më 2010-n, ku thotë: ‘Krejt çka nuk ka realizuar Serbia me luftëra, duhet t’i realizojë me forma të tjera, me politikë, me diplomaci etj. Dhe, më nuk ka ‘Serbi e madhe’, por ka ‘Botë serbe’, ngjashëm si me sintagmën ‘Bota ruse’. Vuçiqi nuk dallon gjë nga Millosheviqi, veç që rrethanat janë të ndryshuara… por, pavarësisht ndryshimeve të pushteteve… që prej Ilija Garashaninit e këndej, ‘Bota serbe’ nënkupton që cilado tokë ku jeton bile një serb, me qenë në shtetin serb, kurse serbët nuk durojnë shtet a pushtet tjetër…”.

Shumëkujt do t’i ketë ikur dokumenti i Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave e Arteve të Serbisë (ASHAS), përfshirë edhe Akademinë e Kosovës, e cila thuajse nuk është. Pra përderisa serbët mbledhin mendjet e tyre të ndritura (që për ne të tjerët janë mendjet më të errëta që mund të gjenden) dhe prodhojnë dokumente të cilat i shndërrojnë në programe politike, ASHAK-u ynë hesht.

Në këto rrethana, duhet mbështetur te mendja e politikanëve me përvojë, siç është Vllasi, për të na treguar se është edhe një dokument, i rrezikshëm, që del nga kuzhina shoviniste e ASHAS-it, dhe mbi të cilin ndërtohen dokumente të reja që i shërbejnë pushtetit të Serbi që të pozicionohet karshi Kosovës në negociata.

I tillë është edhe një i ashtuquajturi “non-paper”, përgatitur nga një akademik serb, Vasilije Krestiq, në emër të ASHAS-it, që merret ekskluzivisht me “Zajednicën”, ndërkohë që përgjatë gjithë tekstit shtrihet fryma e idesë së “Botës serbe”. ASHAS e mohon ekzistencën e dokumentit, por pse do të duhej besuar, kur tashmë e dimë se “rrena është e interesit shtetëror serb”, siç e ka thënë vetë Qosiqi.

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

Teksti, që mban datën 7 shkurt 2023, është përplot tone patetike dhe e paraqet një replikë të pabesueshme të dokumenteve partiake të kohës së Millosheviqit, ku vajtohet populli serb në Kosovë. Aty thuhet se serbët diskriminohen dhe u mohohen të drejtat elementare, si dhe insistohet në formimin e “Zajednicës”, pavarësisht se ky nuk është qëllimi përfundimtar i tij. Qëllimi shpjegohet në pjesën përfundimtare të tekstit, që thotë: “Me gjithë faktin se shteti ynë, në përpjekjen për t’i ruajtur interesat e tij jetike nacionale, në këtë çast gjendet në situatë komplekse, e deri diku edhe të palakmueshme, nga aspekti i politikës së jashtme, si në planin global, ashtu edhe në atë rajonal. Serbia, si shteti ekonomikisht më i fuqishëm dhe kulturalisht, shteti më i themeltë i Ballkanit Perëndimor, ka një sërë përparësish krahasuese që do të duheshin vënë në shërbim të realizimit të përshkallëzuar dhe mirë të menduar të strategjisë së programit kombëtar serb, përkatësisht idealit të “Botës serbe”, me ç’rast nisja dhe forcimi i bashkimit dhe i besimit ndërmjet gjithë serbëve të shpërndarë, e paraqet një kusht të domosdoshëm për afirmimin e mëtejmë të ndikimit serb në kornizat rajonale dhe më të gjëra ndërkombëtare.

Prandaj nuk çudit edhe rrethana se disa segmente te shoqërisë e kanë identifikuar, në sintagmën shtetformuese “Bota serbe”, potencialin për shfaqjen dhe zhvillimin e një lloj Naçertanieije të shekullit 21. Me gjithë distancën kohore, në aspektin simbolik ky është një çast shumë i rëndësishëm për lindjen e këtyre ideve, duke e pasur parasysh se historia na mëson se idetë më të rëndësishme nacionale janë shfaqur në kohë sfiduese dhe të rënda për secilin, pra edhe për shtetin dhe popullin serb”.

* * *

Para tre vjetësh, KOHA botoi një përmbledhje dokumentesh që e kanë simbolizuar politikën serbe karshi të tjerëve, e sidomos shqiptarëve (“Politika serbomadhe prej Garashaninit deri te akademia”).

