Bosnjë Hercegovina pjesë e “Open Balkan”? Robelli: Flluskë propagandistike për të sulmuar Kosovën, Zoran Tegeltija edhe mund të vallëzojë nën ritmin serb, por s’vendos dot me kokën e tij
Gazetari nga Kosova, Enver Robelli ka hedhur poshtë lajmin e raportuar një ditë më parë nga Top-Channel se Bosnjë Hercegovina ka vendosur t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”, duke e çuar në katër numrin e vendeve të bashkuara në këtë marrëveshje. Në një shkrim të publikuar në Koha.net. Robelli shkruan se lajmi ekskluziv i përhapur dje është vetëm një flluskë propagandistike për të sulmuar Kosovën.
Ai shkruan se Zoran Tegeltija, kryesues i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, pra kryeministri i këtij vendi është një politika serb, ka qenë ministër i financave në republikën serbe të Bosnjës, aleat i Milorad Dodikut, dhe se nuk është çudi të ketë thënë vërtet se mendon që Bosnja ndoshta do t’i bashkangjitet nismës “Open Balkan”.
Por, sipas Robellit, Tegeltija nuk mund të vendosë për vendin si ‘kokë më vete’ pasi Bosnja është shtet i tre popujve me fuqi vendimmarrëse dhe me veto. Ai citon ministren e jashtme, Bisera Turkoviç e cila në nëntor 2020 ka thënë se „Mini-Schengeni“ për Bosnjën nuk është projekt tërheqës.
Shkrimi i plotë i Enver Robellit:
“Bosnja do të jetë pjesë e ‘Open Balkan’“ – kështu njoftoi dje me bori e trumbetë një medium nga Tirana. Ky lajm është larg të së vërtetës. Por qëllimi i plasimit të lajmeve të tilla nuk është e vërteta. Qëllimi është: sulmi ndaj Kosovës. Madje duke cituar verbërisht politikanët serbë të Bosnjës, të cilët flasin si Aleksandar Vuçiqi, por nuk mund të marrin vendime kokë më vete në Bosnjë, sepse Bosnja është shtet edhe i dy popujve të tjerë. Iniciativa „Open Balkan“, thotë ministrja e Jashtme e Bosnjës, e ka humbur rëndësinë në kuptimin ideor, sepse është paralelizëm i „Procesit të Berlinit“.
Mediat oborrtare të qeverisë „socialiste“ të Tiranës dje me bori e trumbetë dhe nën siglën „ekskluzive“ dhanë këtë lajm: edhe Bosnjë-Hercegovina po i bashkohet nismës „Open Balkan“. Kështu paskësh thënë Zoran Tegeltija, kryesues i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, pra kryeministri i këtij vendi. Nëntoni i lajmeve të tilla të fryra e ka një synim: të bëhet propagandë kundër Kosovës, e cila, ja, nuk po e përkrahë „Open Balkan“, kurse Bosnja gjoja ndërroi mendje. Por sa është e vërtetë kjo? Zoran Tegeltija është politikan serb, ka qenë ministër i financave në republikën serbe të Bosnjës dhe është aleat i Milorad Dodikut, liderit të serbëve të Bosnjës, i cili po të kishte fuqi nuk do e priste të nesërmën për ta shkatërruar Bosnjën. Nuk është kurrfarë befasie nëse politikanët serbë të Bosnjës vallëzojnë me takt të muzikës së Beogradit. Nuk është as befasi që Tegeltija të thotë se ai mendon që Bosnja ndoshta do t’i bashkangjitet nismës „Open Balkan“.
Por, punët politike në Bosnjë janë paksa më të ndërlikuara dhe këtë ndoshta duhet ta kenë parasysh mediat e oborrit qeveritar në Tiranë. Zoran Tegletija nuk mund të marrë vendim kokë më vete për „Open Balkan“. Bosnja është shtet i tre popujve me fuqi vendimmarrëse dhe me veto. Për shembull ministrja e Jashtme Bisera Turkoviq në nëntor 2020 ka thënë se „Mini-Schengeni“ për Bosnjën nuk është projekt tërheqës. „Nga momenti kur është nënshkruar ‘tregu i përbashkët rajonal’ në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili është i bazuar në katër liritë, i ashtuquajturi ‘Mini-Schengen’ praktikisht e ka humbur rëndësinë në kuptimin ideor“, ka deklaruar Turkoviq. BBC në gjuhën serbe e ka pyetur ministrinë e Jashtme në Sarajevë se përse Bosnja nuk është ende pjesë e nismës „Open Balkan“ dhe përgjigjja ka qenë kjo: „Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës nuk ka marrë ende vendim për këtë“. Presidenca e Bosnjës i ka tre anëtare – një boshnjak, një serb, një kroat. Momentalisht disponimi i dy anëtarëve të presidencës (boshnjakut dhe kroatit) është kundër hyrjes së Bosnjës në „Open Balkan“. Andaj lajmi „ekskluziv“ i përhapur dje nga mediat oborrtare tiranase është vetëm një flluskë propagandistike.
Mali i Zi po ashtu nuk dëshiron të jetë pjesë e „Open Balkan“, ndonëse ky vend tani ka një qeveri që konsiderohet proserbe. Zorka Kordiq, kryenegociatore e Malit të Zi për anëtarësim në BE, ka thënë për gazetën „Vijesti“ se Podgoricës më shumë i përshtatet tregu i përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe jo „Open Balkan“ i instaluar nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Në lidhje me „Open Balkan“ profesori grek Nikolaos Cifakis nga Universiteti i Peloponezit thotë: „Ekziston rreziku që iniciativa ‘Open Balkan’ mund të thellë vijat ekzistuese ndarëse në rajon dhe zbatimi i saj mund të paraqesë një fushëbetejë të re për çështjet e Kosovës dhe Bosnjës. Nëse Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duan të shmangin këtë rrezik, duhet t’i kenë parasysh shqetësimet e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe t’i japin përparësi inkluzivitetit të procesit”.
Një ditë më parë, gazetari i Top Channel shkruante se Zoran Tegeltija, Kreu Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, ka pohuar se vendi i tij është i gatshëm të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur. Sipas artikullik, kjo shtesë në tavolinën ku janë ulur vetëm kryeministri Edi Rama, Zoran Zaev nga Maqedonia e Veriut dhe presidenti Serb Aleksandar Vuçiç, ka ardhur pas vizitës së Angela Merkel.
Rruga Press