I pari ndër ta është “Naçertanie”) e Ilija Garashaninit që, përmbledhur në formë sa më të kondensuar, parashihte se Serbia duhej të punonte në “çlirimin” e ortodoksëve dhe sllavëve të tjerë, si dhe në aneksimin e trevave të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë veriore, përfshirë edhe Kosovën (atëherë pjesë e Perandorisë Osmane), Sremit, Baçkës dhe Banatit (atëherë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze). Garashanini kishte paraparë një mori aktivitetesh nëpërmjet të cilave do “të përgatitej” popullata e këtyre trevave që t’i bashkohej Serbisë, për shkak se “Serbia e kishte të drejtën e shenjtë historike” mbi këto toka, që nga koha e mbretërisë serbe të Car Dushanit, nga shekulli i 14-të.

Pra, 179 vjet më vonë, dikur programi sekret i politikës kombëtare dhe të jashtme të Serbisë, shkruar nga ministri i atëhershëm i Brendshëm, i përgatitur për princin Aleksandër Karagjorgjeviq, kthehet në shërbim për realizimin e politikës “së re” nacionale serbe, asaj të “Botës serbe”, të cilën duket sekret zgjedhin ta injorojnë, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

* * *

Rama të enjten mbajti konferencë për shtyp, për të treguar se kishte dorëzuar një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Me atë rast tha se draftstatuti është i punuar nga “ajka e mendimit juridik botëror” dhe se priste që i njëjti të çonte në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi. E tha gjithashtu se nuk do të bëhej publik kurrë. Që është fjalë e madhe. Sepse në politikë fjala “kurrë” nuk ekziston.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Përderisa Vuçiqi i reagoi dje duke thënë se propozimin për statutin e japin serbët, në Kosovë e para që reagoi të enjten qe Mimoza Kusari-Lila, shefja e GP të VV-së, e cila tha: “Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet e tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje, duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit. Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”.

Pa e ditur nëse është koordinuar me dikë për çështjen e këtij statuti, nëse dikush e ka përdorur si korrier, apo nëse thjesht e shfrytëzoi këtë rast për t’u faktorizuar si “baba i kombit shqiptar”, në emër të të cilit edhe foli në konferencën për shtyp, Rama bëri gabim.

Në konferencë tha se të huajt ishin zot shtëpie në Kosovë, që na bëri neve, të gjithë kosovarëve, qiraxhinj në shtetin tonë për të cilin shumëkush është sakrifikuar me gjithë çka ka pasur. Përderisa ne e kemi vuajtur edhe represionin e edhe luftën me gjithë mizoritë që ajo i solli, Rama ka qenë ministër i Fatos Nanos. Pra i Nanos, që erdhi në pushtet pasi që më 1997 plasi lufta civile në Shqipëri, e që pas vrasjes së 4 mijë vetëve, u ndal nga ushtarët italianë e grekë. Po askujt nuk i shkoi në mend as atëherë të thoshte se në Shqipëri këta të huajt ishin zot shtëpie.

Foli edhe në emër të kombit. Tha se këtë po e bënte për kombin, porse kombin nuk e pyeti fare nëse po ky komb donte që ky të merrej me ajkën juridike për një pjesë të kombit. Por, Rama e ka edhe një copëz kombi në Luginë – më mirë ta kishte shkruar në draftstatut për luginasit. Fundja, ky do të duhej të ishte roli i tij i vërtetë: i mbrojtësit të interesave të kombit para dostit të tij, Vuçiqit. Por jo, u mor me draftstatutin për një copë territori të Kosovës, pa e pyetur askënd në Kosovë. Apo ndoshta edhe e ka pyetur ndonjë këshilltar tijin që i ka thënë se kështu duhet.

* * *

Trysnia për “Zajednicën” do të vazhdojë pavarësisht faktit se ekziston një problem shumë serioz me Marrëveshjen e Ohrit, të cilin Vuçiqi refuzon ta pranojë se ekziston. Dhe përderisa kjo nuk i lë shumë përshtypje askujt prej atyre që kanë fuqi vendimmarrjeje ndërkombëtare, tema e Asociacionit nuk do të hiqet nga toplista e Lajçakut dhe Borellit.

Ndërkohë, para dy ditësh u bë e ditur se në kuadër të platformës “Ballkani i Hapur” më 22 qershor 2023, në Tiranë, do të mbahet koncerti i Orkestrës Filharmonike të Beogradit, që feston 100-vjetorin e ekzistimit. Dirigjent, e besoni ose jo, do të jetë indiani Zubin Mehta.

Kush e di, ndoshta edhe ky do të na e sjellë një draftstatut./ Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *